Arkëtimet prej filmave në Kinë kanë arritur në rreth 456 milionë yuan (67 milionë dollarë), në javën mes 14-20 shtatorit, bazuar në të dhënat e marra nga platforma “Maoyan”.
Konkurrenca mes prurjeve të reja dhe tregut vendas po nxehet ngadalë, ndërsa vendi po përgatitet të festojë Ditën Kombëtare, me një fundjavë të gjatë, që përkthehet në një pikë për rritjen e vizitorëve në kinema, shkruan “CGTN”.
Eposi i luftës kineze, “The Eight Hundred” ka arkëtuar mbi 217 milionë yuan (32 milionë dollarë) vetëm javën e kaluar, duke kryesuar kështu box office-in kinez. Filmi që e pati premierën muajin e kaluar në Kinë, ka dominuar gjithashtu edhe “box office”-in global, duke arkëtuar 425 milionë dollarë deri më 22 shtator, duke lënë pas filmin hollivudian “Bad Boys for Life”, me 424 milionë dollarë.
Filmi i “Disney”, “Mulan” dhe ai i Christopher Nolan, “Tenet”, renditen përkatësisht në vendin e dytë dhe të tretë me 87 milionë yuan dhe 65 milionë yuan.
Prurja e re, “II testimone invisibile” renditet i katërti, duke arkëtuar mbi 205 milionë yuan (30 milionë dollarë, që prej premierës më 18 shtator. Me regji të italianit Stefano Mordini, filmi është një përshtatje e thrillerit të vitit 2016, “The Invisible Guest”.