68 relikte kulturore janë kthyer në Kinë nga Britania e Madhe, tha Administrata Kombëtare Trashëgimisë Kulturore në një konferencë shtypi të mërkurën.
Reliktet, të cilat ishin kontrabanduar jashtë vendit, u morën me përpjekjet e përbashkëta të Administratës dhe autoriteteve të punëve të jashtme dhe doganore të Kinës.
Ato përfshijnë objekte porcelani e qeramike, vegla guri e enë prej bronzi dhe shtrihen në një hark kohor nga Periudha e Shteteve Ndërluftuese (770 p. e. s. - 221 p. e. s.) deri në dinastinë Qing (1636-1912).
Ndër to ka qeramikë të emaluar trengjyrëshe nga dinastia Tang (618-907), qeramikë bardheblu të dinastisë Song (960-1279), një kalë guri nga dinastia Yuan (1271-1368) dhe thesare të tjera kulturore.
Guan Qiang, nënkryetari i Administratës, u shpreh se duke pasur parasysh materialin dhe cilësinë e tyre, disa nga këto objekte kulturore kanë një vlerë të konsiderueshme historike, artistike dhe shkencore.
Ai theksoi se kthimi i relikteve kineze është një shembull i suksesshëm i bashkëpunimit midis Kinës dhe Britanisë së Madhe në luftën kundër kontrabandës së relikteve kulturore sipas Konventës së vitit 1970.
Kjo konventë i nxit shtetet të marrin masa për të ndaluar dhe parandaluar trafikimin e paligjshëm të pasurive kulturore.
Kina u bë pjesë e kësaj konvente në vitin 1989, ndërsa Britania e Madhe në vitin 2002.
Reliktet e kthyera janë ekspozuar në uebsajtin zyrtar të Administratës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore të Kinës. (Artan)