Nga viti në vit pronat po marrin vlerë tjetër në Shqipëri, të paktën këtë e tregojnë edhe çmimet në rritje. Tirana kryeson me çmimet “e kripura”, por nuk mbetet pas edhe bregdeti.

Nga Shoqata NAREA thonë për mediat se çmimet variojnë nga zona dhe nga tipologjia e apartamenteve.

“Nga të gjitha statistikat që ne kemi rritja vjetore është 8 deri në 12 % dhe kjo varion nga zona në zone, që janë më elitare dhe kanë përjetuar një rritje më të lartë. Aty ku infrastruktura është zhvilluar patjetër që çmimet janë rritur më shpejt. Në tipologjinë e apartamenteve që sot kemi në Shqipëri, kemi dy tipologji, apartamente para 2015 dhe pas 2015 dhe rritja në këto dy tipologji që është e ndryshmë. Megjithatë, mesatarisht jemi 8 deri në 12%.”- thotë drejtori ekzekutiv I NAREA-s Reinaldo Pipiria

Drejtori Ekzekutiv i National Albanian Real Estate Association (NAREA), Reinaldo Pipiria tregon arsyet e përse ndodh shtrenjtimi edhe në apartamentet që kanë përfunduar më parë. Sa i takon apartamenteve që po ndërtohen tani jepet argumenti i shtrenjtimit të lëndëve të para dhe të materialeve të ndërtimit nga kriza.

“Ka disa arsye, një arsye është për shkak se aparatamentet që kanë përfunduar para 2015-tës mund të jenë futur në një cikël ripërtëritje, pra riinvestohet në ato apartamente, ngrihet standardi dhe bëhet i konkurrueshëm me pjesën tjetër të tregut. Në të njëjtën kohë aty ku ka ndërtim, aty ku ka infrastrukturë të zhvilluar e gjithë lagja përfiton”, shprehet Pipiria

Përballë çmimit të qirave, që gjithashtu janë në rritje, ekspertët këshillojnë qytetarët drejt blerjes së një banese.

“Do të duhet të shikojmë rast pas rasti komplekset. Disa komplekse vërtetë janë shumë të mira, disa ndërtime vërtetë po bëhen cilësore sidomos pas 2019-tës për shkak edhe të tërmetit, por në të njëjtën kohë për shkak edhe të teknikës si apartamentet po ndërtohen, pra cështje izolimi, izolimi termik, akustik, linjat e shërbime të ndryshme që ofrojnë dhe në shumë raste i justifikojnë çmimet. Megjithatë, duhet të analizojmë tregun në tërësi. Sot për sot në Shqipëri vazhdon të jetë interesante për të investuar dhe për të mos jetuar me qira në Tiranë. Ka raporte të caktuara si çmimi i shtëpisë, i apartamentit që ti blen në raport me qiranë vjetore që duhet të paguash dhe ky lloj raporti është akoma nën 20 vite, që do të thotë ja vlen të blesh një apartament në vend që të jetosh me qira”, thekson ai

Për të gjithë që interesohen të blejnë prona në kryeqytetin shqiptar, eksperti Pipiria jep edhe shifra për kostot.

“Unë do të sjell disa statistika. Nga të dhënat që kemi zona që është me çmim më të lirë, statistika bazuar në fund të 2021-shit, është Fresku, i cili është 651 euro/metër katror mesatarisht dhe zona me çmim mesatar më të lartë sot është Blloku, që është 2000 euro/metër katror. Po flas për çmim mesatar, duke ditur që oferta vjen dhe përzihet dhe me apartamente të para viteve ’90. Është varianti më i lirë. Sot statistikat këto tregojnë. Ai 20% i tregut që ne zotërojmë, Fresku vazhdon të jetë alternativa më e lirë. Ka dhe një zhvillim në afërsi të QTU-së që është me çmim kompetitiv 600 euro/metër katror. Kur flasim për ato zona të urbanizuara që ne njohim, Fresku vazhdon të jetë akoma më lirë. Për shkak të unazës së madhe, për shkak se konektiviteti lidhur me Astirin është shumë i shpejtë. Astiri sot është 780-800 euro/metër katror, dikur ka qenë 450-500 euro/metër katror. Ndërkohë për sa kohë është zhvilluar infrastruktura çmimi është rritur. Liqeni i thatë është 1200-1400 euro/metër katror, Rruga e Kavajës është diku te 1400 euro/metër katror, Pazari i Ri mesatarisht është 1300 euro/metër katror, zona rreth e rrotull jo Pazari sepse aty është më shtrenjtë, por për shkak të ndërtimeve të para viteve ’90, sepse dihet që ajo zonë akoma nuk ka ndërtime masivisht të reja.”- shprehet drejtori ekzekutiv i NAREA-s

Ka një zonë që po merr zhvillim , përgjatë bulevardit të ri të tiranës mbi stacionin e trenit.

“Kompanitë që kanë qenë duke ndërtuar aty kanë dalë me ofertë tregu 700-800 euro/metër katror, nëse flasim në fillim të ndërtimit dhe më pas mund të shkojë deri 900 euro/metër katror, ashtu sikurse te zona e Ali Demit që është afërsisht te 900 euro/metër katror. Pra, ka shumë të bëjë momenti kur e prenoton një apartament”, shprehet drejtori ekzekutiv i NAREA-s për mediat.