Dhoma Amerikane e Tregtisë vijon të ngrejë shqetësimin për çmimet e referencave, të cilat sipas tyre duhet të eliminohen pasi janë një metodë e prapambetur. Kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Enio Jaço deklaroi gjatë Forumit “Dogana dhe Biznesi” se qëllimi primar i Dhomës Amerikane të Tregtisë është të rrisë importet e produkteve shqiptare. Në këtë kuadër ai falenderoi Drejtorinë e Doganave për bashkëpunimin e arritur dhe reformat e ndërmarra.

Dogana (Foto abc news)

Dogana (Foto abc news)

Vizioni ynë është që të kemi eksporte gjithmonë e më të fuqishme shqiptare. Disa nga ju këtu keni produkte vërtet me cilësi që mund të konkurojnë në tregjet globale, oportuniteti i të cilave është bërë akoma më i madh në ditët e sotme, në kushtet e presioneve të ndryshme globale, të luftës në Ukrainë etj. etj. Pra, kemi një oportunitet të madh, kemi një mundësi që këto eksporte të mundësohen. Institucioni i Doganave luan një rol shumë të rëndësishëm këtu. Gjithashtu tregtia elektronike është në qendër të vizionit tonë, por gjithashtu edhe procedurat elektronike, procedurat e lehtësuara elektronike janë në vizionin tonë. Jam i bindur në vizionin tonë gjithashtu edhe të Doganave.” – deklaroi Jaço.

Drejtori i Përgjithshëm i Doganave Genti Gazheli u shpreh se Administrata Doganore ka qenë e hapur për rekomandimet lidhur me përmirësimin e vazhdueshëm të shërbimeve doganore.

“Është kënaqësi për mua që marr pjesë për herë të dytë në Forumin Dogana dhe Biznesi. Me mbajtjen e premtimit që ju dhashë në forumin e kaluar në shkurt të vitit të kaluar dëshiroj të theksoj se Administrata Doganore ka qenë e hapur ndaj rekomandimeve tuaja lidhur me përmirësimin e vazhdueshëm të shërbimeve doganore. Qasja jonë ka ndryshuar që nëpërmjet forumeve të diskutimeve të hapura me organizatat e shoqatave të biznesit të ndërmarrim veprime konkrete pa vonesë për të zgjidhur peoblematikat e shfaqura për biznesin, gërshetuar kjo me rritjen e performancës dhe digjitalizimit të shërbimit. “ tha Gazheli.

Doganat (Foto Monitor)

Doganat (Foto Monitor)

Më tej Drejtori i përgjitshëm i Doganave theksoi se është përmirësuar ndjeshëm klima e biznesit .

“Një pyetësor i hartuar në bashkëpunim me AMCER ju është shpërndarë të gjithë shoqatave dhe organizatave dhe është publikuar në faqen e webit të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave. Rezultatet e pyetësorit tregojnë se kemi përmirësuar ndjeshëm klimën e biznesit e besimit dhe kjo u konfirmua dhe nga deklarimi që bëri sekretari i përgjithshëm i Organizatës Botërorë të Doganave z. Nikuria në vizitën e tij në mars 2022. Në lidhje me pyetësorin unë dua t'u jap disa të dhëna. Mbi 63% e tyre i konsiderojnë raportet shumë të mira me Administratën Doganore. 30.2% të mira, që ndërkohë rreth 60-70% të bizneseve mendojnë që klima është përmirësuar gjatë vitit 2021, ndërkohë që lidhur me pyetjen sesi e vlerësojnë etikën e punës në dogana 57,5% shprehen shumë mirë dhe 38.8% mirë.”- theksoi Gazheli.

Sipas Gazhelit vihen re përmirësime të shërbimeve ndaj biznesit në reduktimin e kohës dhe kostove të shërbimit.

“Përmirësimet e shërbimeve ndaj biznesit në reduktimin e kohës dhe kostove të shërbimit janë certifikuar tashmë qartësisht në raportin e Bankës Botërore në prill 2022, i cili është tregues i impaktit që modernizimi i Administratës Doganore Shqiptare ka pasur në procedura doganore. Sipas këtij studimi të Bankës Botërore në vitin 2021 krahasuar me vitin 2018 në portin e Durrësit, koha mestare e çlirimit të mallrave u shkurtua me 28%, në zyrat donaore kufitare koha mesatare e çlirimit të mallrave është shkurtuar me 20% dhe në zyrat doganore të brendshme koha e çlirimit të mallrave është shkurtuar me 74%. “- thekson numri një i doganave.

Enio Jaço (Foto Panorama)

Enio Jaço (Foto Panorama)

Drejtori i Përgjithshëm i Doganave ftoi bizneset të aplikojnë sa më shumë për shërbimet online/aplikacionet e Doganave si dhe për statusin e AEO, statusin e “Eksportuesit të miratuar”, për të marë përfitimet e sistemit të digjitalizuar në uljen e kohës dhe kostove të biznesit.

“Dogana është përfshirë në një proces të thellimit dhe zgjerimit të digjitalizimit. Bizneset sot deklarojnë në sistem elektronik, paperless, marrin autorizimet, lehtësime, vërtetime online, marrin nëpërmjet platformës e-albania, nuk paraqiten më pranë sporteleve të zyrave të Autoritetit Doganor për depozitimin e kërkesave, dokumentave, proces i cili merrte minimalisht dy ditë për hyrjen dhe për daljen e shkresave në protokolle. Digjitalizimi ka modernizuar sistemin doganor, ka ofruar më shumë cilësi shërbimi, ka përafruar standarde të BE-së dhe ka sjellë uljen e kohës dhe kostos për biznesin. Aktualisht Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ofron 34 shërbime online dhe 4 aplikacione që kanë hyrë në fuqi në mars 2022 si Statusi i deklaratës së Tranzitit, Statusi i Deklaratës Import-Eksport, Gjendja e Llogarisë Parapaguese si dhe Konfirmimi i Pagesave të kryera nga subjekte të llogarisë së Doganës. “- shton Gazheli.