Inflacioni i lartë ka të ngjarë të ndikojë më shumë kursimet, sesa huadhënien në ekonomi. Artan Gjergji, ekspert i tregjeve financiare thotë në një intervistë për Revistën “ Monitor” se kërkesa në kredi pritet të jetë e qëndrueshme, pavarësisht normave të interesit.

Risku (Foto nga Holistic Investment Planners)

Risku (Foto nga Holistic Investment Planners)

“Kjo tregon që investitorët kanë pritshmëri risku më të larta. Pse ka ardhur kjo? Kryesisht risku i perceptuar më i lartë ka ardhur për shkak të problematikës së imponuar në tregjet financiare që vjen nga tregjet e mallrave, të cilat normalisht janë ndikuar jashtë mase shumë nga konflikti i luftës në Ukrainë. Është pasqyruar direkt në tregjet e mallrave, sidomos në tregjet e mallrave të lëndëve të para dhe kjo automatikisht është reflektuar edhe tek tregjet e letrave me vlerë. Ky lloj risku i perceptuar normalisht rrit paqartësinë në sytë e investitorëve dhe frikën dhe kjo është arsyeja pse investitori, nëse vendos të bllokojë fondet e tij të lira në këtë periudhë, kërkon një normë kthimi relativisht më të lartë.”- thotë Gjergji.

Eksperti Gjergji sqaron se risk i perceptuar nga investitoret dhe sipërmarrësit është edhe efekti rritjes së çmimeve.

“Një tjetër element që ka ndikuar në rritjen e perceptimit të riskut tek investitorët është dhe norma e inflacionit, e përmendur edhe më pare. Për shkak të konfliktit në Rusi dhe Ukrainë, ne kemi nje risk të perceptuar, një efekt të inflacionit në të gjithë gamën e produkteve dhe shërbimeve sepse në momentin që ndikohen lëndët e para siç janë nafta, hidrokarburet apo drithrat dhe më rradhe, kjo do të pasqyrohet në rritje të nivelit bazë të çmimeve në të gjithë zinxhirin e produkteve ushqimore dhe jo ushqimore. Kështu që, rritja e inflacionit ka rritur perceptimin e investitorëve ndaj riskut dhe për rrjedhojë një investitor i zgjuar, dikush që e di se çfarë kërkon në procesin e investimit, normalisht kërkon një normë kthimi që të jetë relativisht të paktën e barabartë me normën e inflacionit ose më lartë.-shprehet Gjergji.

Eksperti Artan Gjergji (AECA )

Eksperti Artan Gjergji (AECA )

Eksperti shpjegon edhe efektin e rritjes dhe normave të interesit në bankën qëndrore.

“Në fakt duhet thënë që instrumenti i politikës monetare reflektohet shumë herë më shpejt në anën e kredisë, sesa në anën e depozitave. Ky tashmë është një fenomen i konsoliduar në tregun financiar shqiptar. Mund të ketë rritje të normave të interesit ndoshta në bankat e mesme dhe të vogla, të cilat kanë nevojë për depozita, e thënë ndryshe kanë kërkesë për kredi shumë të madhe dhe ndoshta me nivelin e depozitave që kanë nuk e furnizojnë nivelin e kredisë, për rrjedhojë bëhen pak më atraktive, rrisin normat e interesit të kredive në mënyrë që të furnizojnë me kapital të lirë kërkesën për kredi që u vjen nga klientët e tyre. Nuk më rezulton që të ketë rritje të normave të depozitave për bankat e mëdha dhe kjo është krejtësisht normale sepse bankat e mëdha kanë likuiditet mjaftueshëm, kanë depozita mjaftueshëm, e përballojnë pa asnjë lloj problemi nivelin e kërkesës së kredisë brenda mundësive pa pasur nevojë t’i drejtohen instrumentave të tilla. Ndërsa në anën e kredisë unë mendoj që rritja e normave të interesit në bankën qendrore dhe sinjalet që banka qendrore ka dhënë që në dy vitet e ardhshme pritshmëria e tyre është për të aplikuar një farë politike shtrënguese me qëllim reduktimin e inflacionit, normalisht kjo do të pasqyrohet dhe tek niveli i kredisë”, thotë eksperti.

Risku (Foto nga The balance)

Risku (Foto nga The balance)

Por a do të ketë ulje të kërkesës për kredi për shkak të situatës së krijuar?

“Të jem i sinqertë unë nuk mendoj që do të kemi një zbutje të rritjes së nevojës për kredi në ekonomi, për shumë arsye. E para mendoj se gjithmonë kërkesa për kredi, për fonde në ekonomi ka qenë gjithmonë më e madhe se oferta, kështu që, ngjarjet e fundit apo ndryshimet e konjukturave nuk kanë pasur një impakt kaq të madh. Mos të harrojmë një ekonomi që i mbijetuam me sukses dy goditjeve financiare shumë të forta sic ishin tërmeti dhe pandemia më pas, pavarësisht me efektet që la, por ne në ndryshim nga gjithë bota që kishte vetëm pandeminë, patëm dhe tërmetin dhe kjo normalisht ishte një goditje që jo në pak raste lë gjurmë, kështu që pjesa e inflacionit unë nuk mendoj që do të japë një impakt shumë të madh. “theksoi ekspert i tregjeve financiare Artan Gjergji në një intervistë për revistën “Monitor”