Foto nga VCG

Bashkimi Evropian shpreson që konflikti Rusi-Ukrainë do të përshpejtojë kalimin nga varësia e saj prej energjisë ruse në një qasje më të shpejtë drejt burimeve të rinovueshme, por gjithashtu pret që kompromiset afatshkurtra, prej rritjes së përdorimit të karburanteve fosile, të jenë të pashmangshme në arritjen e qëllimeve të saj.

Në një samit të BE-së më 30 maj, vendet anëtare ranë dakord për një ndalim të pjesshëm të furnizimit me naftën ruse, duke i dhënë fund importeve nga deti deri në fund të vitit, por duke përjashtuar naftën e dorëzuar me tubacion. Në raundin e pestë të sanksioneve të zbuluara në prill, BE-ja kishte rënë dakord të heqë gradualisht importet e qymyrit rus deri në gusht.

Komisioni Evropian bëri të ditur se do të heqë gradualisht varësinë nga gazi rus shumë përpara fundit të dekadës, sipas planit të tij “REPowerEU”, të shpallur më 18 maj, që synon të reduktojë varësinë nga karburantet fosile ruse dhe të përshpejtojë tranzicionin e gjelbër të rajonit.

BE-ja është klienti më i madh energjetik i Rusisë. Vitin e kaluar, Unioni importoi nga Rusia rreth 40 për qind të nevojave të gazit natyror, 46 për qind të qymyrit dhe 27 për qind të naftës së tij, në tregti me vlerë rreth 100 miliardë euro (107 miliardë dollarë).

Plani “REPowerEU”, me 300 miliardë euro (321 miliardë dollarë) financim, ka vendosur një objektiv ambicioz për të rritur synimin e BE-së për vitin 2030 për burimet e rinovueshme nga plani aktual prej 40 për qind në 45 për qind. Ai përfshin gjithashtu diversifikimin e furnizimeve të BE-së nga burime të tjera dhe investimin në infrastrukturë për importet e gazit të lëngshëm natyror.

BE-ja dhe vendet e saj anëtare kanë shtuar përpjekjet për të kontaktuar furnizues të tjerë të naftës dhe gazit në muajt e fundit, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara, Norvegjinë, Azerbajxhanin dhe Lindjen e Mesme.

Disa shtete të BE-së tregojnë se mund t'u duhet të përdorin qymyrin e ndotur, duke riaktivizuar termocentralet e vjetra. Zëvendëspresidenti ekzekutiv i Komisionit Evropian, Frans Timmermans, i cili është përgjegjës për Marrëveshjen e Gjelbër të BE-së, që synon neutralitetin klimaterik deri në vitin 2050, pranoi në një konferencë shtypi mbi planin “REPowerEU” se nuk ka zgjidhje tjetër veçse të kërkohet për alternativa të tjera në një kohë shumë të shkurtër.

Problemi është veçanërisht i mprehtë për Gjermaninë, ekonominë më të madhe të rajonit. Qeveria e re e kancelarit Olaf Scholz u zotua në dhjetor që të heqë dorë nga qymyri deri në vitin 2030 në vend të objektivit të mëparshëm të vitit 2038, por kompanitë gjermane të energjisë po konsiderojnë rikthimin e termocentraleve të vjetra me qymyr.

Në projektligjin e paraqitur në maj, nga ministri gjerman për Çështjet Ekonomike dhe Veprimet Klimaterike, Robert Habeck, kërkohet që impiantet me qymyr që do të mbyllen të lihen në rezervë, si pjesë e një plani emergjence për të siguruar furnizimin me energji elektrike të vendit nëse Rusia ndërpret furnizimet me gaz, si në rastin e Polonisë dhe Bullgarisë në fund të prillit dhe Holandës dhe Danimarkës javë më vonë. Termocentralet me qymyr gjeneruan rreth 30 për qind të energjisë elektrike të Gjermanisë vitin e kaluar.

“Kjo do të thotë se si një masë paraprake dhe për të qenë të përgatitur për më të keqen, ne duhet t'i mbajmë në gatishmëri termocentralet me qymyr dhe ndoshta edhe t'i lëmë të funksionojnë”, -tha Habeck, i cili i përket Partisë ambientaliste të të Gjelbërve, bëri të ditur radioja publike gjermane “Deutschlandfunk”.

Kriza e energjisë ka ardhur në një kohë të keqe për Gjermaninë, e cila është e vendosur të çmontojë tre reaktorët e saj të fundit bërthamorë deri në fund të vitit.

Kryeministri italian Mario Draghi, vendi i të cilit gjithashtu varet shumë nga energjia ruse, ka thënë se Italia do të rrisë prodhimin vendas të gazit dhe mund të rihapë termocentralet me qymyr për të siguruar energjinë.

“Rihapja e termocentraleve me qymyr mund të përdoret për të kompensuar çdo mungesë në të ardhmen e afërt”, -tha Draghi, ndërsa theksoi rëndësinë e kalimit te burimet e rinovueshme në të ardhmen. Ministrja rumune e Mjedisit, Barna Tanczos, është e të njëjtit mendim, duke thënë se vendi do të duhet të vërë në punë termocentralet me qymyr, si një masë e përkohshme.

Franca është në bisedime me Emiratet e Bashkuara Arabe për të reduktuar blerjet e naftës ruse, që do të ndalet pas vendosjes së ndalimit të BE-së për naftën bruto ruse, sipas raportimit të “Reuters”.

“Jemi në diskutime me Emiratet e Bashkuara Arabe. Ne duhet të gjejmë një alternativë ndaj naftës ruse”, -tha ministri francez i Financave, Bruno Le Maire, gjatë një interviste për radion “Europe 1”.

Ingvild Sorhus, analistja kryesore evropiane mbi karbonin në “Refinitiv”, një kompani që ofron të dhëna për tregjet financiare dhe infrastrukturën, tha se ndërsa BE-ja po e riorienton rrënjësisht politikën e saj energjetike pas shpërthimit të konfliktit Rusi-Ukrainë, një shpërndarje masive e teknologjive me karbon të ulët dhe me efikasitet të energjisë nuk mund të bëhet sot për sot.

“Shpresojmë që përpjekjet për dekarbonizimin në planin “REPowerEU” mund të rriten mjaft shpejt, për të kompensuar këto ndikime negative në emetimet e BE-së”, -tha ajo për “China Daily”.

Erik Solheim, politikan norvegjez dhe ish-drejtor ekzekutiv i Programit të Kombeve të Bashkuara për Mjedisin, tha se në një afat të shkurtër konflikti mund të ndikojë negativisht në ndryshimin e gjelbër, pasi inkurajon zhvillime të reja të naftës dhe gazit dhe i bën ato më fitimprurëse. Por, sipas tij, në planin afatgjatë, konflikti do të përshpejtojë ndryshimin e gjelbër.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, u zotua se 95 për qind e 300 miliardë eurove të planit “REPowerEU” do t'i kushtohen energjisë së pastër. Por, kritikët e kanë kundërshtuar vendimin që cakton një shumë të madhe për infrastrukturën e naftës dhe gazit dhe terminalet e gazit të lëngshëm natyror.

Në një letër drejtuar von der Leyen në maj, të nënshkruar nga 150 drejtues biznesi, BE-së iu kërkua të shmangte investimin në infrastrukturën e re të karburanteve fosile dhe në vend të kësaj të përshpejtonte qasjen drejt burimeve të rinovueshme dhe efikasitetit të energjisë.

Është koha që të gjithë ne të ndërmarrim hapat e nevojshëm për të forcuar sigurinë energjetike dhe qëndrueshmërinë e Evropës duke përshpejtuar tranzicionin e gjelbër”, -thuhej në letër.