Foto:VCG

Foto:VCG

Tregtia e jashtme e Kinës tani po ndikohet nga faktorët brenda e jashtë vendit dhe ndërmarrjet që merren me këtë tregti po përballojnë më shumë presion. Por të dhënat e publikuara tregojnë se, me gjithë këtë presion, tregtia e jashtme e Kinës ka një bazë të mirë dhe po tregon gjallëri të mjaftueshme. Për të stabilizuar rritjen e tregtisë së jashtme, Ministria e Tregtisë dhe disa institucione të tjera shtetërore, si banka qendrore kineze dhe Administrata Shtetërore e Doganave, kanë bërë studime, duke marrë një sërë masash konkrete.

Foto:VCG

Foto:VCG

Shifrat në ulje, por mbeten pozitive

Të dhënat tregojnë që në periudhën janar-prill 2022, tregtia e jashtme e Kinës shënoi rritje me 10.1 %, nga 38.7 % që ishte rritja në të njëjtën periudhë të vitit 2021.

Për këtë ulje të ritmeve të rritjes, zv.ministri i Tregtisë Wang Shouwen thotë që në katër muajt e parë, import-eksporti i Kinës arriti 1.98 trilionë dollarë, çka është realizuar mbi një bazë të lartë. “Duhet të kuptojmë që në vitin 2021, tregtia e jashtme ishte 6 trilionë dollarë dhe rritja me 1 % është 60 miliardë dollarë. Kështu që rritja 10.1 % në fakt është një rekord i lartë,” u shpreh Wang.

Krahas kësaj, mund të bëhen edhe krahasime me vendet e tjera të botës. Kina publikoi të dhënat për janar-prillin dhe shumë vende kanë publikuar shifra vetëm për periudhën janar-mars. Po të bëjmë krahasim me shifrat e këtyre vendeve, mund të shohim që rritja e tregtisë së jashtme të Kinës është 15.8%. BE-ja, Japonia dhe Britania kanë një tregti të jashtme të fuqishme, por rritja e tyre është më e paktë se e Kinës.

Megjithëse rritja në janar-prill ishte vetëm 10.1%, gjallëria e tregtisë së jashtme të Kinës është forcuar më tej, sidomos e ndërmarrjeve private, të cilat patën rritje me 15.4 % në katër muajt e parë të sivjetshëm. Ndërmarrjet private tani zënë 2.4 pikë përqindjeje më shumë në import-eksportin e vendit, duke arritur në 58.5%.

Ndërkohë, cilësia e tregtisë së jashtme është rritur pandërprerë. P. sh., eksporti i disa produkteve të teknologjisë së lartë dhe me vlerë të lartë të shtuar shënoi rritje të shpejtë. Në katër muajt e parë të sivjetshëm, eksporti i automjeteve elektrike u rrit me 137.8 % dhe i makinerive inxhinierike me 35.3 %.

“Duhet të shohim që tregtia e jashtme po jep kontribut më të madh për ekonominë kombëtare,” theksoi Wang Shouwen, duke shtuar: “Në janar-mars, numri i ndërmarrjeve që bëjnë biznes konkret arriti në 432 mijë, 5.7% më shumë se një vit më parë. Krahas kësaj, ndërmarrjet që merren me tregtinë e jashtme kanë ofruar vende pune dhe kanë garantuar importin e mallrave kryesore, çka është një kontribut i madh për ekonominë kineze.”

Foto:VCG

Foto:VCG

Masat për stabilizim dhe cilësim të tregtisë

Zv.ministri Wang Shouwen bëri të ditur që tani tregtia e jashtme ende përballet me disa faktorë të paqartë dhe për këtë shkak, Ministria e Tregtisë, bashkë me 27 departamente shtetërore, si Komisioni Kombëtar i Zhvillimit dhe Reformës, Ministria e Financave, Banka Popullore e Kinës dhe Administrata Shtetërore e Doganave, kanë bërë studime, duke marrë masa konkrete në katër drejtime kryesore, me synim që të stabilizohen ndërmarrjet tregtare, porositë tregtare, besimi i tregut dhe zbatimi i marrëveshjeve të nënshkruara.

Së pari, duhet të nxitet funksionimi i mbarë i tregtisë së jashtme. Ministria e Tregtisë ka përcaktuar listën e ndërmarrjeve dhe personave për tregti dhe logjistikë. Kështu, transporti i mallrave tregtare është përfshirë në logjistikën e materialeve kyçe dhe në pikat e rëndësishme kufitare detare e ajrore mallrat do të qarkullojnë në mënyrë më të lehtë dhe më të rregullt.

Së dyti, do të shtohet mbështetja financiare dhe tatimore. Do të rriten përmasat e sigurimeve afatshkurtra për eksportin, posaçërisht për ndërmarrjet e mesme dhe të vogla dhe mikrondërmarrjet. Institucionet bankare do të hartojnë një listë të ndërmarrjeve, që të jepet përkrahje financiare për ato që kanë nevojë më urgjente.

Foto:VCG

Foto:VCG

Së treti, do të ndihmohen ndërmarrjet të zgjerojnë porositë në treg. Tani janë marrë masa, si ekspozitat në internet, për t’i ndihmuar ato të marrin më shumë porosi. Po ashtu, janë inkurajuar ndërmarrjet që të bëjnë bisedime në internet me klientët ndërkombëtarë dhe të dërgojnë produktet jashtë vendit për ekspozitat me prani fizike. Ndërkohë, është shtuar lidhja mes ekspozitave në internet dhe platformave ndërkufitare të biznesit elektronik, çka mund të lehtësojë nënshkrimin e kontratave.

Së katërti, do të merren masa për stabilizimin e zinxhirit industrial dhe të furnizimit. Ndërmarrjet që kërkojnë forcë të madhe pune janë mbështetur që ta zhvendosin prodhimin në krahinat e tjera të vendit, çka mund të sigurojë vende pune dhe të nxitë lulëzimin rural e zhvillimin e bashkërenduar të rajoneve. (Jiang Lei)