Me 73 vota pro, 33 kundër dhe 1 abstenim, është miratuar në Kuvendin e Shqipërisë së fundmi akti normativ për kompensimin e çmimeve për materiale ndërtimi. Ky akt ka sjellë debate mes opozitës dhe maxhorancës në Kuvend. Nga qeveria e kanë cilësuar këtë process si një hap të nevojshëm për situatën në të cilën ndodhet vendi, pasi nuk mund të lejojnë që ekonomia të ngadalësohet. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj ka deklaruar se ky akt është pjesë e paketës anti-krizë, ndërsa shtoi se do të përfitojnë 300 kompani ndërtimi, të cilave do t’u kompensohet 5-30% e materialeve të ndërtimit.

Si është pritur kjo nga ndërtuesit? Në një intervistë për mediat Ilir Hebovija nga Shoqata e Ndërtuesve thotë se ky është një hap i domosdoshëm pasi nësë nek veprohej mund të krijohej një kolaps me investimet publike.

Ilir Hebovija (Foto Klan TV)

Ilir Hebovija (Foto Klan TV)

Hebovija shpjegon edhe rrugën që është ndjekur deri në finalizimin e këtij kompensimi.

“Më përpara unë duhet të bëj një histori të shkurtër sesi erdhëm deri te akti normativ sepse shoqata, kompanitë e ndëtimit, ndryshimi i gjithë tregjeve për shkak të luftës, për shkak të krizës e bëri të domosdoshme afrimin e dy palëve. Shoqata mes takimeve të shumta, mes lobimeve që bëri me pqërfaqësues të qeverisë arriti të hartonte një draft, i cili të përputhej me interesat jo vetëm të Shoqatës së Ndërtuesve, por dhe me interesat e vetë qeverisë. Kjo bën të mundur vazhdimin e veprave publike që ishin nisur me një diferencë tjetër çmimesh me kontrata të tjera publike që ato të mund të përfundonin në kohë dhe pa dëmtuar të dy palët me penalitete siç jemi mësuar. Për fat të mirë në këtë rast funksionoi në 90% të saj dhe besoj se Shoqata bashkë me përfaqësuesit e qeverisë ka arritur një zgjidhje optimale për kompanitë që operojnë me veprat publike. “ -thotë Hebovija.

Rritja e çmimeve për materialet e nddërtimit në tregjet ndërkombëtare padyshim u reflektua edhe në tregun shqiptar dhe preku edhe ndërtuesit. Me hapin e ndërmarrë qeveria lehtëson barrën e shtuar.

“Kontratat janë të njëjta, se ky ishte ngërci. Nëqoftëse ishte marrë për të investuar 100 lekë, çmimet tashmë janë rritur me 150 lekë. Jo vetëm çmimet e lëndëve të para të ndërtimit, por për gjithë tregun ne jemi koshientë se ka një rritje drastike të çmimeve, qoftë dhe karburanti që është një njësi shumë e rëndësishme në kompanitë e ndërtimit dhe infrastrukturës, por edhe veprave të tjera publike dhe kjo duhet të pasqyrohet diku. Ose kontratat duhet të ngecnin dhe të mos zhvilloheshin më tutje sepse kompanitë nuk mund të prodhonin nga paratë e veta për të vazhduar veprat publike, ose do të kishin penalitete. Kjo është një zgjidhje më e mirë për të bërë kompensimin e gjithë çmimeve. Sepse ky është një akt normativ i sforcuar për shkak të situatës së ndryshme”, theksoi ai.

Ndërtuesit kanë kërkuar zbatimin dhe implementimin e kontratës Fidik për të tilla situata që shfaqen gjatë rrugës në projekte.

Objekte në ndërtim (Foto Ministria e infrastruktures dhe energjise)

Objekte në ndërtim (Foto Ministria e infrastruktures dhe energjise)

“Në fakt ne duhet të kemi një ecuri më fleksibël për të gjithë veprat që ndërtohen me para publike, por sigurisht reflektuar dhe te çmimet e privatit për shkak të shumë elementëve të tjerë. Ne kemi kërkuar prej 10-15 viteve implementimin e plotë të kontratës, e cila parashikon gjithë këto elementë të këtyre krizave pa i lënë në dorë të dy palëve që mund të krijojnë këto situata lobingu të domosdoshëm. Vetë kontrata krijon hapësira për situata të jashtëzakonshme në mënyrë që t’i vijë në ndihmë të dy palëve dhe kompanive të ndërtimit , por dhe investitorit shtetëror. Kjo do të ishte një zgjidhje, e cila me të vërtetë e kemi kërkuar por akoma nuk është gjetur plotësisht e zbatuar. Ka filluar të zbatohet, të implementohet një pjesë e kontratës Fidik, por akoma nuk është e gjithë kontrata siç e kemi kërkuar ne.”, u shpreh Hebovija.

Ndërtuesit nuk duan të bëjnë komente politike. Ata shprehen se kushto parti të ishte në pushtet do të ndërmerrte një hap të tillë për të kompensuar disi kostot e shtuara të materialeve të ndërtimit.

“Mendoj që të dy palët dhe kushdo që do të ishte në pushtet do të ndërmerrte një hap të tillë sepse është një hap i domosdoshëm, një hap i cili ose do të krijonte kolaps në investimet publike ose kërkonte një zgjidhje. Sa më shumë rregulla të vendosura, sa më shumë transparencë mbi veprimet që bëhen aq më pak ka nevojë për të bërë zhurmë për akte korruptive, të cilat në të vërtetë nuk janë sepse në këtë ecuri çmimesh që ne i ndjekim gjatë gjithë kohës është shumë e vështirë të krijosh këto lloj xhepash. Sigurisht që ka të gjithë elementet qeveria, kontraktorët, kanë gjithë elementët e duhur për ta kontrrolluar, për ta monitoruar procesin. Që nga fillimi, që nga projektimi, deri në fund në dorëzimin e veprës, kështu që janë të dy palët që mund ta shmangin dhe gjithë këtë zhurmën e madhe që bëhet për korrupsionin.”- shprehet Hebovija.

Punë publike (Foto Këshilli i Ministrave)

Punë publike (Foto Këshilli i Ministrave)

Lidhur me këtë akt normativ, deputetët demokratë kërkuan që qeveria të bëjë publike listën e 300 kompanive që do të përfitojnë kompensim. Zv.kryeministri Arben Ahmetaj tha se nëse do të jetë e nevojshme do të miratojnë një paketë tjetër në vjeshtë për përballimin e krizës. Nga ana tjetër, opozita thotë se ky akt favorizon kompanitë që nuk i kanë përfunduar punimet në kohë. Sipas aktit normativ, rreth 300 kompani do të përfitojnë 5-30% kompensim për çmimin e rritur të hekurit, çimentos, bitumit, tubave plastike, aluminit, bakrit dhe zinkut deri në përfundimit e situatës së krizës të shkaktuar nga situata globale ekonomike për shkak të rritjes së çmimeve.