"Tenet" i Christopher Nolan-it, filmi më i pritur i vitit, do të shfaqet më së fundmi në kinematë amerikane, pasi premiera e tij u shty disa herë.
Filmi tashmë ka fituar rreth 53 milionë dollarë jashtë ShBA-së, në më shumë se 70 vende, përfshirë Japoninë, Rusinë, pjesën më të madhe të Evropës dhe Australisë.
Nolan thotë se "Tenet", një film me spiunazh, mund të jetë i vështirë për t'u kuptuar, por me siguri është një rast për zbavitje në këtë kohë:
"Filmi është menduar si një argëtim. Ai është një udhëtim emocionues, para së gjithash. Dhe unë mendoj se, siç thotë edhe Clémence Poésy, që luan në film: 'Mos u mundo ta kuptosh, thjesht ndieje'. Kjo është pak a shumë ajo që u sugjeroj atyre që vijnë për ta parë këtë film. Thjesht të ulen e ta shijojnë udhëtimin."
"Tenet" do të shfaqet sot në kinematë amerikane dhe nesër do të ketë premierën në Kinë.