Një ndërtesë tradicionale druri e kombësisë kineze dong është shndërruar në Muzeun e Qëndisjes Dong nga Yang Tian, një trashëgimtare e kësaj mjeshtëri. Ajo u mëson qëndisjen grave të kombësisë dong, duke shpresuar ta përhapë sa më shumë këtë trashëgimi kulturore jomateriale.
Shumë vajza të kombësisë dong mësojnë të qëndisin që në moshë të vogël dhe Yang ishte një prej tyre. “Qëndisjen e kam mësuar nga nëna ime kur isha shtatë apo tetë vjeçe, dhe nga vjehrra kur u martova. Kanë kaluar 50 vjet tani dhe nuk jam mërzitur kurrë,” shprehet Yang në një intervistë.
Qëndisja e kombësisë dong ka një histori të gjatë dhe është një mjeshtëri tradicionale. Zogjtë, kafshët, lulet dhe bimët zënë shumicën e modeleve të përdorura, me origjinë nga jeta e fshatit. Vajzat e kombësisë dong përdorin fije mëndafshi shumëngjyrëshe për të qëndisur modelet në veshjet e tyre, duke treguar dashurinë dhe respektin e tyre për natyrën.
Zakonisht duhen mbi gjashtë muaj, nga tjerrja te qëndisja, për të bërë me dorë një kostum tradicional dong, por një punë e tillë më parë nuk sillte të ardhura të mira. Një komplet kostumi dong mund të shitej vetëm për afro 100 juanë (rreth 15 dollarë) një dekadë më parë, shpjegon Yang.
Përpjekjet e Yang-ut dhe mbështetja e qeverisë kanë bërë të mundur sigurimin e jetesës nga kjo mjeshtëri e vjetër.
Sot, një kostum dong i punuar me dorë mund të shitet për më shumë se 8 000 juanë, dhe qëndisma e zbukurime të tjera janë të pëlqyera prej klientëve nga mbarë Kina.
Yang Tian ka bërë të gjitha përpjekjet për ta paraqitur këtë formë arti në lokalitetin Tongle, ku tani organizohen kurse të mësimit të qëndisjes dong, duke inkurajuar më shumë se 300 familje të përfshihen në këtë mjeshtëri. Sot, mbi 30 familje të varfra e sigurojnë jetesën pas mësimit të qëndisjes dong.