Pamje nga Forumi(Foto Shoqata Shqiptare e Bankave)

Pamje nga Forumi(Foto Shoqata Shqiptare e Bankave)

Sistemi bankar duhet të jetë më pro teknologjisë, që ekonomia e Shqipërisë të mos jetë më e varur nga paraja që qarkullon në dorë. Thirrja bëhet nga përfaqësues të qeverisë, të cilët thonë se janë të hapur për bashkëpunim. Bankat duhet të investojnë më shumë për teknologjinë për të lehtësuar shërbimin me klientët dhe vetveten. Me këtë këshillë, zv/kryeministri Arben Ahmetaj foli për të mirat që ka sjellë e-Albania me mbylljen e sporteleve dhe shërbimet online. Zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj tha se investimet e bankave janë shumë të vogla në raport me investimet që ka kryer qeveria. Ai kërkoi që bankat të përgatitin një draft në formën e strategjisë për të adresuar hapat e nevojshëm në drejtim të digjitalizimit të mëtejshëm të pagesave dhe për rritjen e përfshirjes financiare.

“ Nëse thoni se keni investuar 75 mln euro në digjitalizim, e dini se sa ka investuar qeveria? S’ua them se do ju vijë zor. Disa herë më shumë ka investuar qeveria. Qeveria ka një milionë halle më shumë. 75 mln s’i bie as 17 mln në vit. Qeveria ka bërë hapa të pakrahasuara në dekada”, u shpreh Ahmetaj para përfaqësuesve të bankave.”

Digjitalizimi (Foto Shoqata shqiptare e bankave)

Digjitalizimi (Foto Shoqata shqiptare e bankave)

Në fjalën e tij, kryetari i Shoqatës së Bankave, Bledar Shella tha se në vitet e fundit sektori ka kryer investime kolosale për automatizimin dhe digjitalizimin e shërbimeve dhe në veçanti të atyre të pagesave. Sipas tij, sektori bankar vetëm prej vitit 2017 ka investuar mbi 75 milionë Euro për këto shërbime. Shella tha se, së shpejti, do finalizohet plotësisht ofrimi i pagesave për shërbimet publike në e-Albania. Megjithatë, ai theksoi se thellimi i digjitalizimit të pagesave kërkon edhe mbështetje me ndryshime të domosdoshme ligjore.

“Na vjen keq kur dëgjojmë se ne jemi mbrapa në digjitalizim. Ne ofrojmë të njëjtat standarde teknologjike si bankat e rajonit e më gjerë. Ne duam sa më pak veprime me para fizike dhe sa më pak njerëz në sportele. Por, digjitalizimi i shërbimeve financiare nuk është një mision që mund ta përmbushin të vetme bankat. Unë dua të shtroj disa pyetje. Pse në Shqipëri nuk ekziston detyrimi i tregtarëve për të pranuar pagesa alternative, përveç parasë cash? Pse Shqipëria nuk ka një vlerë tavan për pagesat konsumatore me para fizike? Në vendet e rajonit të tilla masa ekzistojnë”, tha Shella.

Në fjalën e tij përshëndetëse guvernatori Sejko vlerësoi organizimin e këtij forumi si një hap të mëtejshëm dhe rrjedhojë logjike e diskutimeve dhe tryezave të përbashkëta midis sektorit bankar dhe institucioneve shtetërore në lidhje me digjitalizimin e shërbimeve financiare. Në krye të fjalës, guvernatori Sejko u shpreh se Banka e Shqipërisë ka vendosur tashmë një shtrat efektiv për krijimin e një revolucioni digjital në tregun e pagesave, nëpërmjet kuadrit ligjor e rregullativ në fuqi, i cili mund të konsiderohet i përparuar dhe në kontekstin e Bashkimit Evropian. Ndërkohë në nivel rajonal, Shqipëria është vendi i parë që ka miratuar kuadrin e nevojshëm ligjor e rregullativ dhe po nxit zbatimin e “open banking” në treg.

Pagesat mobile (Foto Shoqata e bankave)

Pagesat mobile (Foto Shoqata e bankave)

“Këtu do dëshiroja të ndalesha dhe të shpjegoja se koncepti i “open banking” nënkupton krijimin e zhvillimeve teknologjike, me qëllim që informacioni i klientëve të bankave të jetë i hapur ndaj palëve të treta. Në këtë drejtim, duhet të kuptojmë që pavarësisht digjitalizimit të dëshiruar nga të gjithë ne këtu, ky zhvillim kërkon investime dhe rregullime mjaft komplekse, të cilat do promovojnë inovacionin në një ambient që do të garantojë siguri maksimale. Duke marrë parasysh se nevoja për krijimin e një ambienti tejet prudent bëhet akoma më domethënëse në rastin e Shqipërisë, ku edukimi dhe përfshirja financiare janë relativisht të ulëta, nevoja për hedhjen e hapave të sigurt nga ana e aktorëve të tregut është shumë e rëndësishme. Përtej “open banking” dhe ridimensionimit të tregut nëpërmjet prezantimit të aktorëve dhe shërbimeve të reja, dua të përmend se janë ndërmarrë edhe një sërë masash rregullative dhe zhvillime infrastrukturore, të cilat kanë në fokus pikërisht nxitjen e pagesave elektronike në kuadër të Strategjisë Kombëtare të Pagesave me Vlerë të Vogël. Vlen të theksohet se me masat e ndërmarra deri më tani, objektivat e parashikuar në strategji për vitin 2023 janë arritur në mënyrë të kënaqshme që në vitin 2021.”- theksoi Sejko.

Në këtë drejtim, guvernatori vuri theksin në faktin se mbështetja dhe nxitja e pagesave elektronike, si në eksperiencat ndërkombëtare ashtu edhe në kontekstin shqiptar, janë parë si një nga mekanizmat më efikasë dhe të fuqishëm drejt formalizimit të mëtejshëm të ekonomisë. Më tej, ai shpjegoi se ky zhvillim kërkon investime dhe rregullime mjaft komplekse, të cilat do të promovojnë inovacionin në një ambient që do të garantojë siguri maksimale, çka bëhet më domethënëse në rastin e Shqipërisë, ku edukimi dhe përfshirja financiare janë relativisht të ulëta, ndaj nevoja për hedhjen e hapave inovativë dhe të sigurt nga ana e aktorëve të tregut është shumë e rëndësishme. Në vijim, guvernatori Sejko shtoi se nga Banka e Shqipërisë janë ndërmarrë edhe një sërë masash rregullative dhe zhvillimesh infrastrukturore, të cilat kanë në fokus pikërisht nxitjen e pagesave elektronike në kuadër të Strategjisë Kombëtare të Pagesave me Vlerë të Vogël. Ai nënvizoi se tregu tashmë është ndërgjegjësuar dhe është i vetëdijshëm se digjitalizimi është e ardhmja, jo vetëm si rrjedhojë e revolucionit teknologjik që po ndodh në çdo fushë të jetës, por edhe nga pikëpamja e zhvillimit strategjik të tyre, në kuadër të minimizimit të kostove e rreziqeve të mbartura nga praktikat tradicionale, dhe njëkohësisht të rritjes së produktivitetit efektiv.

“Për ta materializuar në shifra këtë zhvillim, vlen të përmendet se në vitin 2012, rreth 96% e transfertave incioheshin në letër në sportelet e bankave, ndërkohë që sot rreth 50% e transfertave procesohen në distancë. Nëse në llogaritje përfshijmë dhe pagesat me kartë, rezulton se 79% e pagesave dhe transfertave kryhen në distancë dhe vetëm 21% në degët e bankave. Në këtë këndvështrim, vlerësoj se bankat mbeten të angazhuara për të akomoduar edhe nevojat e platformës e-Albania, si në kushtet ekzistuese, ashtu edhe pas krijimit të “open banking”. Harmonizimi dhe koordinimi kësaj platforme dhe atyre të sistemit bankar, si dhe dhënia e prioritetit zhvillimeve të nevojshme që kërkohen në lidhje me to, do të sjellë jo vetëm një lehtësim dhe ndërveprim më efikas, por dhe shtim të sinergjisë midis të gjitha palëve të përfshira në këto procese. Megjithatë, të gjitha këto zhvillime sigurisht që nuk mund të kishin ndodhur nëse nga ana e një sërë institucionesh dhe kompanish shtetërore nuk do të ishin kryer zhvillime teknologjike, të cilat mundësojnë ndërveprimin midis tyre dhe bankave. Procesi i fiskalizimit vlerësohet si një zhvillim mjaft i rëndësishëm, si nga pikëpamja e formalizimit të ekonomisë, ashtu edhe në kuadër të krijimit të parakushteve të nevojshme që bizneset të ofrojnë mjete elektronike për pagesa.”- deklaroi Sejko.

Forumi Digjitalizimi kundrejt parasë fizike mblodhi përfaqësuesit e sistemit bankar në vend dhe në rajon, si dhe përfaqësues të lartë të institucioneve shtetërore.

Shoqata e Bankave theksoi nevojën për uljen e informalitetit në ekonomi, aksesin e qytetarëve në financë, si dhe luftën kundër pastrimit të parave dhe në këtë drejtim një rol të rëndësisishëm ka pikërisht digjitalizimi.