"Netflix"-i thotë se "Gambiti i mbretëreshës" është bërë një nga serialet e veta origjinale më të suksesshme.
Shifrat nga platforma e transmetimit në internet tregojnë se ky serial është parë nga një rekord prej 62 milionë familjesh në 28 ditët e para të shfaqjes.
Ai ka qenë filmi numër një i "Netflix"-it në 63 vende, përfshirë ShBA-në, Britaninë e Madhe, Argjentinën dhe Afrikën e Jugut.
Ngjarjet e filmit, me protagoniste Anya Taylor-Joy, vendosen në vitet '50 të shekullit të kaluar dhe kanë në qendër një jetime të quajtur Beth, që mëson të luajë shah dhe bëhet kampione, ndërsa lufton njëkohësisht me varësinë.
"Netflix"-i thotë se "Gambiti i mbretëreshës" gjithashtu i ka frymëzuar njerëzit të mësojnë të luajnë shah.
Kërkimi në "Google" për fjalët "si luhet shahu" ka arritur nivelin më të lartë në nëntë vjet. (Artan)