Artiola Toska së shpejti me një program me këngë popullore të Shqipërisë së mesme si një dhuratë për publikun në festat e fundvitit.
Artiola Toska
Artiola Toska është një ndër këngëtaret më të suksesshme të muzikës popullore shqiptare. E nisi karrierën në moshë të vogël dhe sot është një ndër emrat më të njohur të muzikës popullore në trevat shqiptare e nderuar edhe me titullin “Mjeshtër i Madh“ nga Presidenti i Republikës. Gjatë karrierës së saj numëron 6 albume dhe 6 koncerte recitale dhe ka qënë pjesëmarrëse në koncerte kudo në trevat shqiptare dhe në diasporë SHBA, Australi, Itali, Francë dhe me gjerë. E kujdesur, miqësore dhe harmonike, ajo duket se flet për muzikën me po të nëjtin pasion të madh që e këndon atë.
Artiola është padyshim një artiste në të gjitha dimensionet, një zë i rallë i muzikës popullore, por edhe një njeri me një botë të brendshme shumë të pasur, një njeri që dashuron artin, ngjyrat dhe të bukurën në tërësi. Këngët e saj prekin tema me të cilat është e lidhur jeta e përditshme e çdo shqiptari. Në këngët e saj ka ide, por edhe shumë muzikalitet e ritëm që e fton çdo artdashës në kërcim. Thjeshtësia dhe komunikimi i afërt me publikun janë dy asetet e patjetërsueshme të Artiolës si artiste dhe si njeri. Ajo shpeshherë vjen në vemendje me këngë të reja, publikime autentike. Takimi me Artiolën dhe intervista me të si mike e veçantë në programin muzikor “Bio Folk” u shoqërua me emocione.
Artiola gjatë një spektakli
CMG: Si e keni përjetuar ju si artiste periudhën e pandemisë?
Artiola Toska: Të them të drejtën do të flas në emër të kolegëve të mi sepse e di gjendjen e tyre, duke qenë se komunikojmë shumë shpesh dhe jemi mësuar gjithmonë në lëvizje gjatë gjithë vitit. Ndaj është pak problem kjo puna e mbylljes tani, jo pak por u bë shumë, sepse nga marsi thonim hajde se deri nga qershori do të kalojë kjo situatë. Jemi në një moment që, të them të drejtën nuk na futet gjë në sy.
CMG: Ju e keni respektuar karantinën në muajin mars në mënyrë strikte, por ndërkohë publikuat edhe një këngë të re. Si titullohej kënga dhe si u prit?
Artiola Toska: Kjo është e vërtetë, sepse unë erdha nga një udhëtim nga Anglia dhe kishim frikë duke mos e njohur si virus, të paktën në periudhën e marsit dhe thoshim e mori ky apo e mori ai, por nuk e dinim se çfarë është dhe si vjen dhe shpërndahet. Të them të drejtën ndenja kot sepse nuk kisha pasur asgjë dhe në kohën e karantinës ndenja dy muaj vetëm sepse qëlloi që bashkëshorti im ishte jashtë.
Në fakt për mua ishte frutdhënse sepse publikova edhe një këngë të re në atë kohë, që përkoi me kohëne karantinës. Kënga titullohej “Ditëlindja” dhe ishte thjesht një këngë ku kam përshtypjen se duhet ta ketë gjetur veten gjithkush që ka qenë në ato pozita që isha unë. Kjo këngë i kushtohet personave që e festuan ditëlindjen pa të dashurit e tyre, apo pa miqtë dhe shoqërinë e tyre. Gjithashtu me një ftesë të emisionit “Klanifornia” në televizionin Klan, ku ishin ftuar edhe disa këngëtarë të muzikës live, realizova edhe versionin nga shtëpia të këngës “Gocë Tirone” dhe doli shumë bukur.
Artiola Toska gjate nje koncerti
CMG: Ju si këngëtare lëvizni shumë nëpër vende të ndryshme të botës me koncerte. Gjatë kësaj periudhe që janë pezulluar aktivitetet, ju si artiste si ndjeheni?
Artiola Toska: Koncertet jashtë vendit sigurisht që na mungojnë pa fund dhe mezi po presim që kjo situatë të mbarojë, sepse vërtetë na mungojnë aktivitetet, publiku, udhëtimet, kolegët.
Sigurisht edhe ekonomia sepse mund të kalosh muajt e parë, por kur zgjatet është pak problem.
CMG: Mendon se periudha e karantinës të ka bërë më shumë shtëpiake?
Artiola Toska: Karantian më ka bërë shtëpiake deri diku, sepse unë zakonisht edhe kur jam në punë udhëtoj fundjavave, por gjatë javës më shumë rri në shtëpi merrem me gatime, dhe më pëlqen ajo pjesa e qëndrimit në shtëpi. Kjo vlen kur rri me qejf, sepse kur rri me detyrim është pak më e vështirë.
CMG: Aktualisht po merr pjesë në spektaklin televiziv “Kënga jonë”, ku prezantimi i parë ishte me këngët e dasmave. Si ndjeheni në një program të tillë, pa spektatorë?
Artiola Toska: Unë e prita me shumë qejf këtë program, sepse nuk kam marrë shumë pjesë nëpër spektakle të këtij lloji, pasi kam qenë gjithë kohës e zënë. Por për këtë kohë ishte si ilaç për mua dhe për ato këngëtarë që marrin pjesë në atë spektakël, sepse ndoshta nuk është fitimprurës, por është fitimprurës për shpirtin. E kishim të nevojshme, por më vjen këq vetëm që i gjithë ky realizim live në televizion që mezi e kemi pritur, po bëhet pa public. Kjo na mungon sepse sado mundohemi ne kolegët të krijojmë atmosferë, duartrokitja e publikut mungon shumë. Megjithatë justifikohemi dhe ngushllohemi me mesazhet që sjellin nëpërmjet rrjeteve sociale dhe shihet që e kanë ndjekur dhe ka qenë një bum urimesh dhe falenderimesh pafund.
Artiola Toska Interviste per CMG
CMG: Çfarë dhurate keni menduar për adhuruesit tuaj për festat e fundvitit ? Ndoshta një tjetër program, sepse publiku ka nevojë në këtë kohë të vështirë.
Artiola Toska: Unë po bëj një program në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës. Është një koncert recital, por pa publik që shfaqet në televizion. Ky program do të xhirohet live me këngë qytetare popullore të Shqipërisë së Mesme. Është një dhuratë për 100 vjetorin e Tiranës, një dhuratë edhe për ato njerëz që ndoshta kanë neveojë për pak muzikë të pastër e të bukur shqipe, sidomos në kohën e këtye festave në thonjëza, sepse e di që nuk do të festojmë ashtu siç duhet.
Duke parë se po ngushtohet rrethi përditë e më shumë them t’i jap forcë vetes për të bërë një program, sikur një orë e gjysëm sa për të harruar gjithçka që i rrethon dhe lajmet e zeza. Mendoj se do jap pak pozivitet për popullin.
CMG: Faleminderit shumë Artiola për këtë intervistë dhe të këndoftë shpirti!
Artiola Toska: Shumë faleminderit dhe unë ju uroj suksese, por në radhë të parë do të uroja të gjithë stafin tuaj për shëndet dhe buzëqeshje.
Intervistoi: Gazmend Agaj