Foto:VCG

Foto:VCG

Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2022, GDP-ja e Kinës shënoi rritje me 2.5 % dhe ekonomia kineze në përgjithësi ka treguar një prirje mëkëmbjeje. Në këtë periudhë, sektorët si bujqësia, pylltaria, blegtoria dhe peshkimi u rritën me 5.1 %, duke kontribuuar për 0.3 pikë përqindjeje të rritjes ekonomike. Ndërkohë, pas goditjeve të përkohshme nga epidemia, sektori industrial ka pasur mëkëmbje të dukshme. Organet e qeverisjes në nivele të ndryshme morën masa aktive përballuese, duke pasur efekte të dukshme në stabilizimin e ekonomisë. Në muajin qershor, zinxhirët e prodhimit dhe të furnizimit janë mëkëmbur dhe eksporti i produkteve industriale pati rritje mbi 10 %.


Foto:VCG

Foto:VCG

Sektori parësor, rritje më stabilizuese në GDP

Në gjashtë muajt e parë, GDP-ja e Kinës arriti mbi 56.26 trilionë juanë. Vlera e shtuar e sektorit parësor ishte mbi 2.91 trilionë juanë, e sektorit dytësor më shumë se 22.86 trilionë juanë dhe e sektorit tretësor 30.48 trilionë juanë, përkatësisht 5 %, 3.2% e 1.8 % më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ndër tre sektorët kryesorë, ai parësor, i përbërë nga bujqësia, pylltaria, blegtoria dhe peshkimi, ka dhënë kontributin më të lartë në rritjen e GDP-së. Niveli i prodhimit të drithërave verore është rritur me 1.435 miliardë kilogramë, ose 1 % më shumë se vitin e kaluar. Ndër to, prodhimi i grurit është rritur me 1.285 miliardë kilogramë, 1% më shumë se një vit më parë.

Prodhimi i mishit në mbarë vendin shënoi rritje me 2.28 milionë tonë, 5.3% më shumë se një vit më parë. Prodhimi i mishit të derrit u shtua me 2.24 milionë tonë, 8.2% më shumë se në të njëjtën periudhë të vjetshme, ndërsa i mishit të viçit është rritur me 3.8 %. Ndërkohë, prodhimi i qumështit u rrit me 8.4 % krahasuar me vitin 2021. Me shtimin aktiv të prodhimit nga fermerët, prodhimi i vezëve të shpendëve në gjashtë muajt e parë, arriti në 16.11 milionë tonë, 3.5 % më shumë se në 6-mujorin e parë të 2021-shit.


Foto:VCG

Foto:VCG

Industria, “tabani” për ekonominë kombëtare

Edhe sektori industrial ka dhënë kontribut të ndjeshëm në rritjen e GDP-së. Në tremujorin e 2-të, për shkak të pandemisë, industria pësoi goditje, por me masat stabilizuese dhe stimuluese nga organet e qeverisjes në nivele të ndryshme, zinxhiri i prodhimit dhe i furnizimit ka pasur përtëritje të dukshme dhe eksporti i produkteve industriale ka shënuar rritje me mbi 10 %, duke luajtur rolin e tabanit për GDP-në e vendit.

Në gjashtë muajt e parë, sektori industrial u rrit me 3.4%. Masat për garantimin e furnizimit dhe stabilizimin e çmimeve kanë pasur efekte të dukshme. Si rezultat, industria minerare u rrit me 9.5 % e sektori i prodhimit me 2.8 %, kurse prodhimi e furnizimi i energjisë elektrike, energjisë termike, gazit natyror dhe energjisë ujore shënoi rritje me 3.9%. 33 ndër 41 industritë kryesore shënuan rritje, 9 prej të cilave mbi 10 %.

Nën ndikimin e papritur të shpërthimeve epidemike, në muajin prill, rritja industriale në mbarë vendin pati rënie me 2.9 % dhe prodhimi industrial në tremujorin e 2-të arriti një pikë të ulët periodike. Por me përmirësimin e kontrollit të epidemisë dhe zbatimin e politikave për stabilizimin ekonomik, sektori industrial në mënyrë graduale u mëkëmb dhe në maj e qershor arriti përkatësisht rritje me 0.7 % dhe 3.9%, çka tregon një elasticitet të fortë.

Në tremujorin e 2-të, sektori i prodhimit me teknologji të lartë shënoi rritje me 5.7% dhe nënsektorët, si bateritë e litiumit, pjesët elektronike dhe qarqet e integruara, u rritën mbi 20 %. Ndërkohë, zinxhirët e prodhimit dhe të furnizimit patën përmirësim të shpejtë. Në tremujorin e 2-të, sektori i prodhimit të pajisjeve u rrit me 1%, ndërsa në maj e qershor rritja në këtë sektor ishte 9.2% dhe 8.1% krahasuar me një muaj më parë. Sektori i makinave ka pasur mëkëmbje jashtëzakonisht të dukshme me rifillimin e prodhimit dhe furnizimit.

Me nxitjen e masave stabilizuese, eksporti i produkteve industriale arriti mëkëmbje të shpejtë. Në maj e qershor, vlera e produkteve të eksportuara nga ndërmarrjet e mëdha industriale shënoi rritje përkatësisht me 11.1% dhe 15.1%, 13 dhe 4 pikë përqindjeje më shumë se një muaj më parë. (Jiang Lei)