Lidhur me zbatueshmërinë e të drejtave në punë në sektorin Hoteleri-Turizëm ka një studim të kryer gjatë sezonit të kaluar, që tregon respektimin ose jo të të drejtave dhe kushtet në të cilat punojnë të rinjtë në këtë sektor. Në këtë anketim u vërejt se ekziston një mungesë e theksuar nga të anketuarit e informimit për të drejtat e tyre në punë dhe e kërkimit për mbrojtjen e këtyre të drejtave për të bërë të mundur plotësimin e tyre. Kuptimi i tyre është thelbësor për menaxhimin efikas të asetit më të vlefshëm në këtë industri, që janë punonjësit.

Anxhela Xhaka (Foto personale)

Anxhela Xhaka (Foto personale)

Anxhela Xhaka, një nga organizatoret e këtij studimi jep më shumë detaje.

“Studimi në fakt është realizuar në kuadër të një projekti të mundësuar dhe zbatuar nga organizata në bashkëpunim me organizatën CLR. Në fakt ka patur një indicie shumë interesante. Ka qenë një statistikë që na ka bërë të kujtojmë që është e nevojshme që në këtë sektor të bëhet një studim i dedikuar sidomos për të rinjtë . Ka qenë një statistikë e INSTAT, sipas të cilës në vitin 2019 rreth 90% e punës sezonale në sektorin e hoteleri-turizmit ishte punë e padeklaruar. Pra, të rinjtë punojnë në mënyrë informale dhe pa kontratë dhe patjetër një punë informale në fund ta saj nuk mund të paraqesë kushte për një punësim të denjë. Kështu që morëm indicien që të krijonim një anketë në bazë të të cilës përgjatë projektit do të kishim mundësi të zhvillonim dhe aktivitete të tjera, ku të takoheshim me të rinjtë për të zhvilluar takime sensibilizuese me ta si dhe në të njëjtën kohë edhe me institucione për t’u dhënë sugjerimet që ne kemi në bazë të gjetjeve që ka patur.”- shprehet Anxhela Xhaka për mediat.

Kamarier (Foto njoftime.al)

Kamarier (Foto njoftime.al)

Anketa nxjerr në pah se në vitin 2021, rreth 10.4% e të rinjve punojnë pa kontratë pune. Ndër përgjigjet e dhëna, 87.7% e të rinjve deklarojnë se janë duke punuar në bazë të një kontrate pune të firmosur me punëdhënësin. Nga këta, që punojnë në aktivitetin e bar – restoranteve dhe aktivitetin e barkafe, janë respektivisht 21% dhe 47.1%. Kjo situatë, tregon se të drejtat e punonjësve janë ende të pa adresuara drejt një zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjatë.

“Në fakt ndodhin dinamika të veçanta duke marrë parasysh sektorin që flasim për një mungesë qëndrueshmërie në punësimin e të rinjve. Duke qenë se është një sektor i cili ka një boom sezonal të punës, pavarësisht se vendi ynë po përpiqet vazhdimisht të investojë që turizmi të jetë më i qëndrueshëm si fuqi ekonomike pra sigurim të ardhurash për ekonominë e vendit, të rinjtë gjenden jo aq stabël sa do të dëshironim ne të ishin. Për këtë arsye hasim dinamika të ndryshme lidhur me nënshkrimin e kontratave dhe nivelin e informalitetit. Kemi vënë re që ka një përmirësim, pra nga ana formale, nga ana e anketimit rezulton që 87.7% e të rinjve punojnë në mënyrë formale të deklaruar. Pra, në vetvete ka një kontratë në të cilën ata punësohen dhe njohin kushtet e tyre të punës.”- shprehet Anxhela Xhaka.

Kamarier i ri (Foto panorama) (1)

Kamarier i ri (Foto panorama) (1)

Është evident fakti se vetëm 42.3% të të anketuarve u paguhen nga punëdhënësit sigurime shoqërore dhe shëndetësore mbi pagën reale që marrin. Ndërkohë, që sigurimet shoqërore dhe shëndetësore paguhen për vetëm 76.4% të të anketuarve, gjë që sinjalizon mundësinë për përmirësime të mëdha në drejtim të formalizimit të pagës reale dhe pagesës së kontributeve sociale.

“Megjithatë ndodh në Shqipëri, përpos faktit që kemi sensibilizim nga ana e punëdhënësve lidhur me firmosjen e kontratës. Pra, respektimi i kontratës përbën një sfidë në vetvete. Kjo vjen për shumë elementë. Disa elementë janë mungesa e informacionit që kanë të rinjtë dhe elementë të tjerë lidhen me përfitimin që kanë vetë punëdhënësit gjatë periudhës sezonale. Një gjë e tillë vihet re kryesisht nga rasti i respektimit të të drejtës për të bërë pushime të paguara vjetore. Nëse i referohemi statistikave që ka nxjerrë ky anketim do të vërejmë që vetëm 9.3% deklarojnë që realizojnë pushime sipas kodit të punës në mënyrë të paguar. Element i rëndësishëm pastaj është edhe çeshtja e siguracioneve ku nga 87.7%, pra nga rreth 90% e të rinjve të cilët në vetvete deklarojnë që punojnë në mënyrë të deklaruar pra në institucionet përkatëse, kur vjen çeshtja te sigurimet shoqërore kemi sërish një rënie të shifrës që na dikton që paguhen sigurimet shoqërore për të rinjtë, që shkon rreth 70% që janë me siguracione të paguara. Kjo në vetvete lidhet me shumë problematika, fakti që të rinjtë nuk e kuptojnë sa e nevojshme është në fakt që të paguajnë siguracionet e tyre shoqërore dhepretendojnë të bëjnë një lloj kompromisi që pagën ta marrin në dorë në vend që të kenë pagimin e siguracioneve. Nga ana tjetër lidhet edhe me dinamikën midis pagimit të siguracioneve mbi pagë minimale”- thotë Xhaka.

Kamarier i ri (Foto panorama) (2)

Kamarier i ri (Foto panorama) (2)

Ambienti dhe kushtet e punësimit të të rinjve në të gjitha aktivitetet janë vlerësuar si shumë të mira nga 36.7% e punonjësve në 2021, si dhe kushte të mira nga 40.2% e të rinjve. Ndërsa, 15.6% e të anketuarve përgjigjen se punojnë në kushte të kënaqshme, për të arritur te përgjigjet për kushte jo të mira apo dhe më tej në kushte të këqia nga 4.5% dhe 2% e përgjigjeve të të anketuarve

“Fatkeqësisht kur vjen çeshtja te kushtet e lidhura me pagat, të rinjtë nuk janë aspak të kënaqur. Ata relativisht mund të shprehen që janë të kënaqur nga ana e kushteve fizike në të cilat ndodhen, pra përpos faktit që ka një mbingarkesë në oraret shtesë gjatë punës sezonale nuk ankohen për çështje që lidhen më shëndetit apo shfrytëzimin e tyre nga punëdhënësi, por në raport me pagën patjetër që janë tërësisht të pakënaqur sidomos të rinjtë të cilët gjejnë shpeshherë paragjykime të tipit mungesa e eksperiencës që i bën ata të shfrytëzohen më shumë”, tha ajo.

Në studim thuhet se është e pamohueshme që paga, përfitimet dhe siguria e punës të gjitha formojnë shkallën në të cilën punonjësit janë të kënaqur dhe nuk dëshirojnë të ndëryshojnë vendin e punës në rast të përmbushjes së tyre sipas kontratës së punës. Megjithatë, vlen të përmendet se shkalla e rëndësisë së tyre luhatet si rezultat i faktorëve të jashtëm, si ndryshimi i kushteve ekonomike në familje, konkurenca e pandershme dhe pagesat informale, si dhe rritja e presionit për formalizim që mundet të diktojë rëndimin e kostove në aktivitetet aktuale ku janë të punësuar të rinjtë.

Studimi mbi “Zbatueshmërinë e të drejtave në punë në sektorin e Hoteleri – Turizëm” është bazuar në anketimin e rreth 600 të rinjve në mënyrë të rastësishme nga popullatat e të rinjve që janë të punësuar në bizneset e sektorit Hoteleri-Turizëm në Bashkitë Tiranë e Durrës