Festivali Muzikor "Luleshtrydhja", që zakonisht organizohet në prill e maj nga kompania muzikore "Modernsky" dhe përbën një nga simbolet e pranverës për brezin e ri kinez, u rikthye në Pekin më 5 tetor gjatë pushimeve të "Javës së artë" në Kinë. Festivali u shty për shkak të pandemisë së COVID-19 që goditi tërë vendin në fillim të këtij viti. Si "megafesta" e parë në kryeqytetin e Kinës pas fillimit të pandemisë, pjesëmarrësit dhe organizatorët kishin bërë të gjitha përpjekjet për këtë festival.
Megjithëse situata epidemike në Kinë është përmirësuar në mënyrë të dukshme, festivali u zhvillua nën masa të rrepta antivirus. Mbajtja e maskave gjatë gjithë shfaqjes ishte e detyrueshme, në hyrje u bë matja e temperaturës së trupit, vendi i zhvillimit të veprimtarisë u dezinfektua gjatë tërë ditës etj.
Si festivali më i madh muzikor në Kinë, "Modernsky" garantoi se talentet aty nuk do të mungonin. Festivali 3-ditor tërhoqi pjesëmarrjen e këngëtarëve dhe grupeve muzikore kineze që kanë qenë në qendër të vëmendjes vitet e fundit, si "New Pants", Jike Junyi, Vinida dhe shumë të tjerë.
Miumiu, një vajzë 6 vjeçe që e preku zemrat e përdoruesve globalë të internetit me zërin e vet engjëllor dhe aftësitë e mahnitshme instrumentale, ishte ndër artistët e ftuar sivjet.
Në këtë aktivitet muzikor shumë prindër erdhën së bashku me fëmijët e tyre, duke treguar se brezi i ri i prindërve kinezë ka metodat e veta për rritjen e fëmijëve.
CGTN pranë Grupit Mediatik të Kinës bëri një intervistë me Deng Ziye, një vajzë nga Wuhan-i, që ka provuar anën më të rëndë të epidemisë së COVID-19. Ajo tha se gjëja që kujtonte më shumë ishte dita kur Wuhan-i u mbyll, duke theksuar se"kurrë nuk e kisha menduar që diçka e tillë mund të ndodhte në jetën reale." Si një pjesëmarrëse e rregullt e festivaleve muzikore, Deng është e lumtur që erdhi në Festivalin e Muzikës "Luleshtrydhja", veprimtaria e saj e parë muzikore në vitin 2020. Ajo tha se tani çmon kthimin në jetën normale dhe ka një këndvështrim të ndryshëm për praninë në festivalet muzikore. "Diçka që e merrja si të zakonshme, është bërë papritmas kaq e çmuar," tha ajo.
Pandemia shkaktoi shumë sfida për organizimin e këtij aktiviteti. Sipas Chen Yunong-ut, koordinatori i festivalit, atyre iu desh ta shtynin disa herë datën e zhvillimit dhe ta kufizonin numrin e pjesëmarrësve në 25 000, ndërsa në vitet e kaluara shifra mund të arrinte deri në 100 000. Por me përkrahjen e plotë nga Bashkia e Pekinit, festivali u organizua me sukses dhe mund të shërbejë si model për veprimtari të ngjashme. (Xu Guang)