Meliha Zyberaj, është sipërmarrëse në fushën e artizanatit.

Në vitin 2004 ajo hapi një dyqan të vogël për të shitur disa punime dore. Sot numëron 10-tra punonjëse në qëndrën e saj të artizanatit në zonën e Zadrimës. Së fundmi, me mbështetjen e ministrit të sipërmarrjes ka arritur të fitojë edhe një projekt inovativ, që lidhet me kultivimin dhe rritjen e krimbit të mëndafshit.

Gratë artizane (Foto facebook)

Gratë artizane (Foto facebook)

CMG: Artizanati a ka qenë dhe vijon të jetë trashegimi e juaja dhe e familjes suaj?

Meliha Zyberaj: Unë vij nga një familje e thjeshtë me tradita në punën e dorës. Nëna ime është marrë me punët e dorës dhe na ka rritur me idenë që do të martoheni dhe duhet të punoni për “pajën tuaj”. Paja është një tjetër traditë e zonave të veçanta të Shqipërisë. Grepi, shtizat dhe çdo gjë tjetër që lidhej me punët e bëra me dorë ka qënë një nga traditat e zonës ku unë jetoj. Zona e Zadrimës i ka këto tradita dhe ne vijojmë edhe sot. Nëna ka kultivuar edhe krimbin e mëndafshit në atë kohë. Krimbi i mëndafshit është lënë në harresë sepse u mbyllën fabrikat, por sot unë mendova që erdhi momenti për t’iu rikthyer sërish kësaj tradite.

Artizanet e Vaut të Dejës (Foto facebook)

Artizanet e Vaut të Dejës (Foto facebook)

CMG: Si e more përsipër të mblidhje një grup grash të zonës dhe të hapje një biznes artizanati?

Meliha Zyberaj: Në fillim çdo gjë ka qenë sipërmarrje dhe angazhim personal për të mbajtur me bukë familjen. Rrugës, falë përkushtimit tim, mori karakter më të madh. Dikur kam punuar në shtëpi sepse nuk kisha mundësi ku të lija fëmijët. Nuk doja të isha një grua shtëpiake që nuk punonte. Kështu, hapa një dyqan të vogël fillimisht. Kur e pashë si nevojë timen, fillova të mendoj pse vetëm unë… Fillova të marr pjesë në trajnime të ndryshme dhe kuptova më pas që interesi u rrit ndjeshëm. Biznesi u zgjerua sepse edhe bashkia na ka ndihmuar, na ka dhënë një ambient me qera. Grupi sot është formal i regjistruar si biznes. Sot që punojmë mund të jemi pesë veta që angazhohemi me kohë të plotë, më pas pjesa tjetër kur kemi fluks pune angazhohen. Kemi ndihmuar gratë e zones, të cilat kanë ende fëmijë për të rritur dhe nuk munden, ato janë përpjekur që të punojnë nga shtëpia.

Kultivizmi i fshikëzës se mendafshit (Foto facebook)

Kultivizmi i fshikëzës se mendafshit (Foto facebook)

CMG: Si ndihen gratë e tjera që ju arritët të plotësoni ëndrrën e tyre?

Meliha Zyberaj: Gratë ndihen shumë mirë. Nga shtëpiake që kujdesen vetëm për fëmijët tani të gjitha ne kemi më shumë guxim për gjërat, bashkohemi, flasim, konsumojmë kafe dhe biseda dhe kjo na ka bërë mirë për t’u socializuar. Para dy vitesh kemi marrë edhe një projekt tek “Lëviz Albania” për të ofruar trajnime në fushën e artizanatit dhe ka rezultuar një hap shumë i mirë sepse të gjithë të rinjtë kanë qënë entuziastë, kanë shprehur dëshirë dhe janë gjendur më së miri në rrethin tonë.

CMG: A pati vetëm gra apo edhe burra që angazhohen në fushën e artizanatit?

Meliha Zyberaj: Ka gra, por edhe burra. Unë ju rrëfeva se kemi mbi tre vite që kultivojmë fshikëzën e mëndafshit. Kjo fshikëz ushqehet vetëm me gjethet e manit, ka një periudhë 30-ditore që rritet dhe çdo ditë ushqehet me gjethet e manit. Periudha i përket muajit maj deri në muajin qershor. Gati një muaj do pastrim, ushqim dhe çdo gjë tjetër. Unë dhe gratë e tjera nëse nuk do të kishim djemtë, të cilët na kanë ndihmuar, nuk do t’ia kishim dalë dot.

Meliha Zyberaj në trajnimin e të rinjve T(Foto facebook)

Meliha Zyberaj në trajnimin e të rinjve T(Foto facebook)

CMG: A keni pasur mbështetje për këtë sipërmarrje?

Meliha Zyberaj: Po, kemi pasur shumë mbështetje. Dua të falenderoj Edona Bilalin, ministren e sipërmarrjes, e cila e ndihmoi këtë ide të marrë jetë. Falë financimit të projektit kemi arritur që të blejmë makineri, të cilat na vijnë në ndihmë. Sot kemi një strehë për të punuar, nuk varemi nga askush. Ndjekim panaire dhe çdo gjë tjetër që në fakt na ka zgjedhur edhe në tregun e vendeve fqinje.

CMG: A keni krijuar klientelën tuaj?

Meliha Zyberaj: Po kemi pasur shumë mbështetje dhe klientët janë rikthyer tek ne. Rikthehen bujtinat të cilat duan çentro apo perde artizanale. Tani kemi filluar me shallin e mëndafshit, por shumë shpejt do fillojmë me prodhimin e veshjeve.

CMG: Personazhet pubikë a vijnë tek ju, i preferojnë punimet tuaja?

Meliha Zyberaj: Po janë njohur me produktet tona dhe i duan ato. Janë njohur nëpër panaiere dhe vijnë tek ne.

CMG: A ka puna juaj një strategji për në vijim?

Meliha Zyberaj: Patjetër. Unë tani kam pesë puntorë që punojnë çdo ditë, ndërsa me makineritë të cilat kemi blerë, më gjatë do të shkojmë deri në 10 punonjës. Vau i Dejës ka kapacitet për fuqi puntore. Këtë punë çdokush e bën në shtëpi madje.

CMG: A e keni pasur ëndërr këtë gjë?

Meliha Zyberaj: Unë i kam plotësuar një dëshirë nënës sime. Ajo ka ndëruar jetë dhe ka qenë amanet i saj për ta vazhduar. Dikur edhe ajo e rriste e shiste prodhimin e fshikëzës të mëndafshit dhe rriti vajzat e saj.

CMG: Fëmijët tuaj a duan që të përfshihen?

Meliha Zyberaj: Unë kam dy djem, të cilët më kanë mbështetur shumë. Për çdo gjë ata më rrinë gati dhe jam krenare për këtë gjë.

CMG: Figura e gruas si vjen në sytë tuaj?

Meliha Zyberaj: E fortë dhe e palëkundur. Gruaja shqiptare ka nevojë për mbështetje.

CMG: Si e menaxhoni kohën, duke u përkushtuar në punë dhe familje?

Meliha Zyberaj: Puna ime nis që në orën 06:00 të mëngjesit dhe deri në orën 21:00 të mbrëmjes, nis me ujitjen e luleve dhe çdo aktivitet tjetër të ditës. Çdo gjë ia kam arritur vetëm falë mbështetjes që familja ime ka treguar për mua.

Intervistoi : Megi Latifi