Ministrja Belinda Balluku (Foto Vizion plus)

Ministrja Belinda Balluku (Foto Vizion plus)

Dy parqe fotovoltaike do të ndërtohen në Korçë dhe investimi do të jetë tërësisht privat. Lajmin e bëri të ditur ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të Ministrave, javën e kaluar. Balluku tha se tashmë disbalancat që krijohen në sistemin e energjisë nga prodhuesit me përparësi nuk do të mbahen me nga operatorët publikë, por do të paguhen nga vetë ata. Sa i takon çmimit, ministrja theksoi se ajo që do të paguhet do të jetë simbolike, por do të shërbejë për të shëndoshur financat e operatorëve publikë, që kanë mbajtur këtë kosto deri më sot.

Një investim i tillë përkon me një periudhë shumë të vështirë, përsa i përket energjisë elektrike për shumë vende. Konkretisht shteti shqiptar do të përfitojë 2% të energjisë së prodhuar nga këto parqe fotovoltaike gjatë vitit, në formë produkti apo në formë pagese.

“Sot kemi kaluar 1 projektvendim për disbalancat e krijuara nga prodhuesit me përparësi të energjisë elektrike. Prodhuesit nga hidrocentralet e vogla, disbalancat i mbulonte KESH, nga sot, të gjithë entitetet që prodhojnë energji dhe nuk janë prodhues të energjisë, do të paguajnë këto disbalanca. Kjo mënyrë shëndosh sistemin elektroenergjitik. Miratuam 2 parqe fotovoltaike që do të ndërtohen në qarkun e Korcës, pa mbështetje financiare nga shteti, por investim privat. Ky është lajm i mire, pasi është investim nga etnitetet vendas. Iniciativa të tilla mbështeten për të lëhtësuar rrugën burokratike, shteti shqiptar përfiton pasi 2% e energjisë së prodhuar që gjatë vitit i jepet në formë produkti apo në formë pagese.” tha ministrja Balluku.

Ministrja Balluku gjatë inspektimit(Foto Infrastruktura.gov.al)

Ministrja Balluku gjatë inspektimit(Foto Infrastruktura.gov.al)

Vendimi i tretë lidhej me një marrëveshje hidrokarbure për vendburimet e gazit natyror në Frakull dhe Povelçë . Këto dy vendburime të gazit kanë qenë në pronësi të Kompanisë Albpetrol, por i kalojnë entiteteve private për t’i dhënë jetë.

“Një tjetër vendim është projektvendimi për miratimin e marrëveshjes hidrokarbure me ndarje prodhimi për zhvillimin dhe prodhimin e hidrokarbureve në vendburimin e gazit natyror në Frakull dhe Povelçe. Të dyja vendburimet e gazit kanë qenë në pronësi të Albpetrolit, por i kalojnë entiteteve private për rijetëzim. Vetëm në fazën e eksplorimit janë parashikuar investime prej 500 mijë USD për secilin vendburim, një investim i rëndësishëm në kushtet e krizës”, theksoi ministrja.

Solar park (Foto Global Times)

Solar park (Foto Global Times)

Gjithashtu në vendimin më të fundit të qeverisë thuhet se i është hapur rrugë edhe shpronësimeve që i paraprin vijimit të projekteve në infrstrukturë. E ndërsa flasim për projektet, kjo ka qënë mollë sherri edhe në seancën e radhës parlamentare ku ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, duke folur në Kuvend, ka hedhur poshtë të gjitha akuzat e opozitës, se qeveria shqiptare ka lënë në mes projektet e nisura nga qeveria demokrate.Ministrja Balluku tha se qeveria shqiptare mori në dorë projekte e lëna rrugëve nga ana e demokratëve dhe i kanë përmbyllur ato, siç është rasti i aksit Kardhiq – Delvinë. Ndërkohë Balluku hodhi poshtë edhe akuzat se po rritet energjia elektrike, duke thënë se ky është një spekulim.

“Keni folur sot gjatë gjithë ditës për Kardhiq-Delvinë, një nga veprat kryesore sa i përket turizmit. Do doja të sqaroja diçka sepse u tha që e nisi PD, por pse nuk u mbarua. Loti i parë ka nisur në dhjetor 2007-s dhe deri në vitin 2013, nuk e di pse nuk e kanë mbaruar, edhe me lotin e dytë dhe të tretë ndodhi e njëjta gjë. Lotet që ne kemi hapur, loti i katërt dhe i pestë, i hapur në 2018 është dorëzuar në 2021. Këto janë vitet që flasin, ne morëm punët tuaja të mbetura rrugëve dhe i mbaruam në kohë rekord. Ne përfunduam edhe punët tona. Ne jo vetëm dimë t’i dorëzojmë, por i bëjmë dhe para afatit. Me Qukës – Qafë Plloçë është mbyllur pjesa tjetër e kredisë. Energjia? Cila energji është rritur? Ju do spekuloni se nuk keni çfarë bëni. Si nuk dolët njëherë të flisni me shifra të qarta. Çfarë do që të thoni ju, edhe bizneset e lidhura me tensionin e mesëm do të jenë në mbrojtjen e shtetit shqiptar”, tha Balluku.

Ministrja Balluku tha se punimet në tunelin e Skarficës janë drejt përfundimit, ku janë duke u realizuar punimet e fundit, të cilat kanë pasur një ecuri të mirë. Ajo bëri të ditur se në datën 2 korrik aksi Kardhiq-Delvinë do të jetë i hapur për qarkullimin e automjeteve.