Festivali i 23-të i Muzikës i Pekinit ka përfunduar me një koncert nga Orkestra Filarmonike e Kinës, që kremtoi njëkohësisht 20-vjetorin e saj. Dirigjenti i kësaj orkestre dhe themeluesi i festivalit Yu Long mbajti një fjalim prekës dhe thirri rreth 30 muzikantë themelues të ngriheshin në këmbë, duke korrur duartrokitje të zjarrta.
Ky ishte gjithashtu një koncert për të promovuar brezin e ri. 5 solistë, të gjithë të lindur në vitin 2000, kryesuan shfaqjen, duke përfshirë kundërtenorin Liu Shen, violonçelisten Ouyang Nana, violinistin Lin Ruifeng, pianistin Ju Xiaofu dhe violisten Yu Mingyue.
Ata luajtën fragmente nga Bruhu, Mendelsoni, Mahleri, Çajkovski, Dvoraku e Rahmaninofi dhe shfaqën aftësitë e tyre të jashtëzakonshme, në nderim të orkestrës dhe festivalit.
"Për mua, debutimi më i rëndësishëm në Festivalin e Muzikës të Pekinit ishte në vitin 2012 kur isha 12 vjeç. Ne interpretuam "Përmbytjen e Noes" me Operën e Irlandës së Veriut, me regjisorin Oliver Mears dhe dirigjentin Nicholas Chalmers. Kjo ishte një nga operat e mia të para në një veprimtari shumë të madhe," tha kundërtenori Liu Shen. (Fani/Artan)