Ekspertët thonë se nevojiten më shumë përpjekje për të forcuar klasifikimin e të dhënave dhe për të krijuar një sistem mbrojtjeje të sigurisë së informacionit digjital, pasi të dhënat tani shihen gjerësisht si elementi i pestë më i rëndësishëm në një ekonomi, pas tokës, punës, kapitalit dhe teknologjisë.

Foto:VCG

Foto:VCG

Komentet erdhën pasi madhësia e tregut të industrisë së sigurisë kibernetike të Kinës tejkaloi 200 miliardë juanë (29.56 miliardë dollarë) vitin e kaluar dhe një raport i ri tregoi se ndërmarrjet e vogla dhe të mesme po përballen me rreziqe në rritje të sigurisë së të dhënave në mes të transformimit të përshpejtuar digjital.

Sui Jing, kreu i administratës së sigurisë kibernetike në Ministrinë e Industrisë dhe Teknologjisë së Informacionit, tha se do të bëhen më shumë përpjekje për të forcuar dizajnin e nivelit të lartë të sigurisë së të dhënave dhe për të përmirësuar politikat mbështetëse dhe standardet e sistemeve.

"Ne do të përshpejtojmë hartimin e rregullave themelore, si klasifikimi i të dhënave, dhe do t'i mbrojmë ato në përputhje me rrethanat, si dhe do të përmirësojmë mbikëqyrjen e flukseve ndërkufitare të të dhënave”,- tha Sui në një diskutim për sigurinë kibernetike gjatë Konferencës Globale të Ekonomisë Digjitale 2022 në Pekin.

Wu Hequan, akademik në Akademinë Kineze të Inxhinierisë, tha se ndërsa teknologjitë digjitale ndërthuren gjithnjë e më shumë me shoqërinë dhe ekonominë, ekziston një nevojë urgjente për të promovuar një raund të ri transformimi dhe përmirësimi të industrisë së sigurisë digjitale.

"Siguria digjitale nuk është më një çështje thjesht teknike, por një projekt sistematik që përfshin bizneset, menaxhimin e korporatave, proceset, ekipet dhe aspekte të tjera",- tha Wu në Konferencën e 10-të të Sigurisë në Internet.

Pikëpamjeve të tij u bëri jehonë Zhou Hongyi, themelues dhe kryetar i kompanisë së sigurisë kibernetike “360 Security Group”. "Kompanitë e sigurisë së të dhënave duhet të kalojnë nga të qenit në qendër të produktit në atë të shërbimit",- tha Zhou.

Zhou tha se është me rëndësi të madhe ndërtimi i sistemeve të sigurisë, që mund t'i ndihmojnë klientët "të shohin" rreziqet e sigurisë së të dhënave dhe të fokusohen në ofrimin e shërbimeve për ta.

Ndërsa transformimi digjital përshpejtohet, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM) kineze po përballen me rreziqe në rritje për sigurinë e të dhënave, sipas një raporti të lëshuar bashkërisht nga “360 Dipper Research”, grupi i ekspertëve të kompanisë dhe organizatat përfshirë Shoqatën Kineze të Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme.

Më shumë se 85 për qind e ndërmarrjeve të vogla, të mesme dhe mikro të anketuara për raportin thanë se kanë hasur probleme të sigurisë digjitale dhe kanë pësuar më shumë sulme kibernetike se më parë. Dhe rreth 77 për qind e tyre thanë se ato vetë nuk mund të përballen në mënyrë efektive me rreziqet e sigurisë digjitale.