Gratë kineaste u mblodhën të martën në qytetin tropikal Sanya në provincën Hainan të Kinës për të diskutuar mbi rolin e grave në industrinë kinematografike.
Aktorja dhe producentja Liang Jing, e cila mori pjesë në forum, tha se është e lumtur që forca dhe kontributi i grave në industrinë kinematografike po njihet gjerësisht.
"Ndihem e lumtur që vetëndërgjegjësimi i grave po forcohet. Kur bëhet fjalë për industrinë e filmit, shumë njerëz i kushtojnë vëmendje rolit të rëndësishëm të grave në këtë fushë. Kjo është vërtet inkurajuese," tha ajo.
Liang është një nga gratë me ndikim më të madh në qarqet kinematografike kineze. Ajo është producente e filmit epik "Tetëqind", që tregon historinë e vërtetë të qindra ushtarëve kinezë që u përballën me forcat japoneze në një depo të vogël në Shangai. "Tetëqind", me regjisor Guan Hu, është filmi i parë në Azi i xhiruar tërësisht me kamera IMAX. Filmi grumbulloi më shumë se 476 milionë dollarë nga shitja e biletave, duke e bërë atë filmin me fitime më të larta këtë vit në Kinë.
"Gratë kanë këndvështrime të ndryshme nga burrat. Ndonjëherë, kjo çon në rezultate shumë të ndryshme. Le të marrim filmin 'Tetëqind' për shembull. Ishte një film shumë tradicional lufte për burra. Por unë e këshillova regjisorin të provonte dhe të mendonte nga perspektiva e gruas. Pas rreth 40 raundesh përshtatjeje, versioni përfundimtar që i paraqitëm publikut u pëlqye shumë, veçanërisht ndër shikueset femra, që nuk janë (zakonisht) publiku që synojnë filmat e luftës," tha ajo.
Liang gjithashtu tërhoqi vëmendjen për numrin e grave në industri. "Kam marrë pjesë në shumë forume e konkurrime filmash dhe kam lexuar shumë skenarë origjinalë filmash në vitet e fundit. Unë do të thosha se mbi gjysma e fituesve janë regjisore, shkrimtare dhe producente femra", vuri në dukje ajo.
"Një situatë e tillë ishte edhe në 'projektin e tregut' të përfunduar së fundmi në Çmimet 'Gjeli i artë'. Kjo bëri që drejtuesit e projektit, regjisorët Huang Jianxin e Xu Zheng dhe aktori Andy Lau të thërrisnin: 'Ku janë regjisorët meshkuj',”tha Liang. (Artan)