Banka e Shqipërisë ka publikuar Raportin Tremujor të Politikës Monetare ku thekson se konflikti ushtarak në Ukrainë dhe sanksionet e vendosura ndaj Rusisë, disbalancat midis ofertës dhe kërkesës pas reduktimit të masave kufizuese për kontrollin e pandemisë, si dhe problemet me zinxhirët e prodhimit e të tregtisë, janë pasqyruar në rritje të shpejta të çmimeve të ushqimeve, produkteve energjetike, kostove të transportit dhe lëndëve të para. Ky koktejl faktorësh ka sjellë rritje të shpejtë të inflacionit në gjithë globin.

Erald Themeli (Foto Banka e Shqiperise)

Erald Themeli (Foto Banka e Shqiperise)

Erald Themeli, Drejtor i Departamentit të Politikave Monetare pranë Bankës së Shqipërisë tha për mediet se presionet inflacioniste në vend janë më të forta se se parashikimet e mëparshme.

“Raporti tremujor i Politikës Monetare është skanim periodik që Banka Qendrore i bën ecurisë së aktivitetit ekonomik, zhvillimit të tregjeve financiare dhe situatës së përgjithshme të çmimeve në vend për të kuptuar dhe reagimin e nevojshëm të politikës monetare që t’i sigurojë ekonomisë shqiptare një nivel të qëndrueshëm çmimi në linjë me objektivin tonë të inflacionit prej 3%. Sikundër besoj mund të jetë e ditur për publikun e gjërë në përfundim të këtij raporti dhe mbledhjes së Këshillit Mbikqyrës që e merr në analizë atë, u njoftua dhe një rritje e normës bazë të interesit nga niveli 1.25% në nivelin 1.75% në bazë të informacionit dhe analizave të paraqitura në raportin tremujor të politikës monetare. Shkurtimisht do të thoja në mënyrë të përmbledhur që tre janë argumentet ose konkluzionet kryesore të raportit qe motivuan këtë vendimmarrje. E para është fakti që presionet e përgjithshme inflacioniste në vend duket se janë më të forta dhe me bazë më të gjërë në krahasim me vlerësimet tona fillestare”- shprehet Themeli.

Rritja e çmimeve (Foto abcnews.al)

Rritja e çmimeve (Foto abcnews.al)

Sipas ekspertit Themeli ky fakt ka dy arsye që lidhen me impaktin nga jashtë.

“Kjo ecuri ka pasur 2 arsye. E para është fakti që inflacioni në tregjet e huaja ka qenë më i lartë se vlerësimnet tona të mëparshme dhe pritjet tona por dhe të institucioneve financiare ndërkombëtare. E dyta është fakti që dhe kërkesa për mallra dhe shërbime në vend ka qenë relativisht e qëndrueshme dhe solide çka ka lehtësuar dhe përcjelljen e presioneve të huaja inflacioniste në tregun vendas. Konkluzioni i dytë është që ekonomia shqiptare ka pasur një ecuri të mirë. Rritja ekonomike e tremujorit të parë ishte pothuajse në nivelin 6%, duke qenë në kahun e sipërm të pritjeve tona. Kjo do të thotë që burimet e rritjes ekonomike janë relativisht të qëndrueshme dhe të konsoliduara nga njëra anë, por nga ana tjetër kjo i shton dhe një element tjetër formimit të inflacionit dhe rritjes së presioneve inflacioniste në vend. Konkluzioni i tretë kishte të bënte me tregjet financiare dhe është fakti që këto tregje janë relativisht të qëndrueshme përballë goditjes që ne po përballemi, por nga ana tjetër konstatohet një rritje e normave të interesit sidomos në segmentin afatmesëm dhe afatgjatë, duke sinjalizuar faktin që tregjet financiare presin dhe kanë faktorizuar pjesërisht një reagim të Bankës Qendrore.”- theksoi Themeli.

Këto konkluzione dhe analiza motivuan dhe vendimarrjen për rritjen e normës bazë të interesit nga niveli 1.25% në niveli 1.75%, duke synuar gjithmonë të krijojnë premisat e duhura për kontrollin e inflacionit dhe kthimin e tij në objektiv në një periudhë sa më të shkurtër kohore dhe me një kosto sa më të ulët për ekonominë shqiptare, bëhët e ditur nga Banka e Shqipërisë.

“Sikurse e theksova, rritja e shpejtë e inflacionit në vend ka një bazë të gjerë faktorësh, por premisa e saj është goditja që kanë pësuar tregjet financiare ndërkombëtare nga konflikti në Ukrainë, dhe nga sanksionet e vendosura. Në përgjigjë të këtij sulmi, çmimet e artikujve ushqimore, të naftës, të gazit, të produkteve energjitike, por dhe të lëndëve bazë kanë pësuar një rritje në nivelin 200-300% në tregjet ndërkombëtare, e cila është materializuar më tej në inflacion të lartë në të gjithë partnerët tanë tregtarë, por është përcjellë dhe në rritje të shpejtë të çmimeve të këtyre produkteve dhe në tregun vendas. Analizat tona sugjerojnë që rreth 75-80% e rritjes së inflacionit në 6-mujorin e fundit vjen pikërisht nga rritja e çmimeve të artikujve ushqimorë dhe çmimit të naftës, e cila më tej ka prodhuar një efekt kaskadë dhe në artikujt e tjerë të shportës së konsumit. Ky është natyrisht faktori kryesor që ka prodhuar këtë situatë në të cilën ndodhemi, por kundrejt tyre sikurse e kemi theksuar dhe më përpara, ne konstatojme që dhe konsumi, niveli i konsumit dhe i investimeve në vend, kërkesa për mallra dhe shërbime është në rritje të vazhdueshme dhe e paraqitur relativisht solide në 6-mujorin e parë, çka ka lehtësuar dhe përcjelljen e goditjes së huaj në ekonominë vendase.” –shton Themeli.

Inflacioni (Foto moneycontrol.com)

Inflacioni (Foto moneycontrol.com)

Rritja e ekonomisë parashikohet të mbetet në territor pozitiv gjatë tremujorëve në vijim, por ajo pritet të shfaqet më e ngadaltë në të ardhmen.

“Ne lidhje me pritjet për të ardhmen do të thoja që ecuria e inflacionit do të varet pikërisht nga ecuria e faktorëve që kanë ndikuar në rritjen e tij në gjyasmën e pare të vitit 2022. Shkurtimisht mund të them që ne presim që efektet e goditjes ndërkombëtare të stabilizohen në gjysmën e dytë të vitit 2022. Kjo nuk është thjesht një pritje e jona, por kjo është një pritje e tregjeve ndërkombëtare dhe më tej efekti i tyre në ekonominë shqiptare të vijë gradualisht drejt reduktimit në vitin 2023 dhe në vazhdim. Zhdukja e efekteve të kësaj goditje të ofertës në tregjet ndërkombëtare në ekonominë shqiptare do të pasqyrojë, do të mundësojë një pasqyrë më të saktë të balancës së presioneve të brendshme inflacioniste, pra të kërkesës për mallra dhe shërbime në vend e cila në gjykimin tonë aktualisht edhe për të ardhmen pritet të jetë e mjaftueshme edhe për respektimin tonë të objektivit të inflacionit në nivelin 3%. Në terma më të thjeshtë ne presim që inflacioni të kulmojë në gjysmën e dytë të vitit 2022. Nga tremujori i tretë dhe tremujori i katërt ne presim që inflacioni të stopojë rritjen dhe më tej të vijë rënia progresive gjatë tremujorëve në vazhdim për t’u kthyer në objektivin tonë prej 3% në gjysmën e parë të vitit 2024.”- thekson Drejtori i Departamentit të Politikave Monetare pranë BSH. Themeli.

Inflacioni parashikohet të qëndrojë në nivele të larta deri në fillim të vitit pasues dhe të vijë në reduktim.