Disa të rinj shqiptarë vendosin të ikin jashtë vendit për një punë dhe jetë më të mirë, disa nuk shkëputen nga vendlindja dhe mundohen të bëjnë të pamundurën për të arritur ambicjet e tyre këtu.

Sentiljana Marku nga fshati Naraç, bashkia Vau i Dejës prej 8 vitesh ushtron profesionin e infermieres, por mesa duket ajo nuk arrin të mbulojë të gjitha shpenzimet që ka jetesa. Ndaj duket pak ekstrem për shkak të fushës ndryshe, por paralelisht Sentiljana ka zgjedhur të merret edhe me bujqësi për të ecur përpara. Ajo sot vec infermierisë merret me kultivimin e mjedrës në zonën e Vaut të Dejës.

“2 vitet e fundit mendova të angazhohem me diçka tjetër, se thellë brenda vetes e ndjeja që duhej të bëja diçka ndryshe, plus rroga nuk mjaftonte, familja me probleme shëndetësore. Pra, isha në një situatë vendimtare çfarë të bëja me veten time, me profesionin që kam? A të lëvizja, të ikja dhe unë siç po bëhet trend tani që të gjithë infermierët ikin nga vendi, apo të lëvizja nga fshati dhe t'i drejtohesha kryeqytetit për një punë tjetër me më shumë të ardhura? Isha në një mëdyshje që realisht doja t'i jepja një zgjidhje”, tregon Sentiljana.

Në rrugëtimin e saj ka provuar edhe fushën politike, por duket se kjo nuk i ka shërbyer për gjë tjetër veç kontakteve që ka krijuar.

“Pas dy-tre vitesh punë, unë u aktivizova me një parti, nga e cila dola anëtare e këshillit dhe në këtë mënyrë fillova të njihesha me shumë organizata, me shumë trajnime për gra, për të drejtat e grave, për të drejtat e vajzave, për të drejtat e njeriut. Pra, iu futa një aspekti tjetër të jetës, të cilin unë më përpara thjesht e kisha dëgjuar në televizor, nuk isha bërë pjesë e këtyre grupeve.”-shprehet ajo.

Sentiljana filloi të mendojë ndryshe për të ardhmen, duke u munduar të shfrytëzojë njohjet me potencialet e saj, për të zhvilluar një kulturë jo shumë të njohur për të.

“Dhe pas gjithë kësaj kohe arrita në përfundimin që nuk ja vlen të humb kohën që të merrem me angazhime politike, por arrita në një konkluzion që ia vlejti ajo kohë, sepse në këtë mënyrë njoha njerëz, njoha si funksionojnë shumë punë. U njoha me një organizatë, që kooperon në territorin e veriut dhe jep ndihmë bujqësore dhe aty ishte një thirrje për të drejtat e grave dhe të rinjve, për trajnime që kërkonin barazi gjinore. Mendova të aplikoja dhe unë. Aty u njoha me mjedrat, ishte një kulturë e re, që me thënë të drejtën njihja vetëm boronicën, manaferrën, por mjedrën si frut as që ja dija emrin. Po tregohem shumë e sinqertë dhe në këtë mënyrë pata një ineteres shumë të vecantë. I ndoqa trajnimet kohë pas kohe dhe arrita ta mbjell fidanin”, thotë Sentiljana

Nuk ka qënë aspak e lehtë për të. Sidomos fillimet, për tu përshtatur me atë çfarë kërkon fusha e bujqësisë.

“Fillova të punoja tokën, t’i kultivoja mjedrat. Ishte një punë e vështirë sepse unë nuk disponoja mjete bujqësore që punojnë tokën. Me duhej të merrja punëtorë me lekë. Metrat e tokës që kam unë të mbjella me mjedër nuk ishin të mjaftueshme edhe ata punëtorë nuk e ndiznin zetorin për 1000 metër tokë. U detyroja t’i paguaja dyfish vetëm që ata të vinin ta punonin, të frezonin dhe punime të ndryshme, që bëhen në kohë të ndryshme të vitit. Si përfundim arrita në prodhimin e mjedrave” tregon ajo.

Fati e ka ndihmuar Sentiljanën që në nisje të këtij misioni të ri dhe prodhimi ka qenë mjaftueshëm e po ashtu edhe shitjet kanë patur ecuri pozitive. Tani ajo shpreson të vazhdojë rrugëtimin e saj dhe të gjejë mbështetje financiare apo partnerë për të patur dhomë frigoriferike, në mënyrë që të ketë mundësi të krijojë kushte për ruajtjen e mjedrave.

“Nuk e prisja që do të kishte aq prodhim. Nuk e prisja që do të shiteshin. Hasa në disa vështirësi sepse njerëzit në zonën ku jetoj nuk e njihnin mjedrën. Për të bërë shitjet rreth e qark institucioneve ku ne jetojmë ishte pak e vështirë, sepse nuk e njihnin, u dukej një produkt i shtrenjtë. Në këtë mënyrë fillova të kërkoja, të angazhohesha nëpër trajnime siç ishte DuaPartners nga e cila u përzgjodha dhe ata më kanë dhënë disa kohë mentorim, me shpresën që do të takoheshim me investitorë, sepse unë tani kam nevojë për një dhomë frigoriferike, por është një gjë që nuk u realizua”, shprehet Sentiljana.

Sentiljana Marku ka marrë pjesë në disa projekte dhe konkurse. Së fundmi ajo mori çmimin “Best Woman Entrepreneur” në Startup City 4 nga Universiteti Metropolitan i Tiranës dhe ndjehet shumë e motivuar.

“ Pastaj aplikova sërish te Idea dhe aty fatmirësisht u zgjodha fituese ndër 5 finalistët. Nuk e di çfarë ndodhi por vitin e kaluar as Idea nuk dha fonda. Në këtë mënyrë vazhdova të kërkoj investime. U njoha dhe me StartupCity, ku secilën prej këtyre aplikimeve unë e kam njohur nëpërmjet internetit duke aplikuar dhe jam përzgjedhur. Në të gjitha rastet kam marrë çmime dhe jam vlerësuar me certifikata. Më kanë rritur motivimin për të vazhduar përpara. Tani të shohim. Edhe vlerësimi që mora nga StartupCity nga Universiteti Metropolitan më dha një ndjesi të bukur. Tani shpresojmë që këto certifikata të kenë impaktin e tyre në vazhdimësinë time, që t’i japin një rëndësi dhe ndoshta do të dalë ndonjë investitor që t’i japë një dorë mjedrave të Danjës. Ndoshta nuk ua thashë në fillim, por e kam quajtur Mjedrat e Danjës, për të treguar një kulturë të re, me një emër të vjetër prehistorik të qytetit të Vaut të Dejës.”shprehet Sentiljana.

Në Shqipëri, fermerët e kanë përqafuar kultivimin e mjedrave, duke parë potencialin e madh të këtij fruti dhe kërkesave në rritje për të, duke qenë një mrekulli për shëndetin. Konsumimi i ushqimeve bimore, si mjedrat mendohet se ul rrezikun e obezitetit, diabetit, sëmundjeve të zemrës dhe vdekshmërisë në përgjithësi, duke rritur energjinë dhe duke ulur peshën. Gjithashtu një sërë studimesh kanë treguar për një lidhje pozitive mes konsumimit të mjedrave dhe përmirësimit të memories. Ushqimet e pasura me flavonoid, siç është dhe rasti i mjedrave, ulin rrezikun ndaj sëmundjeve kardiovaskulare.