Në qershor 2022 eksportet e mallrave arritën vlerën 46 mld lekë, duke u rritur me 32,2 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 2,5 %, në krahasim me maj 2022. INSTAT bën të ditur se importet e mallrave arritën vlerën 81 mld lekë, duke u rritur me 20,8 %, në krahasim me një vit më pare dhe me 1,9 %, në krahasim me maj 2022. Deficiti tregtar i këtij muaji është 35 mld lekë, duke u rritur me 8,6 %, krahasuar me qershor 2021 dhe me 1,0 %, në krahasim me maj 2022.

Eksport-Import-(Foto inLAjmi)

Eksport-Import-(Foto inLAjmi)

Për ekspertët e fushës produktet shqiptare në përgjithësi kanë tendencë rritjeje. Në këtë gjashtëmujor eksportet e mallrave arritën vlerën 253 mld lekë, duke u rritur me 43,3 %, ndërkohë importet e mallrave arritën vlerën 446 mld lekë, duke u rritur me 25,9 %, krahasuar me një vit më parë. Në një intervistë për mediat Alban Zusi nga Shoqata e Industrialistëve Ushqimorë analizon sektorët edhe përtej 5 mujorit.

“Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë padiskutim që çdo lloj rritje duhet përshëndetur, por nuk është ndonjë kushedi se çfarë duke pasur parasysh që para një viti eksportet shqiptare pësuan një goditje të rëndë, përjashtuar eksportet bujqësore dhe ushqimore, por pjesa tjetër pësuan goditje të rëndë për shkak të pandemisë. Kështu që në këtë kontekst ndoshta INSTAT do të duhej të jepte të dhëna krahasuese më periudhën para pandemisë, me 2019 për të parë një rritje reale të eksporteve shqiptare, jo e krahasuar me atë që është kurba minimale e eksporteve. Gjithësesi, fakt është që eksportet kanë tendenca rritjeje”, tha Zusi.

Kontributi eksporte (Foto Instat)

Kontributi eksporte (Foto Instat)

Eksportet, gjatë këtij gjashtëmujori janë rritur me 43,3 %, krahasuar me një vit më parë. Grupet që kanë ndikuar pozitivisht në rritjen vjetore të eksporteve, janë: “Materiale ndërtimi dhe metale” me +13,7 pikë përqindje,“Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me +12,2 pikë përqindje, dhe “Tekstile dhe këpucë” me 6,9 pikëpërqindje. Shenja gjallërimi ka njohur sektori fason, në fakt një nga sektorët më të goditur nga pandemia.

“Kanë tendenca rritjeje në tërësinë e tyre, sepse po rimerr veten sektori i industrisë së lehtë tekstile, këpucët, që shpesh quhen fason por më pëlqen më tepër ta quaj industria e lehtë. Ka vazdhuar të ketë vecanërisht në 6 mujorin e parë një rritje të eksporteve të produkteve bujqësore, por kam disa sinjale, disa të dhëna që në tremujorin e tretë prodhimi bujqësor ka një lloj rënie. Ka rënie për shumë faktorë, duke e krahasuar me 2019 edhe me 2020, ndonëse viti 2020 për bujqësinë nuk ishte një vit më rënie, ishte një vit përsëri me rritje, por bujqësia tashmë po fillon të shfaqë shenjat e para të politikave jo të mira të rikthyera në fund të 2018-ës. U bënë politika shumë të mira në 2014, të cilat u reflektuan në 3-4 vitet pasardhëse. Nga 2018 kemi një rikthim mbrapsht që po fillon të japë impaktet e tyre dhe me paketën e re që mendohet të hyjë në fuqi. Unë uroj që deri në momentin e fundit të ketë një reflektim, por nëse do të futet ashtu pastaj vitin tjetër do të shohim më shumë problem”-shton me tej eksperti.

Alban Zusi (Foto KlanTV)

Alban Zusi (Foto KlanTV)

Pavarësisht ecurisë, eksperti Zusi thotë se duhet të rritet më tej mbështetja me politikat e duhura nga qeveria për prodhimet shqiptare dhe fermerin shqiptar.

“Ndryshimet në paketën fiskale, pritshmëria ishte për shkak edhe të gjithë situatave ndërkombëtare, të zhvillimeve të dinamikave ekonomike që të kishte një fokus të shtuar ndaj prodhimit vendas, ndaj industrive vendase, veçanërisht në drejtim të zëvendësimit të lëndëve të para që na vijnë nga importet e lëndë të para të prodhuara në vend, me mbyllje të zinxhirëve prodhues industrialë brenda vendit. Pra, aty ku na prodhohet lënda e parë por nuk mbyllim produktin dhe e shesim si lëndë të pare, të kishim investim në segmentin fundor, ose aty ku nuk ka mungon lënda e parë por kemi industri përpunuese që mbyll segmentin fundor deri të konsumatori. Të investohej në prodhimin e lëndës së parë me qëllim që të zbusim impaktet e krizës botërore. Plus që rritja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare do të na favorizonte ne për të bërë këto lloj investimesh. Në fakt paketa e re fiskale nuk e reflekton këtë filozofi, nuk e reflekton këtë pritshmëri dhe ajo çfarë bie në sy janë masa të cilat nga njëra anë godasin prodhimin bujqësor, godasin fermerin sepse do t'ju rrisin koston e shitjes së produkteve të tyre dhe me 6% të tjera. “- thekson Zusi.

Vendet eksporte- importe (Foto Instat)

Vendet eksporte- importe (Foto Instat)

Rritja e kostove të prodhimit sipas ekspertit Zusi, do të bëjë që fermeri shqiptar ta ketë më të vështirë të konkurojë në tregjet jashtë vendit.

“Nëse para tre vitesh ua rritën koston me 14%, tani do t'ua rrisin dhe me 6% të tjera dhe nga 1 janari produktet shqiptare do të kenë produkte bujqësore shqiptare dhe lëndët e para për industrinë përpunuese do të kenë një kosto 20% më të lartë në mënyrë artificiale, thjesht për efekt taksash. Masat e tjera që duken janë taksimi i disa produkteve të cilat janë bazike në prodhimet industriale dhe japin kontribut në rritjen e eksporteve shqiptare siç janë taksimi i gazit, i cili është një ndër lëndët e para kryesore për industrinë e materialeve të ndërtimit, por edhe për industrinë ushqimore sepse gazi është ndër elementët më të rëndësishëm që gjen në industri për krijimin e nxehtësisë, e energjisë termike, realizimin e shumë proceseve në kompani etj. Kjo do të thotë që në një farë mënyre godet prodhimin industrial, industrinë, e bën më pak konkuruese për më tepër kur bëhet fjalë për taksim, i cili nuk është i zbritshëm në momentin e eksportit. Fjala vjen, akciza e gazit 6 lekë sot që është në kulmin e tij gazi i bie që ta rrisi cmimin me 5%. Nëse nesër do të zbresë çmimi i gazit i bie që ta rrisi çmimin e gazit me 5%. Por akciza nuk zhvishet nga kostoja e produktit kur ai shkon në Serbi apo Kosovë.”- vijon Zusi.

Gjatë këtij gjashtëmujori vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë: Italia (53,7 %), Kosova (12,1 %) dhe Gjermania (94,5 %) . Ndërsa vendi me të cilin eksportet kanë pasur uljen më të madhe, është: Spanja (51,6 %) . Gjatë këtij gjashtëmujori, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me një vit më parë, janë: Italia (13,9 %), Turqia (40,6 %) dhe Kina (7,8 %). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe janë: SHBA (3,0 %), Rusia (19,3 %), dhe Zvicra (19,0 %).