"Lugina e lumtur", një park tematik argëtimi në Wuhan, u rihap të martën për herë të parë pas katër muajsh mbylljeje për shkak të shpërthimit të koronavirusit.

Vizitorët kanë shprehur kënaqësinë e tyre për rihapjen. Një prej tyre, Xiao Zihao, thotë:

"Kam qëndruar në shtëpi për kaq shumë kohë, prandaj jam shumë e emocionuar që kam dalë. Është një mënyrë për t'u qetësuar."

Tani për tani mund të vizitohen vetëm mjediset e jashtme të parkut.

Në hyrje të parkut dhe në pika të ndryshme brenda tij ka dezinfektues.

Para se të hyjnë në park, vizitorëve u matet temperatura dhe ata duhet të mbajnë maskë e të ruajnë distancimin shoqëror gjatë vizitës.