Po merr një kthesë të fuqishmë për mirë ecuria e sektorit turistik në vend. Pritshmëtitë pozitive analizohen nga një situatë mjaft e favorshme, ndërkohë që përfaqësues nga Shoqata e turizmit thonë se po i afrohemi me shifra vitit 2019, që konsiderohet si i artë sa i takon numrit të vizitorëve, periudhë para pandemisë.

Pamje nga Shqipëria(Foto Euractiv.com)

Pamje nga Shqipëria(Foto Euractiv.com)

Për Revistën Monitor, Zak Topuzi, nga Shoqata Shqiptare e Turizmit thotë se aeroportet janë thuajse plot me vizitorë.

Duket një sezon pozitiv, duke pasur parasysh lehtësimet që kanë ndodhur pas dy vitesh pandemie. Pothuajse e gjithë bota është hapur, nuk ka më kufizime. Evropa i ka hequr përfundimisht të gjitha kufizimet dhe certifikatën që kërkonte më përpara. Shqipëria deri në momentet e tanishme është pothuajse me numrin e turistëve krahasuar me pesmujorin e vitit 2019, që mbahet si një nga vitet më të mirë të turizmit jo vetëm në Shqipëri, por edhe në botë. Kjo premton që do të jetë një sezon pozitiv. Duke pasur parasysh që gjithë bota po lëviz, aeroportet janë pothuajse plot dhe nuk është vetëm çeshtja e aeroportit shqiptar dhe duket një shenjë pozitive.”- tha Topuzi.

Zak Topuzi (Foto dosja.al)

Zak Topuzi (Foto dosja.al)

I pyetur nëse do të kemi një goditje në turizëm për shkak të situatës së luftës Ukrainë- Rusi, Topuzi thotë se nuk do të ketë ndikim të madh, pasi në Shqipëri peshën më të madhe të turistëve e zënë ata nga vendet e rajonit.

“Duke pasur parasysh që Shqipëria gati 65% të turistëve i ka rajonalë, kryesisht nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe pjesa tjetër janë turistë të ndryshëm, është gjë pozitive dhe për momentin nuk ka ndonjë ndikim të madh. Zona rusishtfolëse përbën gati 2.5% të turizmit shqiptar. Sigurisht që është një turizëm i mire, pasi ata qarkullojnë gjatë gjithë vitit, por do t’i mungojë këtë vit dhe bësoj që do të kompensohet nga turistë të tjerë. Turistët nordikë janë kthyer. Edhe turistë nga Evropa Qendrore janë kthyer. Kështu që, shpresojmë të mos ketë ndikim nga lufta.” u shpreh Zak Topuzi, nga Shoqata Shqiptare e Turizmit

Si çdo sezon turistik, nuk mbeten pas problemet në drejtime të ndryshme si akomodimi, mbetjet apo infrastruktura.

Në fakt Shqipëria ka mjaft probleme. Disa nga problemet kryesore janë se ne kemi mungesë kapacitetesh akomoduese, kryesisht hotele të mëdha dhe resorte të mëdha të cilët akomodojnë persona, të cilët shpenzojnë për turizmin. Duke qenë se turizmi në Shqipëri, 62% pothuajse zhvillohet në tre muaj, qershor, korrik, gusht, këto lloj investimesh janë më të rëndësishme dhe sjellin të ardhura. Megjithatë, Shqipëria deri tani ka rreth 95’000 shtretër. Disa nga elementët e tjerë që janë negative në Shqipëri është problemi i mbetjeve, ndaj shpresojmë që këtë vit menaxhimi i tyre të jetë në nivele më të mira. Problem tjëtër është infrastruktura e cila përgjithësisht krijon grumbullime, bllokime në trafik kryesisht në fundjavë, problem i cili nuk është i thjeshtë për t’u zgjidhur. Ndërkohë që rajoni ka bërë përmirësime të dukshme në këtë drejtim, ne akoma kemi disa pika nevragjike. Shpresojmë që me investimet që do të bëhen këto dy-tre vjet ndoshta mund të ketë përmirësime.”- shprehet Topuzi.

Për të përballuar sezonin turistik duhet edhe fuqia punëtore e kualifikuar dhe sigurisht një shtim i punonjësve në pikun e turizmit, por kjo gjë për rrjetin hotelier është një problem tjetër.

“Një nga problemet kryesore është dhe fuqia punëtore e kualifikuar, e cila është një problem botëror, nuk është vetëm çështje e Shqipërisë. Ne e ndjejmë më tepër pasi një pjesë e mirë e punonjësve të industrisë gjatë dy viteve e lanë atë profesion dhe kapën profesione të tjera ose u larguan në rajon dhe ky është problem i cili këtë verë do ta vuajmë. Në përgjithësi strukturat e bregdetit që punojnë tre deri në pesë muaj me punonjës sezonalë janë një tjetër problem, por shpresojmë që vitin tjetër të stabilizohet”, thekson eksperti i turizmit.

Shqipëria turistike (Foto Global voices)

Shqipëria turistike (Foto Global voices)

Tirana këtë vit është “Kryeqyteti Europian i Rinisë” dhe kjo ka bërë që mos t’i shpëtojë syrit të vizitorëve, të cilët janë të pranishëm në evente dhe organizime të ndryshme.

“Shpresojmë që të jetë një vit diku 5 deri në 10% me numër më të madh turistësh në Shqipëri. Kjo falë edhe eventeve që ka Shqipëria gjatë këtij viti. Tirana po vizitohet nga mjaft grupe turistike, të cilët mblidhen qoftë me amplifikimin që i është bërë Shqipërisë dhe Tiranës në veçanti si “Qyteti i Rinisë” dhe aktivitetet që zhvillohen në Tiranë cdo ditë, por edhe disa aktivitete në zona turistike. Shpresojmë që kjo lëvizje të reflektohet në rritjen e numrit të turistëve, në numrin e të ardhurave dhe në cilësinë e turistëve, pasi sot nuk diskutohet më vetëm numri, sot diskutohen sa të ardhura sigurojnë këta turistë në krahasim me rajonin.”, tha Topuzi.