Një koncert me muzikë kineze dhe italiane u mbajt në Shangai për të festuar 50-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike Itali-Kinë. Ambasadori italian në Kinë, Luca Ferrari, tha se 2020-ta ishte një vit i vështirë për shkak të emergjencës shëndetësore ndërkombëtare. Për këtë arsye është shtyrë edhe Viti i Kulturës dhe Turizmit Itali-Kinë për më 2022-shin, por falë përmirësimit të kornizës shëndetësore janë zbatuar nisma të tilla si koncerti në Shangai, i realizuar në përputhje të plotë me masat parandaluese të vendosura nga autoritetet kineze, bën të ditur “Xinhua”. Ndërsa zëvendësdrejtori i Komitetit të Përhershëm të Asamblesë Popullore të Shangait dhe president i Shoqatës së Popullit të Shangait për Miqësinë me Vendet e Huaja, Sha Hailin, tha se koncerti është një emblemë e përsosur e bashkëpunimit të ndërsjellë, dialogut kulturor dhe shkëmbimeve ndërpersonale midis Kinës dhe Italisë.
Miqësia mes dy vendeve, -shtoi ai, -do të zgjasë dhe si dy civilizime të lashta, ne duhet të kontribuojmë për paqen dhe zhvillimin në botë përballë sfidave globale. (Elona)