Foto:VCG

Foto:VCG

Sivjet është 25-vjetori i kthimit të Hong-Kongut në atdhe. Hong-Kongu njihet si një nga tre qendrat ndërkombëtare financiare të botës, bashkë me Nju-Jorkun e Londrën, dhe është metropoli më i njohur në pjesën jugore të Kinës. Fama e tij ka filluar para shumë vjetësh, kur ishte port i rieksportit të mallrave. Pas kthimit në vitin 1997, Hong-Kongu ka pasur zhvillim të mëtejshëm, dhe qysh nga ajo kohë, më shumë njerëz e quajnë si “Perla Lindore”.

Në fakt, pas Reformës e Hapjes të Kinës në vitin 1978, GDP-ja e Hong-Kongut shënoi rritje mbi dhjetëfish, duke i kaluar ekonomitë e zhvilluara, si Gjermania, Britania dhe Japonia. Veçanërisht pas kthimit në atdhe më 1997, Hong-Kongu dhe pjesa kontinentale e Kinës janë lidhur më ngushtë ekonomikisht, çka ka dhënë kontribut të rëndësishëm për Reformën e Hapjen e Kinës, si edhe zhvillimin e shpejtë të rajonit të Hong-Kongut. Kjo është pranuar gjerësisht në botë si epërsia unike e Hong-Kongut.


Foto:VCG

Foto:VCG

Arritjet e dukshme nga epërsia unike

Zhvillimi i shpejtë i Hong-Kongut filloi në vitet ’60 të shekullit të kaluar, kur Hong-Kongu u fokusua te sektori i prodhimit dhe përpunimit me punë intensive, duke u bërë rajoni më i pasur dhe më i zhvilluar në Azi. Gjatë më shumë se 50 vjetëve, ndër “katër dragonjtë e Azisë”, disa janë zhvilluar mirë, disa jo, por Hong-Kongu gjithmonë renditet ndër të parët.

Singapori është një nga “katër dragonjtë e Azisë” dhe njerëzit shpeshherë bëjnë krahasim mes tij e Hong-Kongut. Për shumë vjet, Hong-Kongu dhe Singapori kanë konkurruar për statusin e qendrës financiare të Azisë. Por më shumë ndërmarrje dhe ekspertë mendojnë që Hong-Kongu ka epërsi më të madhe.

Sipas Treguesit të Qendrave Globale Financiare të publikuar nga instituti britanik i studimit të politikave “Z/Yen”, Nju-Jorku dhe Londra ndodhen në dy vendet e para si qendra financiare, ndërsa Hong-Kongu dhe Singapori për një kohë të gjatë renditen në vendin e 3-të e të 4-tin. Posaçërisht në vitet 2018 e 2019, Hong-Kongu e ka zmadhuar distancën me Singaporin, duke konsoliduar statusin e vet si qendër financiare në Azi.

Për këtë, profesori i ekonomisë i Universitetit Kombëtar të Singaporit, Hu Guangzhou, është i mendimit që ndryshimi më i madh mes Hong-Kongut dhe Singaporit është që Hong-Kongu është pjesë e Kinës dhe ka mbështetje të fuqishme nga ekonomia e dytë më e madhe në botë, e cila ende po shënon rritje të shpejtë. Kjo është një epërsi që nuk e ka Singapori.

Në fakt, për shkak që Hong-Kongu ka infrastrukturë të plotë, transparencë të lartë, pozicion të mirë gjeografik dhe kulturë të së njëjtës origjinë, kompanitë e pjesës kontinentale të Kinës parapëlqejnë të regjistrohen në Bursën e Hong-Kongut. Gjithashtu, kompanitë ndërkombëtare që kanë biznes me Kinën i vendosin në Hong-Kong selitë e tyre të Azi-Paqësorit. Të dhënat tregojnë që në vitin 2018, 80 % e investimeve të huaja të drejtpërdrejta në krahinat e brendshme të Kinës janë bërë nëpërmjet Hong-Kongut.

Ndërkohë, shumë ndërmarrje kineze bëjnë investime globale nëpërmjet Hong-Kongut. Sipas Zyrës së Statistikave të qeverisë së Rajonit të Posaçëm Administrativ të Hong-Kongut, në vitin 2020, hyrja e investimeve të drejtpërdrejta ishte 911.1 miliardë dollarë hongkongas, nga 456.7 miliardë dollarë në 2019-n, ndërsa dalja e investimeve të drejtpërdrejta ishte 647.4 miliardë dollarë hongkongas, nga 295.9 miliardë në 2019. Ndër to, hyrja e investimeve nga pjesa kontinentale renditet në vendin e parë, duke arritur në 337.2 miliardë dollarë hongkongas. Kjo ka mbështetur fuqimisht zhvillimin ekonomik të Hong-Kongut.


Foto:VCG

Foto:VCG

Jo i vetëm përballë krizave

Hong-Kongu u kthye në atdhe në korrik 1997 dhe “afërsisht në tetor, kriza financiare e Azisë goditi Hong-Kongun në mënyrë të befasishme. Unë kujtoj që një ditë, niveli i interesave ndërbankare u rrit deri në mbi 70 % - dhe madje arriti në 100 % - dhe asnjë biznes nuk mund të bëhej. Kjo ishte një gjendje që nuk e kisha parë kurrë,” thotë presidenti i nderit i Dhomës Kineze të Tregtisë të Hong-Kongut, dr. Jonathan Choi Koon-shum.

Ai kujtoi që në atë kohë, shumë njerëz kishin ndjesinë që Hong-Kongu gjendej në një tunel të errët, ku nuk kishte asnjë dritë shprese.

Me sulmet e paskrupullta nga spekulatorët ndërkombëtarë të financave, Bursa e Hong-Kongut dhe dollari hongkongas pësuan humbje të mëdha dhe sistemi financiar i Hong-Kongut ishte në prag të shembjes. Në këtë moment kyç, qeveria qendrore kineze bëri premtimin “që me çdo kosto të ruhet lulëzimi dhe stabiliteti i Hong-Kongut”, duke ofruar përkrahje të vendosur. Ky ishte si një “stabilizator” për qytetarët hongkongas, duke u bërë një mburojë e fortë mbështetëse për qeverinë e Rajonit të Posaçëm Administrativ të Hong-Kongut. Pas një lufte të ashpër, spekulatorët ndërkombëtarë u larguan dhe tregu financiar i Hong-Kongut doli jashtë krizës dhe në të u kthye qetësia.

Më pas, Hong-Kongu pësoi krizën e së ashtuquajturës “çarje e shkumës së internetit” në vitin 2000, shpërthimin e epidemisë së SARS-it më 2003 dhe krizën globale financiare në vitin 2008. Çdo herë Hong-Kongu nuk ishte i vetëm dhe çdo herë qeveria qendrore kineze nuk la asgjë pa bërë për ta ndihmuar Hong-Kongun të kalojë gjendjen e vështirë.

Foto:VCG

Foto:VCG

Në raportin e punës qeveritare për vitin 2021, kryeekzekutivja e Rajonit të Posaçëm Administrativ të Hong-Kongut Carrie Lam u shpreh që, në vitin e kaluar, hyrja e investimeve të huaja të drejtpërdrejta në Hong-Kong u rendit në vendin e tretë të botës. Edhe pse ka pasur disa vështirësi serioze, mjedisi i biznesit në Hong-Kong nuk është dëmtuar. “Sistemi financiar në Hong-Kong është i fortë si shkëmb dhe biznesi është në gjendje aktive. Rritja e vazhdueshme e krahinave të brendshme dhe thellimi i Reformës e Hapjes në sektorin financiar është një mbështetje e fuqishme për zhvillimin e sektorit financiar të Hong-Kongut. Me parimin ‘Një vend, dy sisteme’, Hong-Kongu do të luajë rol më të dukshëm si urë për hyrjen e kapitaleve ndërkombëtare në Kinë dhe daljen e investimeve kineze në botën e jashtme,” theksoi Carrie Lam në raportin e punës. (Jiang Lei)


Për më shumë mbi Hong-Kong:

Hong-Kongu, “aventura” nga fshati i vogël në metropolin ndërkombëtar

Hong-Kong, arritje të mëdha bazuar tek epërsitë e veçanta

Hong-Kongu, rast historik për një të ardhme më të mirë