Muzeu i Luvrit në Paris u rihap të mërkurën, pas mbylljes për tre ditë.
Punonjësit që kishin ndërprerë punën nga frika e infeksionit, votuan për të rifilluar punën.
Përfaqësuesi i Sindikatës së Luvrit Christian Galani shprehet:
"Mund ta vini re që një pjesë e madhe e personelit kanë vendosur të mos e ushtrojnë më të drejtën e tyre për të hequr dorë nga puna, sepse ata e ndiejnë sot që masat e marra mund të ulin shqetësimet e tyre. Kjo nuk përjashton shqyrtimin e masave të tjera me kalimin e kohës".
Muzeu i Luvrit mori masa të reja kundër virusit, për t'i bindur punonjësit të kthehen në punë, përfshirë shpërndarjen më gjerësisht të dezinfektuesve dhe ndërrimet më të shpeshta të stafit.
Stafi do të tërhiqet nga salla ku është ekspozuar "Mona Liza".
Ndërkohë, vizitorët mund të paguajnë tarifat e hyrjes vetëm me karta bankare ose krediti.