Merita Halili është një nga këngëtaret më të njohura të muzikës popullore shqiptare. Ajo ka filluar që në moshë të vogël me aktivizimet e saj në pallatin e pionereve dhe me pas me Ansamblin Tirana dhe Migjeni. E lindur në Tiranë, debutimin e saj në shkallë kombëtare e bëri në vitin 1983 në moshën 16 vjeçare, kur këndoi në Festivalin Kombëtar Folklorik në qytetin e Gjirokastrës. Gjatë viteve kur studionte në degën e kantos në Liceun Artistik “Jordan Misja” Merita Halili u aktivizua me Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore dhe realizoi recitalin e saj të parë në një moshë fare të re, ku spikati talenti i saj me një zë brilant, që më vonë do të bënte për vete shumë artdashës, duke e cilësuar Merita Halilin si Mbretëresha dhe bilbili i Këngës popullore shqiptare.
Merita Halili duke performuar ne koncertin recital
Merita Halili me Ansamblin e këngeve dhe valleve popullore mori pjesë në shumë turne në vende të Evropës, ku interpretoi denjësisht. Merita Halili filloi të këndonte në Radio Televizionin Shqiptar duke regjistruar dhe arkivuar shumë këngë dhe video te ndryshme, që sot ruhen ne arkivin e RTSH-së.
Në vitin 1989 Merita mori pjesë në spaktaklin e muzikës popullore të realizuar nga RTSH “Mbrëmje e muzikës popullore”, ku u rendit ndër këngëtaret më të mira të spektaklit. Kulmin e saj e pati në spektaklet “12 vallëzime pa një të shtunë”, “Rreth fatit për 12 javë” dhe “12 në Hollywood”. Merita u bë më shumë e njohur në vitin 1995 kur u nderua me çmimin e parë në Festivalin Gala “12 në Hollywood” të mbajtur në Tiranë, ku morën pjesë 90 këngëtarë nga diaspora.
Më pas Merita dhe familja e saj u largua për në SHBA ku vazhdoi karrierën e saj artistike së bashku me bashkëshortin, muzikantin e mirënjohur, maestro Raif Hyseni.
Merita me bashkeshortin Raif Hyseni
Të dy së bashku artistët kanë zhvilluar shumë koncerte nëpër Evropë, por dhe në Japoni, Kanada, Australi duke shpalosur për publikun botëror vlerat artistike dhe kulturore të Shqipërisë dhe të gjithë trevave shqiptare.
Për këngëtaren shqiptare Merita Halili ka shkruar dhe gazeta e njohur amerikane “New York Times” për karrierën dhe aktivitetin e saj artistik dhe zërin e saj brilant dhe të rrallë. Së bashku me bashkëshortin Raif Hyseni ata janë anëtarë të "Qendrës së muzikës dhe vallëzimit tradiconal" të New York-ut, të zgjedhur si interpretuesit më të mirë për të ruajtur folklorin, dhe çifti artistëve ata me punën profesionale kanë arritur të edukojnë dhe tu mësojnë rreth 3000 studentëve vendas e të huaj, vallen e këngën tradicionale shqipe.
Merita Halili ka interpretuar në sallat e famshme muzikore. Bashkë me orkestrën e drejtuar nga maestro Raif Hyseni ajo realizoi koncertet e saj në Broadway, Lincoln Center, 4 herë në Librarinë e Kongresit amerikan, në Kennedy Center, duke marë pjesë në të gjitha festivalet që ka organizuar kjo qendër. Merita bashkë me Raifin kanë realizuar shumë seminare në disa prej akademive të njohura të artit në SHBA, ku kanë prezantuar muzikën shqiptare për amerikanët.
Merita Halili gjate koncertit recital ne Tirane
Merita Halili është fituese e çmimeve të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare. Është vlerësuar në koncertin “Sofra e Tiranës” si një brilant i muzikës shqiptare. Në spektaklin “Yjet në Folk Univers 2005” u vlerësua me çmimin e parë. Merita Halili është vlerësuar bashkë me të shoqin Raifin nga kryebashkiaku i New York-ut si artistë të komunitetit në SHBA. Merita është shpallur “Mbretëresha e Muzikës Shqiptare’ në New York nga AAWO (Albanian American Women’s Organization). Merita Halili ka hyrë në enciklopedinë botërore më këngët “Na leu dielli”, “Ku të ka lala moj kumurie” dhe “Doli goca në penxhere”.
Dy nga çmimet më prestigjioze kombëtare që mori nga Presidentët e Shqipërisë ishin “Ambasadore e Kombit” dhe “Mjeshtre e Madhe”.
Në shtator 2019 Merita së bashku me Raifin dhe në bashkëpunim me Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore realizoi koncertin e saj recital live në Pallatin e Kongreseve, ku mori duartrokitje dhe emocione pafund nga spektatori.
Në një intervistë ekskluzive për Bio Folk në Radio Ejani, Merita Halili na tregon për jetën e saj artistike gjatë periudhës së pandemisë, si dhe mallin që ka për Shqipërinë dhe spektatorin e saj.
Merita Halili me bashkeshortin Raif Hyseni dhe kengetaren me fame boterore Dua Lipa gjate nje performance ne SHBA
CMG: Merita është kënaqësi të të kemi në emisionin Bio Folk. Çfarë aktivitetesh keni pasur gjatë periudhës së pandemisë?
Merita Halili: Në radhë të parë dua të falenderoj Radio Ejani dhe emisionin Bio Folk. Ditët e mia gjatë pandemisë kanë qenë të zëna sepse kemi pasur aktivitete online zooming me studentët, sepse të gjitha aktivitetet artistike janë ndërprerë në të gjithë botën dhe për artistët ka qenë një gjendje shumë e vështirë gjatë kësaj periudhe. Ne nuk performojmë dhe nuk jemi në kontakt me popullin. Kjo është një gjendje jo e mirë për të gjithë artistët, si në Shqipëri e kudo.
CMG: Sa të mungon Shqipëria dhe Tirana në veçanti?
Merita Halili: Më mungon shumë Tirana dhe më ka munguar vazhdimisht, por për shkak të pandemisë nuk mund të jem në Shqipëri në shumë aktivitete, që po organizohen tani me këngën popullore. Shpresoj të vij së shpejti, sapo të përfundojë kjo situatë në të cilën ndodhemi dhe të fillojë jeta normale.
Vjet unë ralizova një koncert recital live, ku u shpalosën vlerat e muzikës shqiptare dhe të Shqipërisë së Mesme kryesisht. Ky recital për mua ishte një rikthim dinjitoz dhe kur pashë publikun që më priti me aq ngrohtësi, e ndjeva edhe njëherë veten sikur rilinda. Më mungon shumë spektatori i Tiranës dhe gjithë shqiptarët kudo që janë, në Kosovë dhe Shqipëri. Më mungon shumë Shqipëria.
Merita Halili me bashkeshortin Raif Hyseni
CMG: Çfarë keni bërë gjatë kohës së karantinës? Besoj keni bërë muzikë bashkë me bashkëshortin tuaj, maestro Raif Hyseni?
Merita Halili: Gjatë kohës së karantinës ne kemi bërë shumë intervista për emisione të ndryshme si në Kosovë dhe në Shqipëri, ku bashkë me Raifin kemi treguar punën tonë se çfarë bënim këtu gjatë pandemisë dhe kuptohet që dhe kemi kënduar. Nganjëherë mërziteshim dhe këndoja dhe në shtëpi ku përshëndesja dhe miqtë që kishin ditëlindjet dhe mundohesha të isha sa më aktive, por që nuk është asgjë përpara realitetit, skenës dhe spektatorit. Unë mezi pres të mbarojë kjo situatë.
CMG: Merita faleminderit për këtë bisedë të këndshme dhe ju uroj shëndet e suksese gjithmonë.
Merita Halili: Unë ju përshëndes shumë të gjithëve, sepse jeni vërtetë gjithmonë pranë artistëve duke i vlerësuar dhe personalisht të jam mirënjohëse për mbështetjen që më ke dhënë gjithmonë. Përshëndes dëgjuesit e Radio Ejani dhe emisionit Bio Folk dhe dëshiroj që të gjithë të kenë gëzim në festat e fundvitit duke ju uruar mbarësi, shëndet dhe lumturi.
Intervistoi: Gazmend Agaj