Pavarësisht sfidave të shkaktuara nga pandemia Covid 19 dhe pasiguritë e jashtme, Hong Kongu mbetet një qendër kryesore financiare në botë, me mundësi të reja përpara për të ngritur statusin e tij global. Hong Kongu siguroi vendin e tretë në Indeksin më të fundit të Qendrave Financiare Globale, duke mbetur ndër kryesuesit në fusha të tilla si mjedisi i biznesit, kapitali njerëzor, infrastruktura dhe reputacioni i përgjithshëm, sipas indeksit të përpiluar nga grupi i ekspertëve britanikë Z/Yen dhe Instituti i Zhvillimit të Kinës në Shenzhen.

Që nga kthimi i Hong Kongut atdheut më 1997-n, tregu i tij financiar ka evoluar, me përparim të dukshëm në sistemin bankar, tregun e kapitalit, si dhe në tregun e këmbimit valutor.

Foto nga VCG

Foto nga VCG


Përparim i dukshëm
Një grup të dhënash nga Autoriteti Monetar i Hong Kongut tregojnë se sa shpejt është zhvilluar tregu financiar i Hong Kongut gjatë 25 viteve të fundit.
Ato tregojnë se aktivet e kombinuara të sistemit bankar të qytetit arritën në 27 trilionë dollarë të Hong Kongut (rreth 3.4 trilionë dollarë amerikanë) në prill 2022, më shumë se trefishi i korrikut 1997.
Tregu i aksioneve u vlerësua në 38 trilionë dollarë hong-kongas HK deri në maj 2022, krahasuar me vetëm 4.6 trilionë dollarë HK në korrik 1997. Vitin e kaluar, u emetuan rreth 400 miliardë dollarë obligacione, krahasuar me më pak se 20 miliardë dollarë në 1997-n.
Përveç zgjerimit, tregu financiar i Hong Kongut ka luajtur një rol vendimtar në lidhjen e tregut në zhvillim të kapitalit në pjesën kontinentale me investitorët globalë, me xhiron e aksioneve dhe programet e lidhjes së obligacioneve që zgjerohen në mënyrë të qëndrueshme.
Statusi i Hong Kongut si një qendër financiare globale është përmirësuar dhe është bërë më i qëndrueshëm gjatë 25 viteve të fundit, ndërsa roli i tij si një urë lidhëse midis pjesës kontinentale dhe pjesës tjetër të botës është bërë më i spikatur",- tha shefi ekzekutiv i Autoritetit Monetar të Hong Kongut, Eddie Yue .
Përballimi i sfidave

Ndërsa është bërë përparim, nuk është gjithmonë e lehtë. Tregu financiar në Hong Kong ka tejkaluar kriza të shumta, duke përfshirë krizën financiare aziatike të vitit 1997, shpërthimin e SARS-it në vitin 2003, cunamin financiar global të vitit 2008, kaosin dhe trazirat e vitit 2019 që minuan ekonominë e qytetit, si dhe pandeminë e vazhdueshme Covid 19.

Sekreti pas stabilitetit të tregut, pavarësisht këtyre sfidave, qëndron në besimin e investitorëve globalë, i cili lind nga aftësia e tregut për t’u mbrojtur kundër goditjeve, tha Yue.

Rezervat valutore në Hong Kong u rritën nga rreth 80 miliardë dollarë amerikanë në korrik 1997 në më shumë se 460 miliardë dollarë amerikanë në maj 2022.

Sistemi bankar ruan gjithashtu rrezik të ulët, me raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit të bankave mesatarisht mbi 20 për qind, ndërsa raporti i kredive me probleme ishte më pak se 1 për qind, duke treguar rreziqe më të ulëta se disa tregje të mëdha financiare në botë, vuri në dukje Yue.

Për më tepër, mbështetja nga pjesa kontinentale ofron një shtresë tjetër mbrojtëse për tregun financiar të Hong Kongut ndaj goditjeve të jashtme. Programet e lidhjes së aksioneve dhe obligacioneve rritën likuiditetin e tregut, duke nxitur agjentët dhe institucionet e tjera financiare të qëndrojnë në Hong Kong, sipas Yue.

"Hong Kongu gëzon një avantazh të veçantë, që kemi mbështetje nga pjesa kontinentale e Kinës, ndërsa ruajmë lidhjet me pjesën tjetër të botës",- tha ai.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Përqafimi i mundësive

Mbështetja nga pjesa kontinentale i ofron gjithashtu Hong Kongut mundësi të reja për të përmirësuar më tej statusin e tij si një qendër financiare globale.

Hong Kongu mund të luajë një rol kryesor në rritjen e përdorimit global të monedhës kineze, tha Yue.

Ndërsa është partneri më i madh tregtar për shumë vende në botë, Kina ende kryen shumicën e tregtisë së saj në dollarë amerikanë, duke theksuar potencialin për përdorimin e juanit në pagesat tregtare.

"Në dy vitet e ardhshme, ka një potencial të madh rritjeje për përdorimin ndërkombëtar të renminbit",- tha Yue.

Autoriteti Monetar i Hong Kongut po shton përpjekjet për të rritur likuiditetin e juanit, duke promovuar produktet financiare në renminbi, duke përfshirë obligacionet dhe aksionet renminbi, tha ai.

Financat e gjelbra janë një tjetër fushë ku Hong Kongu ka përparësi. Falë nismave për zhvillimin e gjelbër nga qeveria qendrore, kërkesa për obligacione ose kredi të gjelbra është rritur në vitet e fundit, duke nxitur tregun e financave të gjelbra si në pjesën kontinentale, ashtu edhe në Hong Kong.

Sipas Yue, fondet e mbledhura nëpërmjet obligacioneve të gjelbra ose huave në Hong Kong arritën në 57 miliardë dollarë amerikanë vitin e kaluar, mbi katër herë më shumë se një vit më parë.

“Pavarësisht sfidave në tregun e përgjithshëm të aksioneve dhe obligacioneve në katër muajt e parë të këtij viti, ne pamë emetim edhe më të shpejtë të bonove dhe kredive të gjelbra se vitin e kaluar”,- tha ai.

"Ne shohim një të ardhme premtuese për financat e gjelbra në Hong Kong”,- përfundoi Yue.