Foto:VCG

Foto:VCG

Tani situata botërore është e ndërlikuar dhe çmimi i drithërave është në luhatje, duke u ngritur në nivel të lartë. Për të përballuar sfidat dhe rreziqet përkatëse, Kina po u kushton rëndësi nevojave të veta strategjike dhe stabilizimit të themeleve të bujqësisë, pasi një furnizim i qëndrueshëm ushqimor ka rëndësi të madhe edhe për stabilizimin e pritshmërive dhe shtimin e besimit.

Nën ndikimin e reshjeve dhe përmbytjeve në vjeshtën e vitit të kaluar, pesë provinca të Kinës Veriore - Henan, Hebei, Shandong, Shaanxi dhe Shanxi - patën vonesa në mbjelljen e grurit në dimër dhe gjendja e fidanëve nuk ishte e mirë. Për të nxitur fuqizimin e këtyre fidanëve, janë marrë një sërë masash si nga pushteti qendror, ashtu edhe ai vendor. Qeveria qendrore dha mbi 6 miliardë juanë fonde, ndërsa u ka kërkuar departamenteve të ndryshme të bëjnë përpjekje të posaçme për garantimin e prodhimit ushqimor.

Masat kanë pasur efekte pozitive dhe në këtë verë, krahinat e shumta në Kinë janë duke pasur korrje të bollshme. Sipas kalendarit bujqësor kinez, 21 maji i këtij viti ishte dita e pjekjes së grurit. Të dhënat nga Ministria e Bujqësisë e Kinës tregojnë që, deri në fund të majit, në krahinat jugperëndimore të Kinës 80 % e grurit është korrur, krahinat në rrjedhën e mesme dhe të poshtme të lumit Jance kanë filluar korrjet e drithërave dhe gruri në zonat kryesore të prodhimit të tij në Lumin e Verdhë dhe lumin Huaihe është duke u pjekur.


Foto:VCG

Foto:VCG

Edhe pse ka vështirësi, korrja e mbarë është e sigurt

Prodhimi i drithërave në Henan zë një të dhjetën e prodhimit kombëtar dhe prodhimi i grurit zë mbi një të katërtën e vendit. Prandaj prodhimi i drithërave në Henan ka rëndësi të veçantë për tërë vendin.

Fatkeqësisht, kjo provincë e Kinës Qendrore buzë Lumit të Verdhë pati përmbytje të rënda vitin e kaluar dhe pati shqetësime që kjo fatkeqësi e madhe do të ndikonte në prodhimin ushqimor në këtë provincë të rëndësishme për sa i përket prodhimit të drithërave. Një video e postuar në internet nga një fermer në Luoyang, Wang Xinli, tani është përhapur gjerësisht. Në videon e tij, Wang u bën thirrje bashkëfshatarëve të kthehen sa më parë për të korrur drithëra. “Ejani, o shokë, gruri është pjekur, kthehuni në shtëpi për një vit me korrje të bollshme!” shprehet Wang Xinli.

Gruri në këtë zonë është shumë i mirënjohur nga kinezët dhe këtë verë, pamja e kokrrave të bollshme në arat e grurit me sipërfaqe prej 85 milionë akrash të Henanit, i ka bindur njerëzit se korrja e grurit këtë vit do të jetë e mbarë.


Foto:VCG

Foto:VCG

Makineritë moderne shtojnë efektivitetin

Provinca Hubei është një krahinë me prodhim të madh ushqimor dhe njihet si “vatra e orizit dhe peshkut”. Në periudhën e verës, shumë zona në këtë provincë janë të ngarkuara, duke nxitur me të gjitha forcat punët e bujqësisë, me synim që të garantohet korrja e plotë e grurit dhe të sigurohet mbjellja në kohë e orizit. Kjo do të sigurojë korrje të mira për tërë vitin.

Për të garantuar prodhim të mbarë, janë vënë në përdorim makineri moderne bujqësore. Në arat me grurë të fshatit Zhenwu të qytetit Jingmen të provincës Hubei, po punojnë afro dhjetë autokombajna.

“Me këto makina pa drejtues, efektiviteti mund të rritet me 5%-10% krahasuar me makinat e zakonshme,” shprehet zv.drejtori i Institutit të Bujqësisë Inteligjente pranë Grupit Industrial “Lovol”, Wang Hui. Sipas tij, me këto autokombajna, nuk ka nevojë për t’u rikthyer edhe një herë në arë dhe nuk mbetet asnjë pëllëmbë pa u korrur.

Krahas drithërave, edhe sigurimi i prodhimit të mbarë të bimëve vajore është një detyrë e rëndësishme. Sivjet është viti i parë që Kina zbaton projektin e rritjes së prodhimit të sojës dhe bimëve të tjera vajore. Qeveria qendrore ka shtuar investimet në këtë drejtim, duke nxitur krahinat e ndryshme të përpiqen konkretisht për shtimin e mbjelljes së kolzës vajëse, me synim për prodhim të mbarë të vajit.

Drejtori i Zyrës së Bujqësisë të provincës Hubei, Wu Zuyun, thekson: “Tani gruri është futur në fazën e korrjes në shkallë të gjerë dhe mbi 70 % e kolzës vajëse është korrur”.

Sipas tij, tani detyra është që të garantohet mbledhja e çdo kokrre drithi dhe të bëhen përpjekje për të ulur me 0.5 % humbjet në korrjen e grurit me makinë dhe 2 % në korrjen e kolzës vajëse me makinë. Kështu, mund të shmangen përkatësisht mbi 25 milionë dhe 35 milionë kilogramë humbje.

Tani është faza e korrjeve në shkallë të gjerë në krahinat e ndryshme të Kinës. Ministria e Bujqësisë dhe e Çështjeve Rurale u shpreh që krahinat kryesore të prodhimit të drithërave duhet t’i kushtojnë vëmendje ndryshimit të motit dhe të parandalojnë ndikimet negative të tij. Objektivi është garantimi i mbledhjes së çdo kokrre drithi. Veçanërisht për zonat e prekura nga epidemia e COVID-19, duhet të organizohet korrja emergjente, të mos mbetet asnjë ngastër pa u korrur dhe të bëhen përpjekje për korrje sa më të plota. (Jiang Lei)