Bankat tregtare në vend kanë shtrënguar standardet e kreditimit për të gjitha kategoritë e bizneseve në tremujorin e dytë të këtij viti.

Sipas Vrojtimit të Aktivitetit Kreditues, të kryer nga Banka e Shqipërisë, rezulton se bankat u shfaqën më të kujdesshme në kreditimin për bizneset në këtë tremujor, kryesisht si pasojë e rrezikut të perceptuar mbi situatën makroekonomike në përgjithësi dhe aftësinë paguese të bizneseve në veçanti. Bankat shprehën gjithashtu një tolerancë më të ulët ndaj rrezikut në financimin e investimeve, si pasojë e pasigurive të shtuara dhe luhatjeve të larta të çmimeve të mallrave në tregjet ndërkombëtare. Së bashku me standardet, bankat shtrënguan edhe kushtet e termat e kreditimit për bizneset në këtë tremujor. Krahas rrezikut të perceptuar lidhur me perspektivën e ekonomisë, edhe shtimi i kostove të fondeve, si pasojë e politikës monetare më pak akomoduese, kanë diktuar shtrëngimin e kushteve dhe termave të kreditimit në këtë tremujor. Kujdesi i shtuar i bankave në këtë tremujor u reflektua edhe në një shkallë më të ulët miratimi të kredive për bizneset. Nga ana tjetër, bizneset shfaqën kërkesë të lartë për kredi, për financimin e investimeve të planifikuara dhe të inventarëve e kapitalit qarkullues, në të gjitha kategoritë e madhësisë së biznesit.

Kreditë (Foto Neuf.tv)

Kreditë (Foto Neuf.tv)

Ndryshe nga bizneset, kriteret e miratimit të kredive për individët ishin më të relaksuara në tremujorin e dytë. Bankat lehtësuan standardet, e së bashku me to edhe kushtet e termat për kreditë e reja akorduar individëve. Shtimi i konkurrencës në sistemin bankar, së bashku me zhvillimet aktuale dhe perspektivën për tregun e banesave, kanë nxitur bankat të lehtësojnë politikat e kreditimit për individët në këtë tremujor. Nga ana tjetër, kërkesa për kredi vijoi të raportohet e lartë, si në kreditë për blerje banesash, ashtu edhe në ato konsumatore.

“Standardet e kreditimit për bizneset u shtrënguan në tremujorin e dytë të vitit 2022, kryesisht në sajë të shtrëngimit të tyre në kreditë akorduar për financimin e investimeve. Në terma të madhësisë së biznesit, standardet për kreditë e dhëna u shtrënguan në të dyja kategoritë, si për biznesin e vogël e të mesëm, ashtu edhe për atë të madh. Faktorët që sollën shtrëngimin e standardeve të kreditimit për bizneset në këtë tremujor ishin të lidhur më së shumti me perceptimin e rrezikut nga ana e bankave. Kështu, rreziku nga situata ekonomike në vend dhe perspektiva për të, nga aftësia paguese e kredimarrësit, si edhe nga kolaterali i kërkuar ndikuan në shtrëngimin e standardeve. Në të njëjtën kohë, toleranca më e ulët e bankave kundrejt rrezikut u raportua si një tjetër faktor që shkaktoi shtrëngimin e standardeve të kreditimit për bizneset.” – thuhet në vrojtimin e Bankës Qëndrore.

Dhënia e kredisë (Foto Housing)

Dhënia e kredisë (Foto Housing)

Kushtet dhe termat e përgjithshëm mbi kreditë e reja disbursuar bizneseve vijuan shtrëngimin në tremujorin e dytë të vitit.

“Shtrëngimi i tyre u arrit si nga elementet çmim, ashtu edhe nga ato joçmim. Kështu, bankat raportuan marzhe më të larta, sidomos mbi kreditë me rrezik; reduktuan madhësinë e kredisë akorduar bizneseve; parashtruan kërkesa më të larta për kolateral në raport me kredinë e dhënë; shkurtuan maturitetin maksimal të kredisë; si edhe shtuan numrin e kushtëzimeve në marrëveshjet e kredisë, të nënshkruara mes bankave dhe bizneseve. Në gjykimin e bankave, shtrëngimi i kushteve dhe termave të kreditimit për bizneset u ndikua nga kostot e shtuara të bankave për fonde, perceptimi i tyre për rrezik të shtuar, si edhe nga toleranca më e ulët e bankave kundrejt këtij rreziku.”-theksohet në vrojtim.

Sa i takon shkallës së miratimit të kredive për bizneset u raportua më e ulët në tremujorin e dytë të vitit.

” Pjesa më e madhe e faktorëve që përcaktojnë shkallën e refuzimeve të kredive për bizneset kanë vepruar në kahun rritës. Kështu, perceptimi i bankave për rrezikun lidhur me perspektivën e sektorit ku operojnë bizneset, me gjendjen financiare të bizneseve; faktorët e lidhur me kuadrin e politikave të kreditimit të bankave, me aftësinë paguese të kredimarrësit; si dhe historiku i kreditit nga regjistri i kredive ndikuan në shtimin e numrit të refuzimeve për kredi gjatë këtij tremujori. Në kahun rënës të shkallës së refuzimeve të kredive u raportuan historiku i marrëdhënieve të biznesit me bankën, zotërimi i fondeve të bizneseve, si edhe statusi i kredive aktuale të bizneseve.”-thuhet në vrojtim.

Paratë CASH (Foto BSH)

Paratë CASH (Foto BSH)

Kërkesa për kredi e bizneseve vijoi të jetë e lartë edhe në tremujorin e dytë të vitit.

“ Balancat e kërkesës për kredi shënuan vlera mjaft të larta pozitive edhe këtë tremujor, si në kreditë për biznesin e madh, ashtu edhe në atë të vogël e të mesëm. Balanca e kërkesës për kredi në mbulimin e nevojave për likuiditete shënoi vlerën më të lartë historike. Gjithashtu, edhe kërkesa për kredi për financimin e investimeve u raportua e lartë në këtë tremujor. Kërkesa e shtuar për kredi nga bizneset në tremujorin e dytë të vitit, sipas gjykimit të bankave, u ndikua kryesisht nga nevojat më të larta për financimin e inventarëve dhe kapitalit qarkullues, për financimin e investimeve, si dhe për rifinancimin e borxheve ekzistuese. Po ashtu, niveli i përgjithshëm i normave të interesit u raportua si faktor favorizues. Nga ana tjetër, kreditë nga bankat e tjera, si edhe situata ekonomike në vend e perspektiva për të janë raportuar si faktorë me ndikim rënës në kërkesën për kredi të bizneseve në tremujorin e dytë”- shpjegohet në vrojtimin e publikuar nga BSH.

Në tremujorin e tretë, bankat presin tablo të ngjashme të kushteve të ofertës dhe kërkesës për kredi me tremujorin e dytë. Kështu, bankat pritet të mbeten të kujdesshme ndaj kreditimit të bizneseve, ndërkohë që pritet të mbajnë një përqasje më lehtësuese kreditimi për individët. Kërkesa për kredi, si nga ana e bizneseve ashtu edhe e individëve, pritet të jetë e lartë. Shtimi i kërkesës për kredi në të dyja kategoritë pritet të jetë me bazë të gjerë, edhe sipas qëllimit të përdorimit të kredisë. Në prizmin e qëllimit të përdorimit, kërkesa për kredi pritet të jetë e lartë, veçanërisht për mbulimin e nevojave për likuiditet, ndërkohë që kredia për investime pritet të mbetet thuajse e pandryshuar nga tremujori i dytë.