"密" (mitsu), i përdorur në mënyrë të përsëritur në thirrjet për të përmbajtur përhapjen e koronavirusit të ri, u zgjodh të hënën në Japoni si kanji (hieroglifi kinez) i vitit 2020.
"Mitsu" është përdorur gjerësisht për të inkurajuar distancimin shoqëror gjatë pandemisë së koronavirusit, duke frymëzuar madje edhe një lojë kompjuterike.
"Mitsu", që do të thotë "i ngushtë" ose "i dendur", rrjedh nga shprehja "San-mitsu", e cila ishte thelbësore në përpjekjet e Japonisë për të mbajtur nën kontroll pandeminë. Ajo u referohet shmangies së hapësirave të mbyllura, turmave dhe kontakteve të ngushta.
Televizionet japoneze e transmetuan njoftimin vjetor drejtpërdrejt në një veprimtari të organizuar nga Fondacioni për Testimin e Njohurive mbi Kanji-të të Japonisë. Gjatë ceremonisë, kryeprifti budist Seihan Mori i tempullit "Kiyomizu" në Kioto e shkroi hieroglifin në një letër me gjatësi 1.5 metra dhe gjerësi 1.3 metra me një furçë bukurshkrimi gjigante.
Sipas fondacionit, hieroglifi grumbulloi 28 401 nga 208 025 votat e sondazhit, ose 13.65 %.
Shprehja "San-mitsu" u krijua nga guvernatorja e Tokios Yuriko Koike për të nxitur banorët të qëndrojnë brenda gjatë valës së parë të infeksioneve të koronavirusit në fillim të këtij viti.
Ajo madje frymëzoi një lojë kompjuterike, ku Koike shkon pranë turmave duke shqiptuar thirrjen e saj të përditshme "mitsu desu" për distancim shoqëror.
Sipas rezultateve të votimit, hieroglifet kanji për "katastrofë" dhe "sëmundje" u renditën përkatësisht në vend të dytë dhe atë të tretë.
Nga vendi i katërt në të 10-tin vijnë me radhë karakteret për "i ri", "ndryshim", "shtëpi", "vrasje", "bakter", "fantazmë" dhe "epidemi".
Që nga viti 1995, fondacioni ka kryer sondazhe në të gjithë vendin për të zgjedhur një kanji, që përmbledh prirjet shoqërore dhe ngjarjet e çdo viti.