Hao Lei është një nga fytyrat më të njohura në kinematografinë kinezë. Që prej debutimit në një dramë studentore në vitin 1997, Hao ka qenë aktive në skenë dhe ekranin e madh për mbi 20 vjet.
Ajo ishte e ftuar për të marrë pjesë në një masterkurs të premten, ku aktorë dhe regjisorë veteranë ndanë përvojat e tyre në krijimin e filmave në Sanya të provincës Hainan të Kinës. Veprimtaria ishte pjesë e Festivalit të 3-të Ndërkombëtar të Filmit të Ishullit Hainan.
Në një intervistë për CMG-në Hao vuri në dukje se mënyra më e mirë për të mësuar aktrimin është leximi i librave: "Të rinjve të sotëm nuk u pëlqen të lexojnë. Përkundrazi, ata shpesh bëjnë pyetje të tilla, si 'Si mund ta mësoj aktrimin?' ose 'Ku duhet ta mësoj aktrimin?' Epo, është shumë e thjeshtë, thjesht lexoni libra!”
Për ta bërë më të lehtë leximin për të rinjtë, Hao po punon për një libër të ri, për të cilin ajo tha se bazohet në veprat e Konstantin Stanislavskit - një pionier i artit të aktrimit.
"Unë i lexoj librat e tij nga këndvështrimi im dhe i shpjegoj ato duke përdorur gjuhën time, e cila është më e lehtë për t'u kuptuar sesa vetë librat. Unë do të ndaj në libër përvojën time të të qenit aktore për më shumë se dy dekada," tha ajo.
Gjatë intervistës, Hao theksoi gjithashtu se vitet e praktikimit të budizmit e kanë ndihmuar shumë në karrierën dhe jetën e saj vetjake.
"Mësimi i budizmit më ndihmon të jem mendjehapur dhe tolerante ndaj të tjerëve. Në disa raste, për shembull, kur isha duke punuar për një rol të caktuar, nuk kisha një kuptim mjaft gjithëpërfshirës. Por tani budizmi më ndihmon ta shoh punën dhe jetën nga një perspektivë më e lartë," u shpreh ajo për CMG-në. (Artan)