Foto nga VCG

Ekspertët kroatë e vlerësojnë si shumë të mirë performancën e tregtisë së jashtme të Kinës, pasi të dhënat zyrtare të Kinës treguan se në pesë muajt e parë të vitit 2022, vëllimi i tregtisë së jashtme të vendit u rrit me 8.3 për qind nga viti në vit në 16.04 trilionë juanë (2.51 trilionë dollarë amerikanë), duke tejkaluar rritjen prej 7.9 për qind në periudhën janar-prill.

Gjatë një interviste për “Xinhua”, Mladen Vedris, një profesor i ekonomisë në Universitetin e Zagrebit, deklaroi se ishte magjepsur nga ecuria e tregtisë së jashtme kineze, pavarësisht ndikimit të rëndë të pandemisë Covid-19.

“Kjo tregon jo vetëm qëndrueshmërinë e jashtëzakonshme të ekonomisë kineze, por edhe mençurinë e udhëheqjes kineze për të hapur rrugën për ekonominë vendase në kushte të vështira”, -deklaroi Vedris.

Kina ka mbajtur marrëdhënie ekonomike me Bashkimin Evropian (BE) dhe Shtetet e Bashkuara, vuri në dukje Vedris, duke shprehur besimin se do të vazhdojë të jetë kështu në të ardhmen, pasi tregtia e lirë duhet të jetë qëllimi i të gjitha vendeve në botë dhe politika duhet mos të bëhet pengesë për bashkëpunimin ekonomik.

Bashkimi Evropian renditet si partneri i dytë më i madh tregtar i Kinës, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës pozicionohen në vendin e tretë.

Sipas të dhënave të Administratës së Përgjithshme të Doganave të Kinës (GAC), gjatë pesë muajve të parë të këtij viti, tregtia e Kinës me tre partnerët kryesorë tregtarë: Shoqatën e Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN), Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara u rritën me përkatësisht me 8.1 për qind, 7 për qind dhe 10.1 për qind krahasuar me një vit më parë.

“Ne në Evropë jemi magjepsur nga rritja e shpejtë ekonomike kineze, pasi nuk ka pasur pothuajse asnjë shembull në histori që një vend të zhvillohet me një shpejtësi kaq të madhe, gjë që, nga ana tjetër, justifikon reformën dhe hapjen e Kinës, si dhe ndjekjen e saj të politikave të paqes dhe bashkëpunimit në botë”, -tha Vedris.

Sipas Vedris, nisma kineze “Një brez, një rrugë” (BRI) pritet të ofrojë edhe më shumë mundësi të reja për Evropën, duke përfshirë dhe Kroacinë.

“Kur bëhet fjalë për ekonominë, sigurisht që mund të mësojmë shumë nga Kina”, tha Vedris, duke shtuar se duke marrë parasysh që Kroacia dhe Kina janë vende miqësore, Kroacia duhet të ketë një bashkëpunim ekonomik më të mirë dhe më të frytshëm me Kinën.

Ljubo Jurcic, profesor i ekonomisë në Universitetin e Zagrebit, deklaroi për “Xinhua” se ai besonte se zinxhiri global i furnizimit po rimëkëmbet nga pandemia Covid-19 dhe tregtia kineze ka pasur një rritje të konsiderueshme.

Zhvillimi ekonomik i Kinës ka qenë mbresëlënës, tha Jurcic, duke shtuar se në vetëm 30 vjet, Kina ka arritur përparimin ekonomik që Perëndimit iu deshën 200 vjet për ta arritur.

“Kina ka investuar shumë në shkencë dhe teknologji dhe kapacitetet e Kinës tani janë të forta dhe efikase”, tha Jurcis, duke shprehur besimin për potencialin e madh të tregut të brendshëm të Kinës, si dhe zhvillimin e mëtejshëm me cilësi të lartë të Kinës në të ardhmen.

Damir Novotny, një analist ekonomik kroat, deklaroi se pret që rritja ekonomike e Kinës të jetë më e lartë vitin e ardhshëm.

“Për vitin 2023, pres rritje edhe më të madhe në Kinë, sepse eksporti dhe investimet janë shtytësit kryesorë të prodhimit të brendshëm bruto të Kinës”, -tha ai për “Xinhua”, duke shtuar se konsumi i brendshëm i Kinës do të nxisë më tej rritjen ekonomike të vendit.