Rritja e çmimeve të lëndëve të para ka shtuar kostot edhe për prodhimin e birrës në Shqipëri, shkruhet në një artikull të “Monitor”. Shqetësimi ngrihet nga Kryetari i Shoqatës së Prodhuesve të Birrës Stefan Pinguli në një intervistë për “Monitor”. Pinguli tha se në këtë situatë qeveria duhet të ndërhyjë me rritjen e subvencioneve për akcizën e naftës. Gjithashtu prodhuesit ngritën edhe shqetësimin e rënies së konsumit të birrës e ndikuar nga emigracioni i popullatës dhe importet me çmime të lira.

Sipërmarrësi Stefan Pinguli(Foto Gazeta Mapo)

Sipërmarrësi Stefan Pinguli(Foto Gazeta Mapo)

“Problemet që kemi me prodhimin e birrës janë tre faktorësh. Faktori i parë sigurisht janë lëndët e para për të cilat siç e dini kanë dhe këto dy nënfaktorë. I pari është fakti që janë rritur nga 35% deri në 50% dhe së dyti janë vonesat në porosi, të cilët nuk mbajnë më të njëjtën korrektesë siç kanë qenë përpara dhe në përgjithësi kemi pasur probleme shumë të mëdha lidhur me vonesat e ardhjes. Kjo sidomos kur ka një të linjës së prodhimit dhe mungesa e tyre na sjell probleme shumë të mëdha. Ky është problemi i lëndëve të para” shprehet Pinguli.

Prodhuesit thonë se kanë edhe probleme të brendshme dhe jo vetëm nga faktorët e jashtëm.

“Problemi i dytë është problemi i energjisë, i cili ka dy nënfaktorë: energjinë si vlerë e shtuar, e cila ka kaluar të gjitha përmasat e rritjes dhe mbi të gjitha nuk ka një objektiv, që do të arrijë këtu, është bërë me planifikime. Siç e shihni jemi përpara një mosplanifikimi financiar dhe një raporti të vështirë me fiskon sepse ne nuk mbajmë dot çmime të stabilizuara, për pasojë nuk mbajmë dot raporte fiskale të stabilizuara për të pasur një çmim të stabilizuar, i cili do të siguronte vazhdimësinë e jetës së prodhuesve”- shprehet më tej prodhuesi i birrës.

Problem është edhe kosto që rrjedh nga nafta, pasi sektori i birrës padyshim lidhet ngushtë me transportin dhe shpërndarjen.

“Nafta tek ne përvec elementit energjitik ka dhe një element statistikor dhe fiskal, i cili përvec çmimit të lartë që është krijuar, nga 35%-50% kemi dhe një problem tjetër i cili vazhdon të mos kemi një mbështetje në lidhje me çështjen e futjes së konsumit të naftës në koston e prodhimit. Një pjesë të madhe të kostos kemi transportin. Ky transport lëviz nëpërmjet energjisë së naftës dhe kjo naftë duhet të na merret parasysh si pjesë e kostos sidomos në rimbursimin e akcizës dhe TVSH-së së kësaj nafte, e cila sot për sot është e kufizuar në nivele qesharake. Për shembull vazhdon të ketë elementë të tilla që vazhdojmë kontrrollohemi kohë pa kohë në një moment urgjent kur ne vuajmë nga një problematikë shumë e madhe njerëzish.”, thekson ai.

Fermentimi i birrës (Foto Monitor)

Fermentimi i birrës (Foto Monitor)

Problem është edhe konkurrenca nga mallrat e importit.

“Duke qenë se ka lëvizur fronti më i ri i shoqërisë jashtë shtetit, ky front i ri jashtë shtetit që kishte disa lekë konsumonte birrat shqiptare. Tani ka ngelur një pjesë e njerëzve, statistikat konstatojnë se kanë ngelur 2/3 e birrëpirësve. Këto 2/3 e birrëpirësve janë ata njerëz që kanë pas pirë birrat e shtrenja. Elementi numër dy që na ka ndodhur, është se birrat e huaja, sidomos për faktin që kanë pas probleme me prodhimet jashtë shtetit në momentet e gripit, bënë prodhime shumë të mëdha. Unë jam i sigurtë, pavarësisht se nuk mund ta provoj këtë, që ata kanë ndërruar dhe datat dhe këtu vjen birra me data me birra të vjetra, se ne i konstatojmë nga kontrolli laboratorik. I kanë marrë me çmime shumë të ulëta dhe dalin në terren me cçmime pothuajse të barabarta me ne. “- shprehet Pinguli.

Shqiptarët sipas Pingulit janë të prirur tek birrat e huaja.

“Konsumi i birrës në të vërtetë mund të jetë rritur për njësi të popullatës, por popullata ka lëvizur jashtëzakonisht. Turistët që vijnë, duhet të kemi parasysh që gjysma e këtyre turistëve janë shqiptarë, pavarësisht se ne them turistë, por shqiptarë shkojnë dhe vijnë. Këta shqiptarë kanë një 5 lekë më shumë në xhep dhe kanë më shumë besim të birrat e huaja se te birrat tona. Vijnë këtu dhe pijnë birrat e huaja, jo birrat e vendit. Gjysma e turistëve kjo, janë 3 milion vetë”, thekson ai.

Përfaqësuesi i biznesit në radhët e prodhuesve sugjeron që qeveria të mendojë skema kompensimi përballë kësaj situatë të krijuar me rritjen e kostove.

“Në përgjithësi çmimet janë rritur, në arkën e shtetit për njësi produkti vijnë më shumë lekë. Duke ardhur më shumë lekë për njësi produkti në përgjithësi ky volum i përgjithshëm, shteti mbledh më shumë tatime. Përse shteti këtë pjesë të shtuar të tatimeve që mbledh nuk e kompenson në uljen e kostove të mundshme që ka? Për shembull të rrisë volumin e rimbursimit të akcizës për produktin e naftës. Ne paguajmë akcizën për naftën, pse të mos na rimbursohet akciza e naftës? Kjo është e para. E dyta: përse nuk zhvillon më tej idenë e rritjes së produktit të energjisë me fotoelemente, të cilët e kanë të kufizuar me volumetri, por ndërkohë t’i japë hapësirë”, përfundon sipërmarrësi i birrës Stefan Pinguli në intervistën për “Monitor”.