Dy panda gjigante u kthyen në Kinë nga Kanadaja mëngjesin e së hënës dy vjet para kohe, për shkak të mungesës së bambusë së freskët.
Er Shun dhe Da Mao, dy pandat gjigante, shkuan në Kanada në mars 2013 dhe do të qëndronin aty për dhjetë vjet, në përputhje me marrëveshjen të vullnetit të mirë midis dy vendeve.
Gjatë kohës në Kanada, në tetor 2015, Er Shun lindi binjakë, që u quajtën Jia Panpan dhe Jia Yueyue. "Jia" është rrokja e parë e "Jianada", siç quhet Kanadaja në gjuhën kineze.
Kopshti Zoologjik i Kalgarit në Alberta ka importuar bambu të freskët nga Kina për dy arinjtë, por meqenëse shumë fluturime janë pezulluar për shkak të epidemisë, sasia e bambusë së freskët është e vështirë për të përmbushur nevojat e tyre.
"Pas disa muajsh pune të vështirë për të siguruar leje ndërkombëtare, sot është dita kur pandat gjigante do të shkojnë në shtëpi!", shkroi në "Twitter" Kopshti Zoologjik i Kalgarit.
Pandat ushqehen me bambu dhe kërkojnë një sasi të vogël foragjeresh, fruta, vitamina dhe disa mikroushqyes. Edhe pse aparati i tyre tretës është i ngjashëm me të mishngrënësve, 99 për qind të dietës së tyre e përbën bambuja.
Një pandë e rritur ha të paktën 15 deri në 20 kilogramë bambu në ditë, sipas të dhënave nga Qendra e Kërkimeve për Rritjen e Pandave Gjigante në Chengdu të Kinës.
Pandat kanë një kërkesë të madhe për bambu, si edhe "kërkesa" specifike për shumëllojshmërinë e kësaj bime.
Sipas një sondazhi të Zyrës së Pyjeve dhe Kullotave të Sichuan-it vitin e kaluar, në provincën Sichuan ka 216 lloje bambush, por vetëm 32 prej tyre mund të shërbejnë si ushqim për pandat gjigante. Ndër këto 32 lloje, vetëm dy janë të parapëlqyerat e pandave, duke përbërë rreth 70 për qind të ushqimit të tyre. (Artan)