Koncertet që mund të ndiqen pa dalë nga makina janë bërë tani një mënyrë e re argëtimi për dashamirësit e muzikës gjatë epidemisë së koronavirusit.
Australianët shijuan për herë të parë një koncert që nga brenda makinave të tyre në Sidnei. Një prej shikuesve u shpreh:
"Më ka marrë shumë malli për muzikën live, kështu që do të shkoj ta ndjek në një park makinash, nga makina ime, që të kem mundësi ta shoh muzikën live para meje. Sa mirë!"
Ndërsa dikush tjetër vuri në dukje: "Muzika është jeta ime. Më ka munguar shumë. Kisha rezervuar të gjitha koncertet dhe asgjë në horizont... Na pëlqen ideja e argëtimit në një mënyrë të tillë."
Rreth 40 makina u parkuan për koncertin, që për shumë shikues ishte shfaqja e parë e drejpërdrejtë që kanë ndjekur gjatë disa muajve të fundit. Për të siguruar distancimin fizik, shikuesit duhej të qëndronin në makinat e tyre gjatë koncertit.
Casey Donovan ishte një nga këngëtarët që interpretoi në këtë koncert falas.
"Shikoni koncertin live dhe (e kuptoni se) e gjithë muzika i bashkon njerëzit. Kur jam në humor të keq dhe dua ta kaloj atë, dëgjoj këngën 'I want to break free' të 'Queen' dhe kërcej si e marrë. Por mendoj që muzika live mund të ndihmojë në shëndetin mendor," u shpreh këngëtarja australiane.
Muzikantëve anekënd botës u është dashur të ndryshojnë mënyrën e punës dhe marrëdhënien me publikun pas anulimit të shfaqjeve për shkak të shpërthimit të COVID-19.
Këngëtari i muzikës kauntri Keith Urban ditët e fundit zhvilloi një shfaqje të drejtpërdrejtë në një kinema për shikuesit nga makinat në Neshvil të ShBA-së.