Shqipëria çeli më 19 korrik negociatat me Bashkimin Europian, 16 vite pas firmosjes së marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit. Hapja e negociatave do të thotë një proces teknik që do të nisë me kontrollin e plotë të administratës shtetërore shqiptare dhe të gjithë legjislacionit shqiptar që të përafrohet me legjislacionin e Bashkimit Europian.

Komisioni Europian do të nisë ekipet që do t’i bashkëngjiten administratës shtetërore në Shqipëri, ku do të kontrollojë ligjet dhe zbatimin e tyre.

Brukseli (Foto shqiptarja.com)

Brukseli (Foto shqiptarja.com)

Me përafrimin e këtyre ligjeve do të hapen dhe mbyllen kapituj me sukses ose dështim, që në total do të jenë 35.

Kapitulli i parë me të cilin do të nisë procesi i negociatave është ai i të drejtave themelore të njeriut dhe më pas do të ketë kapituj për reforma në drejtësi, lufta kundër korrupsionit, liria e medias etj.

Më pas do të ketë kapituj dhe për lidhjet ekonomike dhe tregtare. Ky proces do të ndiqet hap pas hapi nga Komisioni Europian dhe pritet të zgjasë disa vite.

Lidhur me këtë ngjarje të rëndësishme për Shqipërinë flet eksperti i ekonomisë Fatos Çoçoli për Grupin Mediatik të Kinës.

CMG: Cilat janë hapat që do të ndjekë Shqipëria për të bërë të mundur edhe anëtarësimin në BE?

Fatos Çoçoli: Të gjithë qytetarët e shtrojnë si pyetje, duke thënë se çfarë do të ndodhë më pas. Menjëherë fillon punohet, komuniteti dhe specialistët e Komisionit Europian realizojnë atë që quhet “screening” në gjuhën teknike, pra kontrollin nëse i gjithë legjislacioni ynë që ka të bëjë me të 35 kapitujt e marrëveshjes së stabilizim asocimit, ku njëkohësisht diskutohet të hapen këto kapituj. Nëse të gjitha çështjet ligjore të një vendi që po zhvillon bisedimet për antarësim janë të zgjidhura ose të harmonizuara me atë që quhet “acci communiter”, që është korpusi i Bashkimit Europian, janë 35 000 faqe, punë shumë voluminoze. Hapi i parë është pikërisht ky kontroll, sa legjislacioni ynë në shumë fusha, kapitujt e ndryshëm që nëse janë të harmonizueshëm me legjislacionet e “acci communiter”.

Njëzeteshtatë vendet anëtare dhe njëzetë prej tyre kanë kaluar në këtë eksperiencë. Specialistët e BE-së janë shumë të përgatitur, ndaj do ishte mirë dhe ne të kishim ekspertët tanë sa më shumë. Kroacia fqinje, që konsiderohet një histori suksesi dhe që brenda gjashtë viteve arriti ti mbyllte këto tridhjetë e pesë kapituj dhe të anëtarësohej, thirri në ndihmë 1000 ekspertë të tillë. Janë ekspertë jo thjeshtë të fushave përkatëse, nuk mjafton të jesh njohës i mirë vetëm i legjislacionit vendas, por dhe të BE-së.

Është shumë e domosdoshme të punohet që tani në mënyrë që grupi ekspertëve që kemi të shtohet nëpërmjet trajnimeve intensive në Bruksel. Kjo është e domosdoshme në mënyrë që të kryhet edhe ky proçes i gjatë i negocimit. Kemi shumë gjëra në nivel ekonomik për të mbrojtur, përshembull industrinë e peshkimit, e cila ka trefishuar eksportet. Në momentin që ne do të jemi anëtar Bashkimi Europian lëshon kuota, për t’i përmbushur. Ne nuk arrijmë, për shkak të një bisedimi të dobët që kemi pasur, të eksportojmë midhjet dhe pse jemi vend që mund të prodhojmë deri në dyqind ton midhje. Pra duhet të kemi ekspertizën e duhur në mënyrë që të mbrojmë sa më mirë interesat e ekonomisë tonë.

Fatos Çoçoli (Foto CMG)

Fatos Çoçoli (Foto CMG)

CMG: Lidhur me kërkesat që do të vijnë nga Bashkimi Europian, a e ka Shqipëria potencialin e duhur për t’i përmbushur këto kuota?

Fatos Çoçoli: Kryesorja në një proçes negocimi është bindja e palës tjetër, sepse ata që ne do të kemi përballë janë shumë të përgatitur. Kanë bërë negociata me vende të fuqishme, por gjithnjë kanë shkuar ekpsertë me një plan të përpiluar. Dhe ky plan ka bërë që vendi të përfaqësohet denjësisht. Këtë ne ja urojmë edhe vendit tonë. Gjithçka që duhet të hedhim në tryezë duhet të jetë e mirë llogaritur dhe të mbrojë interesat e industrive tona. Mbrojtja është e domosdoshme në këtë fazë të kuotimit dhe shumë e rëndësishme të kemi specialistët e duhur e t’i përgatisim në kohë sa më shpejt.

CMG: Sa specialistë duhet të kemi për secilin kapitull?

Fatos Çoçoli: Mjafton dhe një apo dy, por të jenë të mirë. Të mund të ketë vizionin e qartë dhe industritë që do të ndihmojë t’i njohë mirë. Pra këta janë njerëzit që na duhen për të bërë një negocim të suksesshëm me Bashkimin Europian. Nuk duhet të harrojmë që përballë kemi ekspertë të mirëfilltë të fushave përkatëse.

Integrimi i shqipërisë në BE (Foto javanews)

Integrimi i shqipërisë në BE (Foto javanews)

CMG: Cilat janë pikat e forta dhe të dobëta të Shqipërisë?

Fatos Çoçoli: Ajo që fitojmë është rritja e investimeve të huaja. Investuesit e tanishëm janë shtete anëtare dhe me këtë proçes tashmë të hapur Shqipëria do të jetë akoma edhe më shumë e lexueshme dhe më e sigurt që ata të riskojnë kapitalet e tyre. Nëse investimet shtohen menjëherë përkthehet në hapjen e vendeve të reja të punës. Sfida qëndron nëse nuk do të jemi të zotët të mbrojmë industritë apo të sigurojmë kuotat, kjo do të na sjellë humbje të mëdha. Pra balanca anon gjithnjë tek përfitimet sido që të jetë negocimi i dobët nga pala jonë. Ka vende fqinje që prej vitesh nuk po i mbyllin dot negocimet. Mali i Zi përshembull, i ka hapur që prej vitit 2012. Prandaj na duhet një ekspertizë e fuqishme dhe si pozita e opozita të jenë në një emërues të përbashkët kur bëhet fjalë për bisedimet e antarësimit.

CMG: Sa i përket pikës tjetër, lidhur me punësimin shqiptarëve jashtë, çfarë do të sejllë?

Fatos Çoçoli: Do të jetë një përfitim shumë i madh dhe gjykoj si të thuash një përfitim i madh për tre arsye. Së pari, në nivel të përfitimeve nga sigurimet shoqërore. Statusi i një emigranti shqiptar do të jetë si statusi i një punonjësi të 27 vendeve anëtare. Të mos harrojmë që ne kemi patur probleme që nga koha kur emigrantët kanë punuar në Shqipëri, duke u ndodhur qoftë në Greqi apo në vende të tjera nuk u njihej në pensionin që merrnin pranë autoritetëve italiane apo greke.

Tani me këto bisedime shansi është që të njihet dhe t’u përkthehet në para dhe të marrin pensionin në vendet përkatëse si emigrantë. Shansi i dytë akoma dhe më i madh ka të bëjë me faktin që jo më vetëm ata që janë profesionistë, të themi një elektriçist, fizioterapist, mjek apo inxhinier që sot shkon në Gjermani e ka këtë mundësi. Ky vend po tërheq profesionistët, i duhen profesionistët nga e gjithë bota, por po i tërheq edhe nga vendi ynë. Kjo do të ndodhë me të 27 vendet anëtare të BE-së.

Shqipëri BE ( Foto opinion.al)

Shqipëri BE ( Foto opinion.al)

CMG: Sa i përket pikave të tjera, do të ketë edhe lëvizje të lirë të mallrave?

Fatos Çoçoli: Ajo është e domosdoshme dhe Proçesi i Berlinit këtë synonte lëvizjen e lirë të mallrave, kjo e bën një ekonomi të fuqizohet me baza të shëndosha. Lëvizja e lirë e mallrave është kapitulli i parë që hapet dhe ndër të fundit që mbyllet, sepse BE duhet të sigurohet që mallrat dhe shërbimet duhet të jenë po aq cilësore sa ato të vendeve të tjera anëtare.

CMG: Sipas jush, sa kohë i duhet Shqipërisë që t’i përmbushë të gjithë kapitujt?

Fatos Çoçoli: Kjo varet nga ne, sa të aftë do të jemi që në një kohë të shkurtër të kemi ekspertët e duhur, kapacitetin dhe të punojmë të gjithë si një trup i vetëm për një dobi të madhe, të përbashkët.