Në vitin e ri, fermerët do të kryejnë si gjithmonë punët e tyre, nga mbjellja te korrja e vjelja, dhe zonat rurale do të vazhdojnë të furnizojnë me ushqime konsumatorët. Në Kinë, modernizimi i bujqësisë dhe zonave rurale do të vijojë me hapa të pandërprerë dhe, sivjet, ky proces do të futet në një fazë të re. Konsumatorët interesohen më shumë për sasinë e prodhimit e cilësinë e ushqimeve, ndërsa fermerët u kushtojnë më tepër rëndësi të ardhurave të tyre dhe ndërtimit të zonave rurale.

Ky është viti i dytë i nxitjes së gjithanshme të lulëzimit të zonave rurale. Kina ka publikuar një sërë masash të reja në këtë drejtim. Krahinat e ndryshme do të përpiqen të nxisin prodhimin e ushqimeve, rritjen e përfitimeve në sektorin bujqësor, ndërtimin cilësor të zonave rurale dhe shtimin e të ardhurave për banorët e zonave rurale.

Për 1.4 miliardë njerëz, bujqësia me prodhim të qëndrueshëm është garancia e furnizimit me ushqime dhe këtu është bazuar edhe pasurimi i njerëzve.

Kohët e fundit, Kina ka synuar shtimin e mbjelljes së sojës dhe bimëve të tjera vajore, çka është një drejtim i rëndësishëm në rregullimin e strukturës bujqësore në vitin 2022. Ministri i Bujqësisë dhe Punëve Rurale i Kinës Tang Renjian u shpreh që shtimi i prodhimit të bimëve vajore do të jetë një detyrë e rëndësishme që duhet të kryhet patjetër. Këtë vit do të shtohet sipërfaqja e mbjellë me sojë në krahinat verilindore të vendit dhe do të mbështetet mbjellja e integruar e misrit dhe sojës në më shumë krahina, si në veriperëndim, jugperëndim dhe rrjedhën e poshtme të lumit Jance, duke u nxitur gradualisht zhvillimi i integruar i sojës dhe misrit, me synim që të shtohet sipërfaqja e mbjellë dhe sasia e prodhimit.

Ligji i farërave që sapo është amenduar, do të zbatohet më 1 mars 2022, teksa programi për lulëzimin e sektorit të farërave do të shpejtohet më tej. Krahas ekipit kombëtar të ekspertëve, edhe ekipet vendore të ekspertëve do të shtojnë më shumë përpjekjet në eksplorimin e llojeve të reja të farërave. P. sh., në distriktin Jizhou të qytetit Ji’an të provincës Jiangxi, janë krijuar me sukses 21 lloje të reja të asparagut.

Sipas planit, në vitet 2021 dhe 2022 do të formohen 100 milionë akra tokë e punueshme bujqësore me standard të lartë. Profesori Cheng Guoqiang nga Universiteti Renmin thotë që duhet të rritet standardi dhe cilësia, të forcohet sistemi i mbrojtjes dhe të përmirësohet ndërtimi i infrastrukturës në zonat rurale. Ndërkohë, do të shpejtohet zbatimi i programit kombëtar për mbrojtjen e tokës së zezë dhe do të zgjerohet modeli i punimit mbrojtës të tokës.

Cili është roli i bujqësisë? Një punonjës veteran ka dhënë këtë përgjigje: “Më shumë ushqime për njerëzit, më shumë para për fermerët dhe më shumë ngjyrë të gjelbër për qytetarët”. Në të kaluarën, njerëzit i kushtonin më shumë rëndësi prodhimit dhe fokusoheshin te sasia. Por bujqësia nuk luan vetëm rolin e prodhimit, por ka edhe rol të rëndësishëm në përmirësimin e jetesës dhe mbrojtjen ekologjike. Vlera e zonave rurale është jo vetëm furnizimi, por edhe shtimi i të ardhurave dhe mbrojtja ekologjike.

Gjithnjë e më shumë njerëz po e kuptojnë që vetëm kur koncepti modern industrial të futet në zonat rurale dhe formohet një rrjet me zinxhirin industrial, zinxhirin e furnizimit dhe zinxhirin e vlerës, krijohet lidhja efektive mes fermerëve të thjeshtë dhe bujqësisë moderne.

Në vitin 2022, zonat rurale do të lidhen më shumë me Internetin e Gjërave dhe sektori i prodhimit bujqësor do të ketë ndryshim të ri. Bujqësia digjitale është një “model magjik” që krijon lidhje mes produkteve bujqësore dhe teknologjisë së internetit, duke tërhequr më shumë konsumatorë.

Në platformat e internetit fermerët u tregojnë konsumatorëve të mundshëm produkte cilësore dhe jeta e tyre në zonat rurale dhe procesi i prodhimit e i përpunimit paraqitet qartë para shikuesve. Me lidhjet ndërvepruese mes fermerëve të rinj dhe konsumatorëve, më shumë mallra bujqësore kanë dalë jashtë zonave rurale dhe janë promovuar në krahinat e tjera të vendit.

Drejtori i Departamentit të Informacionit pranë Ministrisë së Bujqësisë dhe Punëve Rurale të Kinës Wang Xiaobing u shpreh që këtë vit, me përhapjen e shpejtë të teknologjisë digjitale në bujqësi dhe zonat rurale, do të ketë një model të ri bujqësor, si transmetimi i drejtpërdrejtë për produktet bujqësore dhe turizmi rural.

Krahas shtimit të prodhimit dhe shfrytëzimit të teknologjisë digjitale, në vitin 2022 do të publikohet projekti për ndërtimin e zonave rurale dhe do të përhapet në mënyrë të gjithanshme ndërtimi rural. Drejtori i Administratës Shtetërore për Lulëzimin Rural të Kinës, Liu Huanxin, thotë që në vitin 2022 do të nxitet në mënyrë praktike ndërtimi i zonave rurale, menaxhimi i zonave rurale dhe zhvillimi i punëve shoqërore në këto zona, do të garantohet që të ardhurat e banorëve që largohen nga varfëria të rriten më shpejt se të ardhurat e banorëve të tjerë dhe të ardhurat e fshatarëve në zonat që kanë dalë nga varfëria të rriten më shpejt se të ardhurat e banorëve të fshatit në mbarë vendin.

Me një fjalë, në vitin 2022, puna për lulëzimin e zonave rurale do të futet në një fazë të re me një perspektivë optimiste. (Jiang Lei)