Familja Boka nga Tirana e kanë traditë muzikën dhe vazhdojnë të përfaqësojnë vlerat e vërteta të muzikës shqiptare. Olta Boka ka përfaqësuar Shqipërinë denjësisht në Eurovizion, duke bërë krenar çdo shqiptar.
Reshit Boka, Olta Boka dhe Stivi Boka gjate nje performance
Reshit Boka, babai i Oltës dhe Stivi Bokës është këngëtar i njohur i muzikës popullore qytetare, ku ka më shumë se tre dekada që sjell për publikun shqiptar muzikën qytetare shqiptare. Jeta e tij artistike është e pasur me aktivitete dhe pjesëmarje në evenimente të shumta si në Maratonën e këngës popullore, Hiti i këngës popullore, Sofra e Tiranës. Reshit Boka është pjesemarrës në koncertet e Ansamblit Tirana brenda dhe jashte Shqipërisë.
Stivi Boka ka filluar që i vogël të merret me muzikë dhe së fundi është një nga këngëtarët e rinj i cili po merr pafund duartrokitje dhe vlerësime për publikimet e tij muzikore. Stivi ishte pjesëmarrës në spektaklin “Këngë moj” ku interpretoi mjaft bukur një kolazh këngësh popullore të Shqipërisë së Mesme.
“Bio Folk” zbuloi aktivitetet artistike dhe planet për të ardhmen të artistëve të familjes Boka.
Reshit Boka dhe Stivi Boka ne interviste me CMG
CMG: Zoti Reshit ju keni shumë vite që interpretoni këngën popullore qytetare. Ju kujtohet sa interpretime keni realizuar?
Reshit Boka: Unë kam 34 vjet me këtë profesion. Zanafilla ime ka qenë viti 1986 dhe po ti numërosh janë vite pafund dhe nganjëherë kur bisedojmë me kolegë dhe shokë kujtojmë këngët që kemi interpretuar në vite dhe natyrisht janë aq shumë këngë dhe pjesëmarrje nëpër aktivitete, sa dhe vetë i kam harruar. Më shumë se gjysma jetës sime është në këtë profesion dhe jam shumë i kënaqur, por njëkohësisht njeriu nuk kënaqet me profesionin e tij sepse kërkon gjithmonë progres.
Reshit Boka gjate nje performance
CMG: Në këto 34 vite jetë artistike nuk keni bërë ndonjë pushim?
Reshit Boka: Sinqerisht pauza e vetme ka qenë këto 9 muajt e fundit që po kalojmë pandeminë dhe nuk kemi pasur aktivitete. Vetëm në qershor kishim katër javë sporadike. Stivi ka pasur aktivitete dhe ka qenë më i angazhuar, ndërsa unë nuk kam pasur aktivitete këtë periudhë të pandemisë.
CMG: Ju thatë që këto 8 muaj të pandemisë nuk keni pasur shumë aktivitete artistike me publik, por keni bërë muzikë në shtëpi dhe keni qenë në një mënyrë tjetër në kontakt me publikun?
Reshit Boka: Padiskutim sepse nuk mund ta lesh dot profesionin sido që të vijnë situatat. Në shtëpi ne marrim kitarat ose pianon dhe luajmë muzikë, pra jemi gjithë kohës duke bërë muzikë dhe duke kënduar.
CMG: Të dy fëmijët tuaj janë artistë, Olta një këngëtare e muzikës shqiptare duke na përfaqësuar në Eurovizion dhe evente të tjera denjësisht, por dhe Stivi i suksesshëm. Si ndjeheni ju si prind për suksesin e fëmijëve tuaj?
Reshit Boka: Falenderoj Zotin në radhë të parë që jemi në këtë nivel që ju e përmendët. Të them të drejtën këto gjëra vijnë natyrshëm dhe jo me sforco. Unë jam shumë i lumtur që kam dy fëmijë që janë në një nivel të kënaqshëm. Unë dua të tregoj disa episode kur kam qenë mbas Oltës kur ishte në Eurovizion në Beograd dhe sinqerisht më janë dridhur duart kur e filmoja me kamera dhe momente emocionuese, kur prezantuesja tha Shqipëria në finale. Ishte një kënaqësi e jashtëzakonshme sepse Shqipëria kishte tre vjet pa dalë në finale në atë kohë dhe ky ishte një gëzim i papërshkruar, vërtetë kujtime të bukura sepse këto janë emocione që unë unë si prind ndjehem r i plotësuar dhe këtë ja uroj çdo prindi që të jetë në këtë pozicion që jam unë.
CMG: Stivi edhe ju keni pasur një mbështetje të madhe nga motra juaj Olta Boka, por që i vogël jeni marrë me muzikë. Si erdhi suksesi juaj?
Stivi Boka
Stivi Boka: Faktikisht unë në moshën 4 -5 vjeçare bëra një këngë dhe babi e pa që unë këndoja dhe më regjistroi në konkurs te shkolla “Servete Maçi” dhe aty dola i pari në konkurs në klasë të parë. Nëntë vjet studiova piano, por devijova pak këto nëntë vjet sepse shkova dhe pak te futbolli, sepse e kisha qejf. Pastaj në Liceun artistik “Jordan Misja” kalova për kontrabas ku përfundova edhe studimet në Universitetin e Arteve për kontrabas. Paralelisht kam studiuar kontrabasin dhe muzikën, por babi me Oltën gjithmonë më kanë përkrahur dhe akoma më mbështesin.
Stivi Boka gjate nje performance
CMG: Stivi, ju keni publikuar kohët e fundit disa këngë me sukses. Çmund të na thoni për këto realizime?
Stivi Boka: Unë publikova baladën e parë me Oltën, që u prit shumë mirë dhe mbas një vit e gjysëm pushim me kompozitorin dhe producentin tim Irkenc Hyka punuam për këngën“Xheloze”, e cila u publikua para 10 muajsh. Kënga ishte e suksesshme duke marrë 1 milion klikime. Unë kam një mbiemër që është i bukur, por edhe i rëndë mbi shpatulla sepse babi ka vite që këndon këngët popullore qytetare tiranase, motra ime Olta po ashtu e sukseshme, dhe i thoja vetes që a është dhe Stivi në hapat e babit dhe motrës.
Para një muaj publikova një këngë tjetër në bashkëpunim me këngëtarin Altin Sulku edhe kjo këngë doli me sukses. Në këtë periudhë unë jam marrë me disa organizime të Bashkisë ku në aktivitetin që u zhvillua para tre muajsh unë këndova me këngëtarin e mirënjohur Bashkim Alibali. Kjo ishte një eksperiencë shumë e bukur që e shijova dhe më pëlqeu shumë, sepse ishte rinia dhe “ustallarët”, siç i themi ne nga Tirana. Uroj që këto aktivitete të vazhdojnë edhe në të ardhmen.
Familja Boka
CMG: Zoti Reshit para disa kohësh në një TV në Tiranë ju performuat të tre një potpuri këngësh popullore të Shqipërisë së Mesme.
Reshit Boka: Në fakt na ftuan te emisioni “Soiree” që organizon televizioni Top Channel ku shkuam me Oltën dhe Stivin dhe me orkestrën live aty shumë shpejt vendosëm çfarë këngësh do këndonim dhe i kemi kënduar live në studio sepse të kënduarit live ka emocionin e vet dhe ne këngëtarët që këndojmë live nuk kemi nevojë për shumë prova sepse e kemi në kokë këngën. Interpetuam të tre shumë bukur. Gjithashtu kemi marrë pjesë edhe te Sofra e Tiranës ku kemi performuar të tre, ndërsa ky vit që kaloi mora pjesë vetëm me Stivin ku interpretuam një këngë duet. Jeta vazhdon dhe do të kemi aktivitete pafund, por që në radhë të parë të jemi mirë me shëndet.
CMG: Së fundi një përshëndetje për të gjithë dëgjuesit e Radio Ejani dhe emisionin Bio Folk nga Reshit Boka e Stivi Boka.
Reshti Boka: Së pari i përshëndes të gjithë dëgjuesit, duke ju uruar mbarësi dhe shëndet sepse në këto kohë pandemie situata nuk ka qenë mirë dhe urojmë të mbarojë dhe ti kthehemi normalitetit.
Stivi Boka: Unë ju uroj të gjithë dëgjuesëve më të mirat e kësaj bote sepse kjo situatë na ka stresuar pak dhe do ju jepja një sugjerim që duhet të dëgjoni sa më shumë radion, të merren me muzikë sepse vetëm muzika ka treguar ndër vite që shëron dhe sëmundje.
Intervistoi: Gazmend Agaj