Si vepra e parë e madhe që u shfaq pas rihapjes së kinemave në Kinë, filmi epik me temën e luftës “Tetëqind” ka thyer rekord për vlerën e të ardhurave nga shitja e biletave pas pandemisë.
Ai ka fituar edhe vlerësime nga dashamirësit e kinematografisë në mbarë Kinën.
Prodhimi i regjisorit Guan Hu konsiderohet si filmi i parë që ka siguruar të ardhura të larta pas pandemisë, duke fituar mbi 277 milionë dollarë amerikanë deri të dielën, vetëm dhjetë ditë pasi u shfaq zyrtarisht.
Shikuesit e kanë vlerësuar shumë këtë film. Një prej tyre shprehet:
“U trishtova kur pashë ushtarët që përballonin me mishin dhe gjakun e tyre shiun e plumbave.”
Filmi “Tetëqind" përshkruan historinë e vërtetë të ushtarëve kinezë që mbrojtën një depo kundër ushtrisë japoneze gjatë Betejës së Shangait.
Më 25 tetor të vitit 1937, Shangai ra në duart e forcave pushtuese japoneze pas tre muajsh qëndrese. Një grup ushtarësh, të njohur si “Tetëqind Heronjtë”, zhvilluan një luftë të ashpër e të pabarabartë kundër forcave pushtuese japoneze për katër ditë në depon "Si Hang" të Shangait.
Sivjet është 75-vjetori i përfundimit të Luftës së Rezistencës së Popullit Kinez kundër Agresionit Japonez.
Aktualisht, filmi “Tetëqind” ka marrë 9.2 nga 10 pikë të plota në platformën e vlerësimit të filmave “Maoyan”.
Filmi është shfaqur edhe në Amerikën e Veriut dhe Zelandën e Re. (Fang Xiaoyu)