Mundësitë e shumta për të studiuar dhe më pas për t’u punësuar në një vend të huaj kanë bërë që të rinj shqiptarë të lënë Shqipërinë për të emigruar në vende të ndryshme të Europës. Të shumtë janë ata studentë të cilët kërkojnë mundësi më të mira punësimi për të fituar më tepër të ardhura.

Infermierë të rinj (Foto facebook)

Infermierë të rinj (Foto facebook)

Gjermania është një nga vendet që ka punësuar një numër të madh të të rinjve shqiptarë, të cilët tashmë kanë arritur të ndërtojnë jetën e tyre atje. Një prej tyre është Marjana Ahmati, e cila për Grupin Mediatik të Kinës rrëfen eksperincën e saj të punësimit si infermiere në Gjermani.

"Jetesa në Gjermani është e bukur, por dhe e vështirë për një të huaj kur vjen në fillim. Çdo i huaj gjen mbështetje dhe në momentin kur punëdhënësi të jep kontratën e di shumë mirë se për çfarë ke ti nevojë. Unë kam gjetur një mbështetje të madhe dhe jam falenderuese për të gjithë stafin që më ka dhënë ndihmesë të madhe. Disa nga vështirësitë janë njohuritë që ti duhet të kesh, të shkosh në vendet e caktuara për të përmbushur detyrimet e tua, ndërsa nëse nuk e di gjuhën do të jepet mundësia që të flasësh dhe një gjuhë tjetër si anglishtja. Jam në profesion infermiere dhe aktualisht punoj në një qendër shëndetësore. Kjo është ajo që kam dëshiruar gjithmonë. Kam rreth një vit e gjysmë që jetoj dhe punoj në Gjermani dhe ndihem shumë e plotësuar profesionalisht", shprehet Marjana.

Vitet e fundit është rritur interesi për mësimin e gjuhës gjermane nga studentët, të cilët pas studimeve vendosin t’i drejtohen agjensive të punësimit në Shqipëri. Të ardhurat financiare janë shtysa kryesore e tyre për t’u larguar, ndërsa Marjana shprehet se zgjedhja e saj konsiston në mundësinë për të sfiduar veten në këtë profesion.

Marjana Ahmati (Foto personale)

Marjana Ahmati (Foto personale)

"Vendosa të largohem nga Shqipëria për t’i dhënë vetes një mundësi tjetër në profesion, për një jetesë dhe kulturë të re. Kohët e fundit përpara se të largohesha hasa vështirësi në punësimin tim si infermiere dhe kjo ishte një tjetër arsye që më shtyu të largohesha drejt Gjermanisë", thotë ajo.

Largimi dhe jetesa në një vend të huaj sjell përfitime të shumta, por njëkohësisht dhe vështirësi. Marjana shprehet se kjo ka qenë një nga zgjedhjet e saj më të mira, pasi ka arritur shumë në profesionin që ushtron.

"Anët pozitive janë të shumta, të paktën flas nga eksperienca ime. Ti fillon të menaxhosh të ardhurat dhe shpenzimet. Kjo gjë vjen nga jetesa vetëm, ndërsa një anë tjetër është edhe kontakti me njerëz të ndryshëm nga e gjithë bota, ku prej secilit mund të marrësh diçka. Përveç mungesës së familjes time më duhet të them se për çdo gjë tjetër ndjehem falenderuese", tregon Marjana.

Infermierët në Gjermani (Foto facebook)

Infermierët në Gjermani (Foto facebook)

Një pjesë e madhe e të rinjve shqiptarë bëjnë zgjedhje të tilla për shkak edhe të të ardhurave. Të shumtë janë ata të cilët shprehen të kënaqur për pagesat që ofron punësimi në Gjermani.

"Të ardhurat janë të mjaftueshme dhe jam shumë e kënaqur, sepse kam arritur të përmbush disa qëllime të miat dhe për këtë ndjehem shumë mirë", shprehet infermierja Marjana.

Fundi i vitit 2019 ka shënuar kulmin e largimit të infermierëve shqiptarë jashtë vendit. Sipas Shoqatës së Infermierëve të Shqipërisë, në 5 vitet e fundit nga vendi janë larguar më shumë se 8500 infermierë. Pandemia Covid 19 nuk e ka penguar largimin e infermierëve kryesisht drejt Gjermanisë.

Të ardhurat dhe punësimi(Foto monitor.al)

Të ardhurat dhe punësimi(Foto monitor.al)

Gjermania mbetet “destinacioni” kryesor i mjekëve dhe infermierëve nga Shqipëria, pasi njohja e diplomës dhe specializimeve është lehtësisht e mundur. Ndërsa për shumë prej tyre sigurohet një jetë më e mirë, në sistemin shë[ndetësor në Shqipëri prej vitesh ka mangësi të mëdha të stafit mjekësor, përfshirë mjekët dhe infermierët.