Kryeministri Edi Rama ka deklaruar në qershor se Shqipëria do të heqë tarifat doganore për mallrat që vijnë nga Kosova. “Ne jemi në një fazë të avancuar për të hequr plotësisht të gjitha tarifat doganore për të gjitha mallrat që vijnë nga Kosova në drejtim të Shqipërisë. Janë barriera të panevojshme.

eksporte (Foto kosovapress)

eksporte (Foto kosovapress)

Impakti i tyre financiar është më pak i rëndësishëm për ne si shtet, se sa lehtësia që duhet t’i krijojmë të gjithë atyre që eksportojnë drejt Shqipërisë”, tha kreu i qeverisë. Rama theksoi se diçka të tillë, Shqipëria e ka bërë në nismën rajonale Ballkani i Hapur dhe do ishte e pakuptimtë që të kishte tarifa për Kosovën. Ai shpresoi se edhe Kosova do e bënte diçka të tillë.

“Shpresojmë që edhe qeveria e Kosovës ta bëjë reciprokisht, ka kërkuar kohë për ta studiuar. Ta studiojnë, por në të gjitha rastet ne do e bëjmë në mënyrë të njëanshme. Të gjitha mallrat nga Kosova do të vijnë në Shqipëri pa asnjë tarifë doganore”, u shpreh Rama.

Por si e vlerësojnë këtë propozim grupet e interesit?

Arben Shkodra(Foto Start up live )

Arben Shkodra(Foto Start up live )

Arben Shkodra, Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së Prodhuesve Shqiptarë, thotë për revistën “Monitor” se vendime të tilla duhen marrë bazuar në analiza të qarta të efekteve dhe gjithmonë mbi baza reciprociteti. Nësë nuk jemi me kushte të barabarta, sipërmarrësit thonë se kjo mund të jetë në dëm të prodhimit vendas.

“Kur flasim për dy shtete me sisteme vendore të ndryshme, me sisteme fiskale të ndryshme, me mënyrën sesi ato organizojnë vetë shtetin, natyrisht që këto dy shtete kur ulen në tavolinë në negociata prevalon reciprociteti. Pra, duhet të jemi reciprokë. A do të jemi ne reciprokë me deklaratën e zotit Rama? Jo, nuk do të jemi reciprokë. Që do të thotë që gati-gati i drejtohet vëllai i madh vëllait të vogël, duke i shtrirë dorën, duke i thënë unë do të të bëj shumë lëshime, madje lëshime vrastare për ekonominë time. Pse këto lëshime mund të kthehen të dëmshme? Mund të kthehen të dëmshme sepse vazhdon qeveria Rama të mos konsiderojë prodhimin vendas dhe i thotë prodhimit të një vendi tjetër “bujrum”, mund të vish, mund të ulesh këmbëkryq, nuk do të paguash asgjë, thjesht duhet të rrisësh volumet e eksporteve të tua drejt vendit tonë. Po eksportuesit tanë drejt vendit të tyre? Që do të thotë baza e një marrëdhënie të shëndoshë është fillimisht reciprociteti dhe jo vetëm marrëdhënie besimi, por duhet të kemi dhe respekt ndaj protokolleve të vendosura më parë. Nuk ka nevojë të bëjmë deklarata të tilla, boll që zyrtarët e shtetit, ato 130-140 ose 150 marrëveshjet që kemi nënshkruar këto 2 vitet e fundit t’i kthejë në realitet”, shprehet Shkodra.

Ai thotë se është e nevojshme që të bëhet një analizë e asaj që është arritur deri më sot me marrëveshjet e nënshkruara nga dy qeveritë, Kosovë- Shqipëri.

“Duhet ta bëj të qartë edhe një herë për publikun dhe për rekordet tona, që ne kemi mbajtur rekordet tona për të gjithë daljet publike, ne kemi qenë dhe vazhdojmë të mbetemi partizanë dhe pozitivë për çdo lloj marrëveshje që Republika e Shqipërisë bën me shtetet e tjera. Kur ato janë me ndihmë dhe kur ato janë në mbështetje të prodhimit vendas, të mirëqenies, të sigurisë dhe me rradhë ne jemi shumë dakord. Nga ana tjetër siç vazhdojmë dhe pyesim veten dhe të tjerët që sa nga këto marrëveshje, pra a ka sot një analizë të qartë të çdo marrëveshje që është kryer me një matricë të qartë që kush kanë qenë fazat e implementimit, në ç’fazë të implementimit është, sa përqind është zbatuar, kush janë problematikat e marrëveshjes, mos ndoshta këto marrëveshje duhen rishikuar në një kontekst tjetër pasi mund të ketë patur probleme në zbatim?”, vë në dukje eksperti Shkodra.

Pavarësisht vullnetit të mirë për të thjeshtëzuar veprimet, sipërmarrësit shprehen se ka ngecje të proceseve për shkak se duhet që kodet doganore të harmonizohen, kjo vlen edhe për sistemin fiskal.

eksporte (Foto kosovapress)

eksporte (Foto kosovapress)

“Duhet të themi një gjë shumë të vërtetë, takimet dhe mbledhjet krijojnë një lloj presioni pozitiv mbi administratat përkatëse. Por ta shikoni në administratën tonë, po dhe në administratën e Kosovës, por dhe në administratën e tre vendeve të Open Balkan, Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, ka një lloj presioni pozitiv nga këto iniciativa, nga takimet, nga mbledhjet, por kur futemi në detaje përsa i përket proceseve që kryen një sipërmarrës për të tranzituar, për të procesuar të gjithë procedurat e tyre doganore, kufitare, të transportit ndërkombëtar, të njohjeve të ndërsjellta të dokumentave zyrtarë të shteteve përkatës padyshim që ka probleme dhe këto probleme janë për shkak se ne po tentojmë të krijojmë një paradhomë para se të hyjmë në Bashkimin Evropian. Padyshim që ka vonesa, ka vonesa në përpunimin e produkteve, në kufij të caktuar, padyshim që ka interpretime ose mundësi interpretimi për procedura ose dokumenta përkatës të cilët duhet të njihen, nuk arrijmë do të kryejmë një bashkim doganor që do të thotë të kemi një doganë të përbashkët ose të kemi një sistem të përbashkët ku gjithcka procesohet në të njëjtin sistem, është e vështirë. Duhet që kodet doganore të këtyre shteteve në një farë forme të harmonizohen. Nuk kemi një harmonizim qoftë të sistemit fiskal dhe informacionit fiskal.”

Tradita e mbledhjeve të përbashkëta të dy qeverive Kosovë- Shqipëri ka nisur nga vitin 2014, për të nënshkruar të tjera marrëveshje në funksion të lehtësirave proceduriale dhe shkëmbimeve ekonomike mes dy vendeve.