Pavarësisht sfidave të paraqitura nga ringjallja e Covid-19, kompania kineze e teknologjisë “Alibaba Group Holding Ltd” dha rezultate financiare më të mira se sa pritej në periudhën prill-qershor 2022, duke bërë të ditur se është e vendosur të investojë vazhdimisht në teknologji, shërbimin ndaj klientit dhe operacionet logjistike për të pasur qëndrueshmëri dhe rritje afatgjatë.

Foto:VCG

Foto:VCG

Të ardhurat totale të kompanisë ishin 205.56 miliardë juanë (30.4 miliardë dollarë) për tremujorin që përfundoi më 30 qershor, 1 për qind më pak në bazë vjetore krahasuar me 205.74 miliardë juanë një vit më parë, duke mposhtur pritshmëritë e analistëve. Të ardhurat neto të rregulluara ranë 30 për qind në bazë vjetore në 30.25 miliardë juanë.

“Gjatë tremujorit të kaluar, ne u përshtatëm në mënyrë aktive me ndryshimet në mjedisin makro dhe mbetëm të fokusuar në strategjinë tonë afatgjatë duke vazhduar të forcojmë aftësitë tona për të vlerësuar klientelën”, -deklaroi Daniel Zhang (Daniel Çan), kryetar dhe CEO-ja i “Alibaba Group”.

Pas një prilli dhe maji relativisht të ngadaltë, kompania pa shenja rimëkëmbjeje në qershor, së bashku me rifillimin e zinxhirëve të furnizimit, logjistikës dhe kapaciteteve të ofrimit, dhe regjistroi rritje pozitive gjatë eventit të blerjeve në internet të 18 qershorit, tha Zhang, duke shtuar se tendenca e rimëkëmbjes së konsumit ka vijuar edhe në korrik.

“Ajo që kemi parë në tregun e shitjes me pakicë të Kinës është një ndjenjë e përgjithshme e fortë dhe pozitive nga tregtarët për të përfituar plotësisht nga tregjet tona dhe mjetet digjitale të disponueshme për të nxitur rritjen e biznesit të tyre, veçanërisht gjatë periudhave të vështira”, -vuri në dukje Zhang, duke theksuar se kompania është e sigurt në mundësitë e saj të rritjes në afat të gjatë, duke pasur parasysh bazën e saj të konsumatorit me cilësi të lartë dhe elasticitetin e modelit të saj të larmishëm të biznesit.

Toby Xu,(Tobi Shy) zyrtari kryesor financiar i “Alibaba”, tha se kompania do të vazhdojë të fokusohet në optimizimin dhe kontrollin e kostos në tremujorët e ardhshëm. Xu tha se “Alibaba” po përpiqet të gjejë një ekuilibër midis kontrollit të kostove dhe vazhdimit të kryerjes së investime të rëndësishme në teknologji dhe fusha të tjera thelbësore, për të ndërtuar kapacitetet e saj për rritje afatgjatë.

Gjatë tremujorit të dytë të vitit, vëllimi bruto i mallrave, një masë e transaksioneve të mallrave, nga biznesi kryesor i tregtisë elektronike të “Alibaba”, i cili i referohet platformave të tij “Taobao” dhe “Tmall”, pësoi një rënie mesatare njëshifrore në bazë vjetore, kryesisht për shkak të ringjalljes së Covid-19, që rezultoi në ndërprerje të zinxhirit të furnizimit dhe logjistikës në prill dhe pjesën më të madhe të majit.

Pan Helin, bashkëdrejtor i Qendrës Kërkimore të Ekonomisë Digjitale dhe Inovacionit Financiar në Shkollën Ndërkombëtare të Biznesit të Universitetit Zhejiang (Xhëçian), tha se “Alibaba” duhet të diversifikojë më tej planin e vet të biznesit, duke ofruar shërbime të diferencuara që synojnë grupe të ndryshme ekzistuese të konsumatorëve dhe të përdorë teknologjitë e fundit digjitale për të forcuar transformimin digjital të industrive tradicionale mes konkurrencës në rritje nga rivalët vendas.

Të ardhurat nga “cloud computing”, shtytësi kryesor i rritjes së saj përveç “e-commerce”, u rritën 10 për qind në 17.69 miliardë juanë, duke reflektuar një rimëkëmbje në industritë e përgjithshme jo-internet të nxitura nga shërbimet financiare, shërbimet publike dhe industritë e telekomunikacionit.

“Ndër vite, “Alibaba” ka treguar elasticitet të fortë ndaj sfidës dhe presionit në shfrytëzimin e teknologjive themelore të internetit për të përmirësuar skenarët e tij të biznesit”, -tha Chen Duan (Çen Duan), drejtor i Qendrës së Zhvillimit të Inovacionit për Integrimin e Ekonomisë Digjitale në Universitetin Qendror të Financës dhe Ekonomisë. Sipas tij, biznesi “cloud” i kompanisë pritet të jetë një motor kyç i rritjes, përveç njësisë së saj kryesore të tregtisë elektronike.

Duke vënë në dukje se “cloud computing” është aplikuar gjithnjë e më shumë në segmentin e tregtisë elektronike për të ndihmuar ndërmarrjet të rrisin efikasitetin operacional, Chen tha se duhen bërë më shumë përpjekje për të shfrytëzuar plotësisht avantazhet e “Alibaba Cloud” në teknologji dhe produkte për të fuqizuar digjitalizimin e më shumë ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme dhe për të nxitur përmirësimin industrial.