Kryeministri Edi Rama njoftoi edhe përmes rrjeteve sociale se pas thuajse tre vjet rrugëtimi me shumë hapa, duke kaluar përmes diskutimesh, studimesh, analizash, debatesh, bisedimesh teknike e negociatash jo të lehta, është nënshkruar Memorandumi i Bashkëpunimit, për realizimin e projektit “Durrës Yachts & Marina”, për ndërtimin e portit më të madh turistik të Mesdheut në Durrës, midis “Eagle Hills Real Estate Development” shpk, përfaqësuar nga investitori e zhvilluesi me famë botërore Muhammed El Alabbar dhe “Albanian Seaports Development Company”.

Projekti i Portit të Durrësit (Foto ATSH)

Projekti i Portit të Durrësit (Foto ATSH)

Zv. Kryeminstrja Balluku bëri me dije se investimi për ndërtimin e këtij porti është 2 miliard dollarë ndërsa kryeministri Edi Rama tha se janë mbyllur negociatat me Muhammed El Alabbar për fillimin e investimit në Portin Turistik të Durrësit

“Sot paradite ishim në Ankara me presidentin Erdogan. Patëm një takim shumë vëllazëror si gjithmonë dhe ai dëshironte që të më mbante pak më shumë, por unë i thash kam një arsye shumë të fortë që të kthehem po sot në Shqipëri menjëherë, sepse finalizojmë një punë intensive negociatash, diskutimesh, vajtje-ardhjesh nganjëherë edhe krisjesh në proces me Muhamed Alabarin dhe më në fund jemi gati të nënshkruajmë protokollin e bashkëpunimit, që i hap rrugë ligjit të veçantë për fillimin e investimit për portin më të madh turistik të Mesdheut. Presidenti për Muhamed Alabarin tha je i lirë të shkosh” deklaroi kryeministri Rama.

Nënshkrimi i Memorandumit (Foto Keshilli i ministrave)

Nënshkrimi i Memorandumit (Foto Keshilli i ministrave)

Sipas kreut të ekzekutivit Rama, ky investim do të sjellë një zhvillim ekonomik e turistik jo vetëm për zonën e Durrësit, por për të gjithë vendin. Ai përmendi edhe projekte të tjera të lidhura me sipërmarrësin e njohur.

“Po diskutonim pak përpara këtu se e sata kontratë ishte kjo e nje investimi me përmasa të konsiderueshme që miku ynë i shtrenjtë Muhamed nënshkruan. Në fakt pyetjen e bëra unë, pasi ishte ende i nxehtë nga diskutimi i zjarrtë i fundit me ekipin negociator dhe tha nuk i mbaj mend. I thashë atëherë për çfarë ankohesh për skuadrën tonë që nënshkruan për herë të parë një kontratë të këtyre përmasave. Pra, bëhet fjalë për një investitor me reputacion global të padiskutueshëm dhe bëhet fjalë për një vullnet që buron nga një miqësi e posaçme mes princit Muhamed Binzaed dhe Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe një histori vëllazërie që ka një gur themeli jashtëzakonisht të rëndësishëm për historinë shqiptare. Muhamed Binzaed rikthehet me një tjetër shprehje të jashtëzakonshme të vullnetit të mire, duke sjellë këtu pikërisht Muhamed Alabarin me mbështetjen e tij për një investim që do t’i kalojë 2 miliardë dollarë. Siç e tha ministrja, mbase është investimi më i madh në të gjithë rajonin, jo në Shqipëri dhe është një investim i cili vjen si rrjedhojë e një serie hapash”- theksoi Rama.

Sipas kryeministrit, investimi në portin e Durrësit pritet t’i japë një imazh të ri turizmit në vend.

“Do të ishte e paimagjinueshme për hir së të vërtetës, jo 50 vjet përpara por dhe 5 vjet përpara, që të kishim një investim të tillë në turizëm në një vend që filloi të zhvillohet si një vend me një vizion për të qenë një vend turistik konkurues, vetëm kur ne filluam të ushtrojmë detyrën. Kjo është e vërteta. Deri përpara kësaj në kishim një situatë që fatmirësisht shumëkush sot e ka harruar. Shumëkush sot e ka harruar që ne nuk kishim turizëm, ne kishim një turizëm të brendshëm dhe një industri inekzistente turistike që mbahej në këmbë vetëm dhe ekskluzivisht nga motrat dhe vëllerëzit tanë në Kosovë. Jo më larg sesa sot i kam këtu. Unë kam marrë shifrat e këtij viti që flasin më qartë sesa çdo fjalim për vizitorët e huaj, duke përjashtuar vizitorët nga Kosova, të cilët tanimë hyjnë të paregjistruar për shkak se kemi hapur kufirin që nga 1 qershori dhe hyrja nga Kosova është si hyrje nga Shkodra për në Vlorë, njësoj. Pra, në qershor kemi patur 604 mijë turistë përfshirë dhe turistët nga Kosova. Sot kemi 876 mijë turistë të huaj, pashaporta të huaja as të Shqipërisë, as të Kosovës”, theksoi kryeministri.

Muhammed El Alabbar dhe projekti i Portit ( Foto 27.al)

Muhammed El Alabbar dhe projekti i Portit ( Foto 27.al)

Investitori e zhvilluesi me famë botërore Muhammed El Alabbar foli për nënshkrimin e Memorandumit për ndërtimin e portit turistik të Durrësit, duke premtuar se do të krijojnë diçka madhështore, nga e cila do të mahniten njerëzit e nuk do të duan të largohen. Për këtë theksoi se do të marrin mendjet më të mira dhe garantoi se investimi do jetë me përmasa gjigante.

“Kemi pasur shumë pika për të cilat kemi diskutuar, por do ta quaja një kohë mjaft të vështirë, por sërish pse duhet të flasim për vështirësitë dhe sa e vështirë ishte. Mendoj se ekipi i qeverisë ka përgjegjësinë, detyrën për të bërë më të mirën për qeverinë dhe mendoj se ka bërë punë të mirë. Jemi këtu, dua të falenderoj këdo që është përfshirë drejtpërdrejt ose tërthorazi. Ne do të krijojmë diçka që njerëzit kur të vijnë, do të duan të mos largohen kurrë. Këtë jua premtoj. Do të marrim mendjet më të mira që të krijojmë një jetë të bukur. Mendoj që motori ekonomik shqiptar ia vlen. Shifrat janë shumë të larta të turizmit. Për mua personalisht është kaq privilegj që unë të marr pjesë e të vë në punë pasionin dhe dashurinë time për krijimin e kësaj jete në Shqipëri dhe Durrës. Ju premtoj se nuk do ju zhgënjej kurrë, por kur të bëj gabim do ju kërkoj falje”, tha Muhammed El Alabbar.

Ai theksoi se Durrësi dhe i gjithë bregdeti shqiptar është i mrekullueshëm dhe mundësitë për investime janë të mëdha.

“Do doja të thoja që koha do të tregojë se interesi ynë është krijimi i një jete të re, krijimin e besimit në një qytet, natyrisht rritja e punësimit, ekonomisë. Do të jetë shumë më tepër se ajo që mendojmë. Unë këtë gjë e kam bërë prej 30 vitesh, por ajo që bëja 5 vjet më parë krahasuar me këtë që bëj tani është e pakrahasueshme, pasi tani njerëzit tanë duan më shumë argëtim. Sot nuk lidhet gjithçka me teknologjinë, por lidhet me faktin se çfarë jete do të krijojmë.”, u shpreh Alabbar.

Projekti i ri do të transformojë Durrësin në një port model, me potenciale dhe kapacitete në Ballkanin Perëndimor. Në projekt përfshihet edhe ndërtimi i Portit të Thatë që do sjellë ndërtimin e hekurudhës që lidh Durrësin me Prishtinën, i cili është parashikuar të ketë një terminal, ku do përpunohen 100 mijë kontejnerë deri në vitin 2050.