Filmi shqiptar “Open door”, me regji nga Florenc Papas, do të prezantojë Shqipërinë në “Oscar 2021”. Filmi do të konkurrojë në “International Feature Film Award”, edicioni i 93-të. Komisioni përzgjedhës në Qendrën Kombëtare të Kinematografisë votoi online për të përzgjedhur kandidaturën shqiptare në konkurrim. Filmi më herët ka qenë pjesë në kompeticionin zyrtar të “Sarajevo Film Festival” ku ka pasur edhe premierën botërore të tij, bën të ditur “ATSH”.
Gjithashtu filmi ka marrë pjesë edhe në shumë festivale të tjera të rëndësishme ku është vlerësuar shumë për regjinë dhe për lojën aktoriale të Luli Bitrit dhe Jonida Vokshit.
Për herë të parë publiku shqiptar me këtë film është njohur në “Tirana International Film Festival”, ku edhe këtu pati shumë vlerësime pozitive.
Filmi flet për historinë e dy motrave, të cilat ndërmarrin një udhëtim të gjatë për në shtëpinë e babait të tyre dhe shqetësimin që ato kanë për përballjen me të dhe mentalitetin e tij patriarkal.