Për dekada, kompanitë e prodhimit të këpucëve në Kinë kanë ndjekur metoda të ndryshme për të siguruar dhe rritur praninë në tregjet globale, si takimi me klientët në fabrikat e tyre për të rregulluar detajet e porosive, paraqitja nëpër panaire, si dhe promovimi në platformat e “e-commerce”.

Foto:VCG

Foto:VCG

Por pas fillimit të pandemisë Covid-19, shumë klientë të huaj nuk ishin në gjendje të udhëtonin jashtë shtetit, kështu që Zhu Henglin, i cili drejton operacionet e biznesit në “Juyi Group Co Ltd”, një prodhues këpucësh në Wenzhou, në provincën Zhejiang, dhe kolegët e tij kanë adoptuar printimin 3D për të përpunuar detaje me klientët e tyre ndërkombëtarë.

Kompania kineze dhe klientët e saj të huaj bëjnë secila mostra të modeleve të këpucëve me printera 3D dhe më pas diskutojnë dhe modifikojnë detajet përmes lidhjes video, gjë që kursen shumë kohë dhe kosto për të dyja palët.

“Falë kësaj mënyre komunikimi, ne nuk kemi më nevojë t'u dërgojmë mostra këpucëve klientëve në tregjet e zhvilluara dhe të shqetësohemi për vonesat e dërgesave”, -tha Zhu, i cili shtoi se shumë kompani këpucësh në Wenzhou kanë marrë porosi prodhimit deri në fund të vitit.

Të nxitura nga rritja e kërkesës në tregjet jashtë shtetit, veçanërisht në sektorët e rimëkëmbjes së turizmit dhe sportit, eksportet e produkteve të këpucëve të Kinës u rritën me 31.4 për qind nga viti në vit në 173.7 miliardë juanë (25.76 miliardë dollarë) në gjysmën e parë të vitit 2022, bëhet e ditur nga të dhënat e Administratës së Përgjithshme të Doganës.

Duke qenë se produktet e këpucëve janë një nga kategoritë e koncesioneve tarifore sipas marrëveshjes së Partneritetit Ekonomik Gjithëpërfshirës Rajonal, pakti, i cili hyri në fuqi në janar, janë rritur më tej eksportet e këpucëve dhe çizmeve të Kinës, tha Wang Daning, një zyrtar në degën e Doganës YiWu të Hangzhou.

“Gold Emperor Group”, një tjetër prodhues i këpucëve në Wenzhou, instaloi së fundi dy grupe pajisjesh të reja për të aplikuar ngjitësin në pjesën e sipërme dhe tabanin e këpucëve në një nga fabrikat e tij në Wenzhou. Me pajisjet e reja, kapaciteti i prodhimit të secilës linjë prodhimi tani është 250 palë në orë, duke dyfishuar prodhimin e 32 punonjësve.

“Këpucët janë tradicionalisht një industri me punë intensive dhe mbetet e vështirë të standardizohet plotësisht automatizimi. Megjithatë, në disa faza të punës, zëvendësimi i punëtorëve me makineri redukton kapacitetin e prodhimit. Arsyeja që guxuam të investonim një kapital kaq të madh në asete fikse është kryesisht për shkak të rritjes së konsiderueshme të porosive për eksport, gjë që ka rritur besimin tonë. Përveç kësaj, porositë e tregjeve ndërkombëtare për atlete kanë qenë goxha të forta muajt e fundit”, -tha Zhu Jianfeng, (Çu Xhianfen) presidenti i kompanisë, duke shtuar se kompania pritet të eksportojë rreth 12 milionë palë këpucë sportive këtë vit.

Chen Wenzhao, drejtor i zhvillimit të biznesit në “Gold Emperor Group”, tha se sfidat dhe mundësitë janë të ndërthurura me njëra-tjetrën për industrinë e prodhimit të këpucëve në Kinë këtë vit. Përveç produkteve të këpucëve, artikujt duke përfshirë kapëset metalike, thembrat dhe pjesët e sipërme të këpucëve, si dhe lidhëset e këpucëve kanë tërheqje të mirë në vendet e Azisë Juglindore. Ai tha se të gjitha pjesët dhe aksesorët e nevojshëm në procesin e prodhimit të këpucëve mund të gjenden dhe blihen në Wenzhou.

Edhe pse rifillimi i punës dhe prodhimit në Azinë Juglindore ka sjellë sfida për industritë intensive të punës si bizneset e këpucëve, tekstilit dhe veshjeve që nga fillimi i vitit 2022, ai ka sjellë gjithashtu edhe mundësi eksporti, falë avantazhit të zinxhirit industrial të Kinës, tha Chen.
Në provincën Fujian, një bazë tjetër e prodhimit të këpucëve në Kinë, Wu Jiang, zyrtar në degën Haicang të Doganës Xiamen, tha se kompanitë në Xiamen dhe qytetet përreth eksportuan 2.6 miliardë juanë materiale për prodhimin e këpucëve në Vietnam, Indonezi dhe Kamboxhia midis janarit dhe qershorit, me një rritje prej 40 për qind nga viti në vit.

Operacionet e montimit me përmbajtje teknike relativisht të ulët janë lidhja më e shpejtë në transferimet e zinxhirit industrial. Megjithëse vlera tregtare e produkteve përfundimtare është e lartë, vlera e tyre e shtuar është e ulët, tha Tu Xinquan, dekan i Institutit Kinez për Studimet e OBT-së në Universitetin e Biznesit Ndërkombëtar dhe Ekonomisë.

“Prodhuesit kinezë në shumë sektorë kanë hyrë tashmë në një fazë të re të tregtisë së përpunimit. Ndërsa një pjesë e tregtisë së përpunimit po zhvendoset nga Kina në disa ekonomi anëtare të Shoqatës së Kombeve të Azisë Juglindore, eksportet kineze të produkteve të ndërmjetme po rriten me një ritëm të dukshëm”, -tha ai, duke shtuar se kjo është në përputhje me trendin e ngritjes dhe transformimit industrial.