Delta e lumit Pearl në provincën Guangdong të Kinës jugore gjatë dekadës së fundit është transformuar gradualisht nga një bazë e industrive tradicionale të prodhimit në një qendër ndërkombëtare për shkencën dhe teknologjinë.

Foto:VCG

Foto:VCG

Një sërë ndërmarrjesh tradicionale prodhuese kanë përqafuar një transformim digjital gjatë 10 viteve të fundit. Provinca Guangdong ka bërë gjithashtu përpjekje për të forcuar zonat e dobëta në kërkimin shkencor bazë dhe për të përshpejtuar kultivimin e industrive strategjike në zhvillim.

Transformimi digjital

Në kompaninë “Midea Group”, një gjigant kinez i pajisjeve shtëpiake me bazë në qytetin Foshan të Guangdong, linjat e robotëve industrialë kryejnë operacione, ndërsa dy teknikë monitorojnë parametrat në një ekran digjital.

“Midea Group”, e cila zotëron katër fabrika, është transformuar nga një kompani tradicionale e prodhimit të pajisjeve shtëpiake në një kompani standarde për prodhimin digjital në deltën e lumit Pearl.

“Midea” e nisi transformimin digjital në vitin 2011. “Deri në fund të vitit 2021, të ardhurat tona ishin rritur me 156 për qind dhe fitimi neto ishte rritur me 333 për qind”, -deklaroi Zhang Xiaoyi, zv.drejtor i kompanisë.

I konsideruar si kryeqendra e pajisjeve shtëpiake në Kinë, distrikti Shunde i qytetit Foshan ka promovuar më shumë se 33 për qind të ndërmarrjeve të mëdha industriale për të realizuar transformimin digjital dhe prodhimin inteligjent në vitet e fundit.

Më shumë se 80 për qind e ndërmarrjeve kryesore në Foshan pritet të arrijnë transformimin digjital deri në vitin 2026, tha Zheng Ke, sekretar i Komitetit Komunal Foshan të Partisë Komuniste të Kinës.

Përveç “Midea”, më shumë ndërmarrje të vogla dhe të mesme (SME) në zonë po përpiqen të arrijnë transformimin digjital. Foshan ka krijuar një fond të transformimit dhe zhvillimit të prodhimit për të promovuar transformimin digjital të SME-ve.

“Guangdong KEDA Hydraulic Technology Co., Ltd.” në Foshan ka eksploruar transformimin digjital që nga viti 2005. Deri më tani, kompania ka arritur mbulim të plotë 5G në fabrikat e prodhimit. Menaxheri i përgjithshëm, Yang Xuexian, tha se kompania ka kursyer 40 për qind të konsumit të saj të energjisë përmes transformimit digjital dhe vlera e prodhimit për frymë është rritur me më shumë se 60 për qind.

Qyteti Shiling në Guangzhou, kryeqendra e provincës Guangdong, njihet si metropoli kinez i lëkurës. Rreth 8800 kompani prodhojnë më shumë se 700 milionë çanta dhe produkte të tjera lëkure çdo vit. Duke u përballur me ndikimin negativ të pandemisë Covid-19, shumë ndërmarrje po kërkojnë ndihmën e makinerive të digjitalizuara.

“Longzhuo Leather Co., Ltd.” zgjodhi të përdorë robotë për të ndihmuar në përmirësimin e efikasitetit. Huang Haifeng, menaxher i përgjithshëm i kompanisë, tha se efikasiteti i prodhimit është rritur me 10 për qind në vetëm gjysmë viti. “Investimi në transformimin digjital është 800.000 juanë dhe ndihmon për të kursyer 800.000 juanë në vit. Pra, pse mos ta përqafojmë transformimin digjital?”, -shtoi Huang.

Guangdong ka promovuar transformimin digjital të rreth 22.500 ndërmarrjeve të mëdha industriale. Departamenti i Industrisë dhe Teknologjisë së Informacionit bëri të ditur se provinca synon të realizojë transformimin digjital për rreth 50.000 ndërmarrje deri në vitin 2025.

Foto:VCG

Foto:VCG

Forcimi i zinxhirëve të dobët

Hulumtimi i pamjaftueshëm në shkencën bazë ka qenë prej kohësh një pengesë për zhvillimin e Guangdong. Duke përfituar nga forcat kryesore ekonomike në vend, vitet e fundit Guangdong i është përkushtuar ndërtimit të aparateve shkencore dhe tërheqjes së instituteve kërkimore në nivel kombëtar.

Ndërtimi i “China Spallation Neutron Source”, struktura e parë kineze për burimin e neutronit me pulsim, filloi një dekadë më parë në qytetin Dongguan. Chen Hesheng, akademik i Akademisë Kineze të Shkencave, shërbeu si menaxher projekti i selisë së inxhinierisë në moshën 65-vjeçare.

Si një platformë e avancuar eksperimentale për kërkime shumëdisiplinore, struktura është në gjendje të nxisë zhvillimin e teknologjisë së lartë në shumë fusha aplikimi si shkencat materiale, shkencat e jetës, mjediset e burimeve dhe energjia e re.

“Ndërtimi i suksesshëm i burimit të neutronit në Dongguan tregon vendosmërinë dhe arritjet e provincës Guangdong për të promovuar inovacionin shkencor dhe teknologjik”, -tha Chen.

Infrastruktura kryesore shkencore dhe teknologjike ka bërë një hap përpara në deltën e lumit Pearl, duke përfshirë qendrat kombëtare të superkompjuterëve në Guangzhou dhe Shenzhen, observatorin nëntokësor të neutrinove në Jiangmen dhe objektin e përshpejtuesit të joneve të rënda me intensitet të lartë në Huizhou.

Shpenzimet për kërkimin bazë në Guangdong janë dyfishuar në pesë vitet e fundit. Më shumë se një e treta e fondeve financiare provinciale për shkencën dhe teknologjinë gjatë periudhës së Planit të 14-të Pesëvjeçar (2021-2025) do të investohen për kërkimin bazë, deklaroi Wu Shiwen, zëvendësdrejtor i Departamentit provincial të Shkencës dhe Teknologjisë.

Në distriktin Nansha të Guangzhou pasagjerët janë në gjendje të gjejnë vendndodhjen e 500 ndalesave për taksitë vetëdrejtuese duke përdorur aplikacionin celular “PonyPilot+”. Kompania kineze e makinave autonome “Pony.ai” ka prezantuar shërbimet “robotaksi” në zonën qendrore të qarkut që mbulon një hapësirë prej 300 kilometra katrorë.

“Me rritjen e vazhdueshme të kërkimit dhe zhvillimit, si dhe me aplikimin e drejtimit autonom vitet e fundit, Kina tashmë është bërë lider global për zhvillimin teknologjik”, -deklaroi Mo Luyi, zv.drejtor i “Pony.ai”.

Statistikat nga Departamenti i Shkencës dhe Teknologjisë në Guangdong tregojnë se numri i përgjithshëm i ndërmarrjeve të teknologjisë së lartë në provincë tejkaloi 60.000 në vitin 2021, duke u renditur e para në Kinë për gjashtë vjet rresht. Ndërmarrjet e shkencës dhe teknologjisë janë bërë një forcë e rëndësishme në përpjekjet e provincës për të krijuar një model të ri zhvillimi.

“Ndërkohë, ka pasur interesim nga një sërë ndërmarrjesh lider të shkencës dhe teknologjisë që janë konkurruese ndërkombëtarisht dhe shumë ndërmarrje teknologjike thelbësore në industritë në zhvillim janë ngritur në Guangdong, duke u bërë shtylla bazë e zhvillimit ekonomik të provincës me cilësi të lartë”, -tha Gong Guoping, drejtor i Departamentit provincial të Shkencës dhe Teknologjisë.